Dy pika në hapësirë që i bashkon vetëm një dilemë

Në të djathtë është po e njëjta histori. Gati një muaj më parë, Partia Demokratike shpiku tre kushte për rikthim në parlament, por tha se të treja së bashku, nuk prodhonin një ultimatum. Duke kundërshtuar daljen në liri të një ish-deputeti socialist, nën akuzë për plagosje me armë zjarri...”

Nga Lorenc Vangjeli

Ndonjëherë më e rëndësishme se të kesh çfarë të marrësh është të dish se çfarë kërkon. Ka disa javë që politika shqiptare në të majtë e në të djathtë është përfshirë nga një krizë hutese: në PS në dilemën e çuditshme, je me statutin apo kundër statutit, kurse në PD gati njëlloj: je me bojkotin apo kundër bojkotit?

Nga këto dilema partiake rrjedhojnë shumë të tjera të ngjashme, njëlloj sikur duan të kundërshtojnë aksiomën se në dy pika kalon një dhe vetëm një segment. Në rastin e socialistëve dilema me statut prodhon paqartësi në skajet e largëta, je me Ramën apo me Blushin, je për mandatin ekzistues apo rinovim të mandatit të kryetarit mes zgjedhjeve. Por kjo është sipërfaqja sepse më thellë ato prodhojnë dilemat nëse jetojnë më mirë shqiptarët sot nën qeverisjen e Ramës apo jetonin më mirë dje nën qeverisjen e Berishës, është maksimumi i mundshëm që është bërë në të sotmen duke kujtuar të djeshmen apo do të duhej të jetonin edhe më mirë nëse do të qeveriseshin ndryshe? Përgjigjet e  këtyre pyetjeve janë ndonjëherë të gatshme si përgjigje tifozësh në stadium. Një tifoz, pavarësisht nëse fiton apo humb skuadra e tij, është i bindur se skuadra e zemrës ka luajtur më mirë se kundërshtari. Në politikë tifozi quhet militant dhe militantët nuk kanë kurrë dilema. Edhe në momentin kur kapiteni i tyre, bëhet bashkë, qoftë dhe në vendin më të paimagjinueshëm të mundshëm, me ish-kapitenin e ekipit tjetër. Për shembull, sipas Doktor Berishës, ai takohej me Edi Ramën në barkun e kryeministrit. “Ai faktoi se tani lepur në bark nuk ka vetëm Saliun, por edhe vet atë”, thotë ish-kryeministri me një metaforë shumë të sperdredhur dhe duke bërë kaçurrel bindjen e tij se karrigen ja ka zënë një i sëmurë. Dhe ky është skaji tjetër i segmentin me dilemë: është koha që me të njëjtat fjalë, mirë a keq, me të njëjtat qëndrime, dyshime, fyerje, por dhe metafora, në binomin Rama – Berisha, të rikthehet e njëjta monedhë. Si në një qark të mbyllur ku dy armiqtë e mëdhenj nuk kanë asnjë dilemë për armiqësinë e tyre.

Në të djathtë është po e njëjta histori. Gati një muaj më parë, Partia Demokratike shpiku tre kushte për rikthim në parlament, por tha se të treja së bashku, nuk prodhonin një ultimatum. Duke kundërshtuar daljen në liri të një ish-deputeti socialist, nën akuzë për plagosje me armë zjarri, PD-ja duke dalë nga parlamenti i hyri dilemës së vjetër të saj në veçanti, por dhe të politikës shqiptare në përgjithësi: duam bojkotin apo nuk e pranojmë bojkotin.

 Hyr e dil nga seanca plenare dhe hyr e dil në kafen e brendshme të parlamentit, e gjithë politika zyrtare e opozitës tashmë është duke u endur në skajet e kësaj dileme. Që herë pas here shkon dhe në ekstrem me qëndrimin “individual” një deputetit të “zakonshëm” demokrat që quhet Sali Berisha me emër të përveçëm:”Mund të rikonsideroj deri dhe mandatin tim parlamentar”, thotë Doktori dhe më pas si padashur, kuptojnë se mendojnë të njëjtën gjë dhe shumica e deputetëve demokratë, duke nisur natyrisht me Jozefinën.

Akti i parafundit i bojkotit ishte seanca e fundit e Parlamentit, kur demokratët hynë për të votuar kundër Kokëdhimës dhe dilnin për të pirë kafe në pritje të votës kundër Koços.

Kurse akti i fundit ishte bojkoti i Këshillit të Mandateve ditën e premte, ku do të diskutohej Kodi Etik. Kishin firmosur Bregu e Tabaku, Ruli e Mima, kishte firmosur dhe Vokshi si kryetare e grave demokrate, por kryetari i burrave dhe grave demokratë, përfshi dhe forumin rinor të kësaj partie, zoti Basha, rivendosi bojkot. Deputetët demokratë braktisën një fushë beteje ku si rrallë herë do të dilnin të gjithë fitues. Të djathtë dhe të majtë, që mirë a keq do të kishin një Kod Etik që do të ndihmonte të ndëshkoheshin fjalë, veprime, gjeste me pullë të kuqe dhe politikë sipas modelit të të kuqve të dikurshëm të Lindjes. Një model që të djathtët e sotëm të parlamentit e kanë pasur shumë për zemër në kohën që i drejtonte ish-Kardiologu.

Bojkoti e shtyu në një kohë të pacaktuar një mundësi të tillë.

Në shembujt e marrë nuk përmenden arsye të tjera shumë e shumë më të forta, që të paktën do të ishin shumë më serioze në krijimin e dilemave. Nuk përmendet as reforma në drejtësi, as Byroja e Hetimit, as debati për borxhin e jashtëm, as gjykime për pjatën e supës së çdo familjeje shqiptare në tryezë dhe as nuk kërkohet të gjenden armiqtë e Liqenit dhe parkut të tij në Tiranë. Këto shembuj janë vetëm sipërfaqe pa hyrë më thellë e më errët. Ata janë të mjaftë për të vërtetuar si aksiomë faktin se palët në Shqipëri janë tmerrësisht larg njëra-tjetrës për gjithçka. Se janë si dy pika në hapësirë, ndër të cilat kalon një dhe një vetëm një segment. Qoftë dhe i rëndë dhe i vetëm si plumbi që lëviz i vetëm dhe pa dilema, njëkohësisht në dy kahe të ndryshëm. Nga e majta në të djathtë, nga e djathta në të majtë dhe anasjelltas pafund. (Java)

SHKARKO APP