E dogjën Shëngjinin që turistët të ikin në Jug?!
Nga Redjon Shtylla
Është dora e natyrës, apo e njeriut ajo që shkaktoi katastrofën në Shëngjin, me mijëra pisha të djegura, çadra të biznese të bëra hi dhe me biznese që tashmë janë bosh, pasi pushuesit dhe turistët ikën me vrap nga paniku kur panë flakët e frikshme përpara fytyrës. Videot që kanë pushuar rrjetin, ku shihen flakët e forta që djegin pisha dhe rrethojnë resortet apo edhe banesat, si dhe zjarrëfikësit që u gjendën me mjete rrethanore për të shuar flakët, të bën të mendosh dy herë se i kujt është faji.
Eksperti i sigurisë Faik Basha, thotë se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Ai tha se situata mund të ishte menaxhuar më mirë pasi në fillim vatrat kanë qenë shumë më të vogla. ”Kjo situatë e rëndë është dashur ditë që të sjellë tragjedinë që pamë dje. Situata është shkaktuar nga dora e njeriut e për mendimin tim ka qenë me arsyen për të liruar hapësira që të fillojnë ndërtime. Se aty është zona më strategjike për të ndërtuar, ajo kodra mbi port ka një pamje spektakolare e duke qenë e pyllëzuar marrja e lejes do ishte shumë e vështirë”, tha eksperti Basha.
Flakët vijojnë në Shëngjin, me disa vatra të vogla në pyje që nuk janë shuar ende. Aeroplanët ujëmbajtës fluturojnë mbi plazhe në mënyrë që të mbledhin ujë nga deti për të mundësuar shuarjen e plotë të tyre. Gjithsesi, situata më e vështirë duket se ka kaluar, teksa aeroplanët po mundohen të mbajnë nën kontroll dhe vatrat e vogla, për të shmangur një rrezik tjetër të mundshëm. Sigurisht që kjo situatë për ata pushues që janë ende në Shëngjin, nuk është e bukur, por e trishtë.
Shëngjini është një nga pikat më të populluara në muajt e verës dhe që preferohen nga familjet për të bërë aty pushimet verore, dhe situata është e nxehtë në një kohë që Jugu po digjet nga çmimet e larta. Rritja e çmimeve në hoteleri dhe shërbime, kryesisht në zonën bregdetare të Jugut të vendit gjatë këtij sezoni veror, është ngritur si shqetësim edhe nga kryeministri Edi Rama.
Pavarësisht se pranoi që qeveria nuk mund t’i imponojë çmimet operatorëve turistikë, gjatë takimit me 61 kryebashkiakët e vendit, Rama i këshilloi bizneset në Jug që të ndalin rritjen e palogjikshme të çmimeve. Sipas kreut të ekzekutivit ajo që po ndodh në plazhet e rivierës shqiptare është një vetëvrasje në terma ekonomikë, pasojat e së cilës do të ndihen më shumë në sezonet e ardhshme turistike.
Edhe deklarata e fundit e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm që zjarret nuk kanë si shkaktarë dorën e njeriut, të vë përpara pikëpyetjes sesa shpejt u qartësua nga Policia, që nuk kemi të bëjmë me zjarrëvënie të qëllimshme. Deklarata e Ballës ishte për të mbyllur shpejt e shpejt këtë dyshim, por që pritet të shihet në ditët në vijim, sepse sot Shëngini është në panik dhe pothuajse me pak pushues. Nëse jugu popullohet, ndonëse me çmime të larta, atëherë dora e njeriut dogji Shëngjinin në pikun e sezonit.