Dy sisteme, një botë. Analiza e Joschka Fischerit
Ashtu si Lufta e Ftohtë e shekullit të njëzetë, midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, rivaliteti i ri mes Kinës dhe Perëndimit është një garë mes sistemesh politike themelisht të papajtueshme. Dhe ideja që liria e demokracia do të mbizotërojnë, nuk duhet të merret më si e mirëqenë
BERLIN – Me afrimin e 30-vjetorit të shembjes së Murit të Berlinit, çështja e lirisë është rikthyer në qendër të vëmendjes në Moskë dhe Hong Kong, edhe pse në rrethana shumë të ndryshme historike dhe politike. Ngjarjet po na kujtojnë se epoka moderne është ndërtuar mbi lirinë, si dhe pranimin e idesë që të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë. Kjo ide radikale e Iluminimit, kur hodhi rrënjë, shënoi një ndarje nga gjithë pjesa tjetër e historisë. Por kohët kanë ndryshuar. Në shekullin 21, ne gjendemi përballë një pyetjeje thelbësore: A mundet që një formë e modernizuar e autoritarizmit, të përfaqësojë një alternativë ndaj demokracisë liberale dhe sundimit të ligjit?
Në vitin 1989, përgjigja e vetëkuptueshme ndaj kësaj pyetjeje do të kish qenë jo. JO vetëm në Perëndim, por kudo në botë. Megjithatë, që atëherë jemi bërë dëshmitarë të ringjalljes së nacionalizmit në Evropë, dështimit të Pranverës Arabe, zgjedhjes së Donald Trumpit si president i SHBA, rikthimit të Rusisë në revanshizëm, si dhe shfaqjes së një Kine globale. Tani, të gjithë “bastet” për demokracinë liberale janë anuluar.
Ngjitja e Kinës si superfuqia e dytë ushtarake, ekonomike dhe teknologjike sugjeron që tashmë ka një model alternativ zhvillimi. Në Kinën e sotme, sundimi i ligjit dhe demokracia konsiderohen kërcënim për sundimin njëpartiak. Prandaj, protestat që po zhvillohen për liri dhe llogaridhënie demokratike në Hong Kong, nxjerrin zbuluar një ndarje, jo thjesht mes dy kuadreve normative, por mes dy sistemesh të pushtetit politik.
Për pak kohë, u duk se Kina kishte gjetur një formulë për ndërtimin e një ure. Parimi “një shtet, dy sisteme” supozohej që të mundësonte ri-integrimin e rregullt të Hong Kongut dhe më tej (shpresohej) Taivanit. Nëse kjo formulë tani dështon në Hong Kong, do të ketë një përshkallëzim të menjëhershëm të tensioneve ushtarake përgjatë Ngushticës së Taivanit, për shkak se do të bëhet e pamundur për qevrinë kineze, që të pranojë apo injorojë statusin special të ishullit.
E megjithatë, formula deri tani ka funksionuar vërtet. Hong Kongu është bërë tejet i rëndësishëm për ekonominë kineze, për shkak se ofron qasje në tregjet globale të kapitalit dhe shërben si një portë financiare, për investimet ehuaja direkte. Dhe marrëdhënia me Taivanin, në pjesën më të madhe ka mbetur relativisht e qetë.
Marrëveshja me Hong Kongun funksionoi, për shkak se qeveria në Pekin tregoi një respekt të mjaftueshëm, për statusin gjysmëautonom të qytetit. Por teksa Kina është bërë më e fortë, perceptimi që ajo ka për veten si një superfuqi globale, ka shkaktuar një ndryshim të sjelljes. Autoritetet kineze po ushtrojnë gjithnjë e më shumë ndikim mbi Hong Kongun, duke lënë të kuptohet se duan të shkojnë në drejtimin e “një shtet, një sistem”.
Ligji i propozuar (i pezulluar tashmë) për të lejuar ekstradimin e të arrestuarve në Hong Kong drejt Kinës, u pa gjerësisht si një kërcënim ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit, në ish koloninë britanike. Autoritetet në Pekin e dinë shumë mirë, se kjo përpjekje për të dobësuar autonominë e Hong Kongut – jo operacinet e fshehta nga shërbimet e huaja të zbulimit – janë arsyeja përse miliona njerëz kanë dalë në rrugë të protestojnë.
