E diela ”e shenjtit”!

Nga Aladin Stafa

Nëse në të gjithë botën e zhvilluar dita e diel jetohet qetë si një “ditë paqeje“, në Shqipërinë tonë të vogël kjo ditë kalendarike nuk e njeh këtë frymëmarrje. Ndërsa sjell ndërmend paqen, nuk nënkuptoj këtu atë çfarë literalisht ka ajo në domethënien e saj, por pushimin si diçka thelbësore e të domosdoshme për njeriun. Jo vetëm për t‘u çlodhur nga ngarkesa e javës si nevojë fiziologjike, por thellësisht e psikologjikisht për t’u ndalur, për të reflektuar e zhvilluar veten. Një kohë cilësore e munguar kulturalisht në vendin tonë.

Ajo që ndodhi në Durrës tronditi, jo pak të madh e të vogël, një çmenduri tej limiteve edhe të anormales për një botë të vitit 2026. Një tragjedi e rëndë për dy jetë që as shprehja se rrugëtimi ju ndërpre në gjysmë nuk zë vend të vegjlit as nuk e kishin nisur! Ndërsa tjetri po lufton ende jo vetëm për veten e tij, por edhe për dy shokët e tjerë. Ja që kështu ndodhi! Të luash para shtëpisë tënde, prej një aktiviteti normal, kthehet papritur në një rrezik fatal. Ky është realiteti; një makinë me një shofer të dehur dhe përballë një sistem që nuk arriti dot ta parandalojë atë që gjithkush e quajti si “të paralajmëruar“.

Swiss Digital Desktop Reklama

Leximi gazetaresk do ta reduktonte ngjarjen në fakte, duke e banalizuar me pyetjet kush, kur, si dhe ku. Por pyetja më thelbësore që duhet të ngrihet është “pse?“ Sepse tek ne ka marrë jetë fenomeni. Dhe është fenomeni që e prodhon atë. Në një shoqëri me problematika të shumta sociale asgjë nuk ndodh rastësisht. Ajo fillon e konsumohet ngadalë deri në bjerrjen e vetes. Mungesa e besimit tek institucionet, mediokriteti i përhapur ndjeshëm në çdo strukturë, drejtësia selektive, niveli i ulët arsimor dhe meritokracia e munguar sjell padyshim një klimë frustrimi. Një frustrim që, ndonëse mund të mos jetë tërësisht i artikuluar, është i pranishëm në përditshmëri nëpërmjet gjuhës, sjelljes arrogante dhe mënyrës si njerëzit e shohin njëri-tjetrin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në këtë kuptim, çdo masakër e tillë nuk është vetëm dështim individual, por një simptomë kolektive, që në atë zinxhirin e përgjithshëm të mirë-funksionimit, hallkat duken se çalojnë. Për të mos thënë që më së shumti mungojnë fare. Një shoqëri që nuk arrin të kanalizojë energjinë e saj në mënyrë konstruktive, do ta shpërthejë atë në rrethana destruktive. Ky është mjedisi ynë shqiptar, një mjedis që nuk e ka sensin e arsyeshëm, se liria e njërit mbaron aty ku fillon e drejta e tjetrit. Është pikërisht kjo shoqëri kaotike që zgjidhje kërkon pa u munduar të kuptojë se duhet të ndryshojë.

Një tjetër dimension i saj është normalizimi i kaosit, i shkatërrimit, i mjerimit, i varfërimit apo dhe i dehumanizimit. Kur ngjarje të tilla për vite me radhë fillojnë të duken të “zakonshme“, kur të tilla masakra kalojnë me zhurmën e madhe mediatike brenda tri ditëve, kur lajmi “mbyt“ lajmin, atëherë jemi në një fazë akoma më të rrezikshme: quhet indiferenca. Kjo e fundit, bashkë me harresën si një nga aftësitë tona më “fantastike”, përbëjnë terrenin më pjellor të përsëritjes së të njëjtës histori, duke mos mundur kësisoj të mësojë nga e kaluara.

Pyetja që ngrihet në këto raste është: kur tragjedi të tilla përsëriten, a është ky një aksident apo një fenomen? Kjo lidhet me atë se si ne e konceptojmë shoqërinë tonë. Nëse është një bashkësi individësh me përgjegjësi të përbashkëta apo një hapësirë ku secili përpiqet të mbijetojë më vete? Fëmijët nuk ndërruan jetë vetëm nga përplasja prej një makine. Por para së gjithash, prej rënies së vlerës që ka jeta në këtë vend, normalizimit të rrezikut, indiferencës graduale tek çdo hallkë e sistemit që përshkallëzohet dita-ditës apo dhe heshtjes para shkeljes së ligjit, kur ‘kacakë‘ të tillë e sfidojnë. Durrësi nuk ishte rastësi. Ishte pasqyrë, qoftë edhe një sinjal apo thirrje, se sa jetë të tjera i duhen shoqërisë tonë për vendosjen e rregullit dhe ndërgjegjësimin. Sepse e sigurt është se më e madhe do të jetë tragjedia, nëse ajo që ndodhi dje do të mund të përsëritet nesër.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?