Dy standardet e …përgjimeve…
Nga Trashgim Sokolaj –
1 – Në vitin 2017 prokuroria e Shkallës së Parë për Krime të Rënda regjistroi procedim penal ndaj ish-minisrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe më pas kërkoi materialet e dosjes “Habilaj” nga autoritetet italiane…, bazuar në materialet e publikuara nga Meridionevvs të cilat u përkthyen dhe u ritransmetuan nga mediat shqiptare.
2 – Në janar 2020, katër ditë pas publikimit të materialeve që ngrenë dyshime për kryerjen e veprave penale në territorin e Shqipërisë nga shtetas shqiptarë dhe të huaj, ende nuk është deklaruar fillimi i hetimit, por vetëm kërkesa drejtuar palës italiane për dërgimin e akteve.
3- Procedurialisht kërkesa drejtuar autoriteteve italiane duhet të bazohet diku, pra autoriteteve gjyqësore të një vendi tjetër duhet tu tregosh përse po j`ua kërkon materialin dhe për çfarë do ta përdorësh…Zakonisht kjo shpjegohet duke thënë se “prokuroria X ka regjistruar në fazë verifikimi për veprën X procedimin penal nr.X”.
Mbetet të presim e të shohim nëse ka apo nuk ka procedim, dhe nëse ka, është me emër apo pa emër.
Standardet janë të ndryshme, emrat nuk kanë kurrfarë rëndësie. Edhe kohët kanë ndryshuar
Më poshtë, për transparencë, regjistrimi i procedimit penal për ish-ministrin Saimir Tahiri:
“Ne Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arens Çela, Prokurorë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda pasi studiuam aktet e procedimit penal Nr. 134 të vitit 2016,
Konstatuam:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë me iniciativë konform nenit 287 të Kodit të Procedurës Penale ka regjistruar procedimin penal Nr. 313 të vitit 2017 për veprat penale të “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 283/a/28 dhe 333/a të Kodit Penal dhe Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, vepra këto të dyshuara si të kryera nga shtetasi Saimir Tahiri, lindur më 30.10.1979.