Dy shkrime për Kosovën dhe Albin Kurtin

Kosova ka marrë vëmendje ndërkombëtare pas ngjarjes së fundit ku terroristë serbë vranë një polic të Kosovës. SHBA dhe BE e kanë dënuar aktin serb, ndërkohë që presidenti serb Vuçiç dhe Rusia akuzojnë kryeministrin Albin Kurti.

Deri tani Kurti ka kundërshtuar hapur edhe SHBA, por edhe BE për disa ultimatume ndaj qeverisë së Kosovës, që në thelb nuk dënonin Presidentin e Serbisë, por i vinin kushte Albin Kurtit. Por ky i fundit qëlloi kockë e fortë dhe nuk pranoi kushtet e vendosura nga ndërkombëtarët. Nën rrogoz disa shtete të fuqishme po luanin fijet që ta rrëzonin kryeministrin Kurti, por nuk ja dolën. Pas kësaj ngarje të rëndë me vrasjen e policit dhe ekzekutimin e disa terroristëve, Albin Kurti nuk preket më, ai u blindua dhe po kthehet në njeri të fortë në Rajon.

Në lidhje me këto ngjarje po lexojmë dy analiza mediatike. E para e shkruar nga Ben Blushi.

Ja se çfarë thotë Blushi:

“Kosova mori një fitore të papritur, por të merituar, kur ishte në një ditë të keqe për shkak të lodhjes së Perëndimit që nuk po e zgjidh dot ngërcin mes saj dhe Serbisë. E izoluar dhe e lënë vetëm nga aleatët e vet natyralë, Kosova gjeti aleatë aty nuk e priste: tek kundërshtarët e saj. Ata i bënë një dhuratë që ajo do ta shijojë për një kohë të gjatë. Serbët i dhuruan Kosovës provën e padiskutueshme se e kanë sulmuar pabesisht ndërkohë që ajo ishte ulur në tryezë për të biseduar. Në asnjë kod lufte, ai që pranon të bisedojë, nuk sulmohet pas shpine dhe serbët e shkelën këtë kod. 

Qëllimi i atyre që e sulmuan ishte i qartë: të krijonin në Kosovë një vatër konflikti të armatosur, e cila do t’i jepte mundësi Serbisë të fitonte avantazh në bisedime. Dekori i këtij zjarri, tymi i të cilit do arrinte menjëherë në Ëashington dhe Moskë, ishte perfekt: disa serbë të sulmuar nga policia që fshihen në një manastir, aty rezistojnë bashkë me priftërinjtë dhe pelegrinët e pafajshëm, për t’i dhënë mundësi gjithë botës të shikojë sesi Qeveria Shqiptare e Kosovës trajton pakicat etnike dhe fetare. Ky operacion konsiderohej një spastrim etnik. 

Meqë manastiri ishtë në mes të fshatrave, nuk përjashtohej që dhjetëra fshatarë serbë, të mblidheshin aty për të mbrojtur vëllezërit e rrethuar nga shqiptarët, në territorin e shenjtë të Banjskës. Nga krahu tjetër i kufirit, në Serbi, thirrjet për të ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë do ktheheshin në ulërima dhe Presidemti lunatik i Serbisë, do ia shiste shtrenjtë Perëndimit përpjekjen e tij të mundimshme, për të qetësuar popullin e revoltuar serb. Në shkëmbim, do kërkonte dicka më shumë në tavolinën urgjente të bisedimeve, ku ai do shkonte si viktimë dhe Kosova si agresor. 

Ndoshta autonominë e Veriut të Kosovës, çka do ishte një hap më shumë se asosacioni i komununave serbe që diskutohet sot. Republika Serbska e Kosovës do ishte themeluar në atë manastir, të djelën e 24 shtatorit 2023. Kjo Republikë kishte dëshmorët e vet të vrarë nga shqiptarët, priftërinjtë ortodoksë do ta pagëzonin,ndrësa ndërkombëtarët do ta negocionin në pushimin mes dy sulmeve ruse në Ukrainë. 

Nëse ky ka qenë plani që ka dështuar, do të thotë se Kosova ka qenë me shumë fat. Horoskopi i historisë së popujve njeh ditë me fat për ata që janë në krahun e të drejtës, siç është edhe rasti i Kosovës. Megjithatë kjo fitore nuk është vetëm një fitore e fatit, por edhe e shtetit të Kosovës. Jo vetëm ata që e kanë sulmuar Kosovën, por edhe ata që e kanë dashur dhe e duan, kanë dyshuar gjithmonë në aftësinë e saj për t’u mbrojtur. Ky dyshim i kthyer në bindje ishte arsyeja që 40 serbë të armatosur u sakrifikuan në atë mënyrë, duke besuar se ata mund ta mundnin lehtësisht mbrojtjen e një Republike të vogël dhe pa përvojë ushtarake siç është Kosova. 

Por ajo që ndodhi ishte e paimagjinueshme. Pa patur nevoëjn e Kforit, Kosova i neutralizoi serbët e armatosur me një operacion kirurgjikal, të denjë për manuale të ndërhyrjes së shpejtë. Republika e Kosovës bëri atë që do bënte cdo republikë tjetër kur sulmohet me armë :ajo të ndjek, të gjen, të rrethon dhe të vret. Në këtë betejë të fituar me gjak ajo la një të vrarë, por vrau më shumë nga pala tjetër. 

Një ditë më parë, kjo ndërhyrje kaq efikase, as mund të imagjinohej. Dyshimet se Kosova ka aftësi të mbrohet dhe të vetëqeveriset kanë qenë armiku i saj kryesor. Nga dita e djelë ato janë fashitur. Serbët, që kur nisen në Kosovë sillen sikur po shkojnë në një gjueti lepujsh, do mendohen mirë nëse hyjnë më në përplasje fizike me forcat e shtetit të Kosovës. 