Duke parë strukturat aktuale të pushtetit në Kinë (dhe Rusi), protestat masive këtë verë në Hong Kong (dhe Moskë) kanë pak ose aspak sukses, në terma kohëshkurtër. Megjithatë, ato janë të rëndësishme, sepse ofrojnë një sprapsje ndaj sëmundjes së demokracisë, që është shfaqur kudo në Perëndim.
Më gjerësisht, ndarja e botës në dy sisteme të sjell menjëherë në mendje kujtimet e Luftës së Ftohtë. Por në atë konflikt, çështja kryesore ishte forca ushtarake – prandaj dhe gara e armatimit bërthamor kishte rol qendror. Kur vinte puna tek standartet e jetesës, blloku sovjetik nuk kishte kurrë, asnjë shans (siç u bë e qartë në të ashtuquajturin Debat në Kuzhinë, mes zëvendës presidentit të atëhershëm Richard Nixon dhe udhëheqësit sovjetik, Nikita Kruschev, në vitin 1959).
Megjithatë, konkurrenca me Kinën do të jetë më shumë për çështjen, se cili prej sistemeve ofron më shumë progres teknologjik dhe material. Ngjita e Kinës, nga një vend ku kish pllakosur varfëria, në një fuqi ekonomike, shtë një prej arritjeve më të mëdha të epokës moderne. Miliona njerëz janë nxjerrë nga varfëria, dhe janë tashmë pjesë e një klase të mesme të orientuar nga konsumi, ndërkohë që miliona të tjerë mund të ndjekin shpejt rrugën e tyre.
Në të njëjtën kohë, edhe pse Kina ka ndërtuar ushtrinë e vet, ajo nuk ka mundur të ushtrojë forcë përtej fqinjëve të vet, ndryshe nga Bashkimi Sovjetik. Kur Kina ndjek interesat e veta strategjike në Afrikë dhe Evropën Lindore, e bën këtë me mjete ekonomike dhe financiare. Influenca e saj globale vjen jo për shkak të ushtrisë, por prej ekonomisë dhe aftësisë në rritje për inovacion të shpejtë teknologjik. Për Perëndimin, “Sfida Kineze” është që të tregojë se për shumicën e njerëzimit, modeli i vet i demokracisë është më i përshtatshëm dhe më i mirë se sa autoritarizmi i stilit perëndimor.
Në këtë kontekst më të gjerë, presidenti i SHBA Donald Trump është një lloj Kali Troje kinez. Ndonëse po bën një luftë agresive tregtare dhe teknologjike kundër Kinës, ai gjithashtu po bën gjithçka që mundet, për të dëmtuar besueshmërinë e modelit perëndimor. Në terma historike, sulmet. E tij ndaj demokracisë do të kenë shumë më tepër pasoja se sa tarifat që vendos. Për t’i përkeqësuar gjërat, Evropa, me dobësitë e saj ekonomike dhe naivitetin gjeopolitik, gjithashtu po dështon në mbrojtjen e modelit perëndimor.
Në këtë fazë, ngritja e Kinës nuk mund të parandalohet. Ky vend është thjesht shumë i madh dhe shumë i fortë për t’u bojkotuar ose frenuar; Sidoqoftë, dëshira e popullit kinez për të qenë pjesëmarrës në prosperitetin global është plotësisht e ligjshme. Perëndimi nuk ka shumë zgjedhje, përveçse të ruajë marrëdhënie të mira me superfuqinë e re, duke mbrojtur njëkohësisht vlerat e tij. Rritja e Kinës – dhe e sistemit kinez – do të krijojë në mënyrë të pashmangshme më shumë konkurrencë, dhe këto rivalitete të reja duhet të trajtohen në mënyrë paqësore me çdo kusht. Një botë me tetë miliardë njerëz nuk mund të përballojë një konflikt global.
Nëse modeli kinez i modernizimit autoritar do të ketë sukses në terma kohëgjatë, kjo është një çështje që u takon brezave të ardhshëm kinezë. Ata që nuk kanë kujtesë të tmerreve të së kaluarës, si Revolucioni Kulturor mund ta shohin modelin kinez thjesht si çështje kursi. Por epoka. Moderne u ndërtua mbi lirinë. Siç e kemi parë gjatë verës së Hong Kongut dhe Moskës, ai mësim nuk do të harrohet së shpejti.
Project Syndicate – Bota.al