”E arrestoi” Borchardt, Ana Azizaj: Turp të kesh

Nga: Ana Azizaj

“Turp të kesh!”-Kjo fjali kaq e shkurtër bëri të ndahej Shqipëria në dy opionione kundër ndërkombëtarëve dhe pro ndërkombëtarëve, kundër qeverisë dhe pro qeverisë. Pavarësisht se parulla nuk është shkruar nga unë, unë e them me plot gojën: Turp të kesh!

Në Shqipëri, mendoj se nuk është momenti të ndahemi në gjysmë; jemi në situatën ku askush nuk do të jetojë më në Shqipëri, jemi në gjendjen ku askush nuk do të shkollohet në Shqipëri, jemi në situatën ku askush nuk beson më në sistemin tonë të drejtësisë, jemi në situatën ku askush s’është më i sigurtë, jemi në situatën ku askush s’e di ç’prodhime ushqimore konsumon më.

Jemi në situatën ku vazhdojnë të duan të na copëtojnë kufijtë, jemi në situatën ku rinia nuk punësohet, jemi në situatën ku profesioni i mjekut është rrënuar, jemi në situatën ku artin mundohen ta zhdukin, jemi në situatën ku duhet të jemi një.

Nuk ka rëndësi qeveria, nuk ka rëndësi flamuri partiak, nuk ka rëndësi mendimi i atyre, që komentojnë anglisht për situatën në Shqipëri. E vërteta është se Shqipëria nuk është mirë.

Nuk ka rëndësi reforma, që ndërmerret kur vazhdon i shërben Rilindjes; nuk ka rëndësi “Vetting”-u kur i shërben Rilindjes; nuk kanë më rëndësi fotot dhe videot 3D për të menduar që Shqipëria është mirë, nuk kanë më rëndësi batutat e Kryeministrit. Rëndësia në këtë moment është Shqipëria.

Çdo qeveri duhet t’i trembet popullit të saj. Ndaj, unë zgjedh të mos hesht; unë zgjedh të protestoj. Shqipëria është e shqiptarëve, ndaj po vazhdoj e po them: Turp të keni për situatën që jemi!

SHKARKO APP