Në 25 vitet e fundit, Kosova ka fituar mbi serbët si një popull, por asnjëherë si shtet. Në vitin 1999 shqiptarët u ngritën si popull kundër shtetit serb dhe me ndihmën e Perëndimit i mundën. Ndërsa të djelën, Kosova i mundi serbët si shtet dhe për më tepër i mundi vetëm, pa ndihmën e askujt. Prandaj Kosova ka arsye ta festojë këtë ditë si një fitore të Republikës së vet. Atëherë kur duhej Republika e Kosovës funksionoi dhe mbrojti territorin e saj, çka përbën detyrën e parë të çdo Republike.

 Tani Kosova mund të shkojë në bisedime më e fortë dhe më e pavarur. Natyrisht që kurthet e historisë nuk kanë mbaruar këtu. Ato vazhdojnë. Kundërshtarët e saj kanë marrë një goditje, por nuk janë tërhequr. Diplomacia është terreni ku duhet mundur Serbija. Në këtë fushë, Kosova ka kufizimet e veta, si çdo Republikë e re, e vogël, e varfër dhe pa përvojë. Megjithatë fitorja e Banjskës që u arrit me gjuhën e armëve do tia lehtësojë edhe gjuhën e diplomacisë dhe këtë kosovarët e dinë mirë. Por tani edhe serbët e dinë shumë mirë”- përfundon Ben Blushi.

Ndërkohë Artur Zheji ka publikuar një shkrim ku thotë se Edi Rama dhe Albin Kurti janë në sinkron në veprime në dy anët e kufirit..

Ja se çfarë ka analizuar Artur Zheji: “ Ajo që ndodhi në agun e të dielës së 24 shtatorit, ishte e rëndë, por e pritshme. Vuçiç dhe lobet që e mbështesin ndjehen pa një rrugëdalje diplomatike dhe pa shtegun e duhur për të destabilizuar djallëzisht Republikën e Kosovës. 

Qëndrueshmëria prej malësori dhe gjakftohtësia prej shtetari e Albinit, janë thellësisht acaruese në Beograd. Gjuha e ftohtë dhe diplomatike e Ramës në kontekstin gjeopolitik rajonal, heq dyshimin se shqiptarët po thurin një konspiracion trasversal. 

Suksesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe adresimet domethënëse të kryeministrit të Tiranës, në lidhje me Kosovën dhe pengesat ruse për njohjen e saj globale, në gjeopolitikën e madhe të Nju Yorkut, janë sigurisht një acarim tjetër i shumëfishtë. 

Të ndodhur ndërmjet “dy zjarresh”, serbët dhe lobi i tyre me fole në Moskë, kanë humbur sigurisht durimin dhe kanë kaluar menjëherë në planin B: luftë e drejtpërdrejtë me armë dhe celula terroriste të mirëfillta. Ndoshta nxitimi nga njëra anë, ndoshta superpërgatitja e forcave të policisë së Kosovës, ndoshta informacionet e aleatëve, kanë bërë që faza e Parë e planit B, kundër Kosovës të dështojë.

 Për ata që nuk e dinë, shkolla e shërbimeve paraushtarake, apo “specialët” serbë, janë të superkuotuar në Europë. Ti turpërosh ata, ti shpartallosh, si edhe ndodhi, kur kishin në krahun e tyre edhe befasinë, e degradon Beogradin dhe shkollën e vet ushtarake në nivele të ulëta.

Sipas analizës, edhe Kurti, edhe Rama, e lanë Presidentin e Serbisë, të çartafillosur dhe dy herë humbës: në nivelin ndërkombëtar dhe në nivelin ushtarak në përplasjen e drejtëpërdrejtë me Specialët e Kosovës, që e thyen turpshëm mitin lokal serb. 

Janë pra Kurti dhe Rama të pa sinkronizuar? 

Nisur nga deklaratat publike ata duken në trajektore të kithta, madje në përplasje. Por në Këshillin e Sigurimit në Nju York, ai e mbështeti Kurtin, pa e përmendur domosdoshmërisht me emër, duke ju ruajtur ekspozimit të tepërt. 

Nga ana tjetër, çfarë bëri KFOR-i?

Mbylli në kufirin Kosovë-Serbi, të vetmen rrugë prej nga celulat terroriste, do të ktheheshin tek porositësit dhe do të humbnin gjurmët, sikundër kanë bërë shpesh. Kjo është një fitore e madhe e Kosovës dhe e Kurtit. Sepse KFOR-i ka tashmë kujtesë të mirë, nga urrejtja e serbëve që ishin masakrues ndaj tyre në pranverën e këtij viti. Dhe kështu terroristët ranë në çark.  

Por lajmi i keq në këtë mes, është se serbët do të kërkojnë të hakmerren nga ky turpërim në fushën e luftës. Dhe duhet pritur me sy hapur dhe gishtin në këmbëz, lëvizja e tyre e radhës. Jo më kot presidenti Vuçiç, përmendi shumë herë përbetimin: “Mund të na vrasin të gjithëve, por ne Kosovën nuk do e njohim kurrë!”. 

Parabolat me vdekjen serbët i kanë të shpeshta dhe për hir të së vërtetës, serbët dinë të vdesin në luftë! Janë kundërshtarë të denjë për shqiponjat shqiptare, sigurisht, por nga ana tjetër, duke dëgjuar skepticizmin e gazetarëve serbë me presidentin e tyre, kuptojmë se për Kosovën, sot e kësaj dite nuk duan të vdesin më, sepse e kuptojnë që nuk kanë asnjë shans për fitore…’- përfundon Artur Zheji.

SHKARKO APP