E kemi parti-zuar, klan-uar e degraduar potencialin e shqiptarëve
Nga: Grida Duma
Pak na ndan nga viti tjetër. Nata e ndërrimit të viteve festohet më shumë se gjithçka mes nesh. Numërimi i kohës në një minutë më shumë pas orës dymbëdhjetë është një moment reflektimi, me ndjesitë që na kaplojnë të gjitha bashkë. Shumëkush i thërret kujtesës për atë përjetoi në vitin që la pas, për mirë, apo për keq. Është njerëzore kujtesa që ndalon në çastet që na kanë shenjuar me mundime; është njerëzor reflektimi i thellë për vështirësitë që kapërcyem pas në minutat e para të kalimit në vitin tjetër.
Tingulli i kohës që kalon është një mekanizëm relektimi mbi rrugën që bëjmë. Viti i ri festohet në mënyra, kohë dhe vende të ndryshme. Trajektorja bashkuese e Vitit të Ri në të gjithë botën, kurdo dhe kudo të festohet, është reflektimi mbi atë që kaluam, përkundrejt asaj që vjen. Shumëçka na la gjurmë gjatë vitin 2019. Përpjekjet dhe lodhja janë në vetvete të nevojshme. Rezultantja e tyre quhet progres, kur ndodh. Regres, nëse mungon. Uroj që sa më të shumtë të jenë shqiptarët që e përcjellin këtë vit duke i vjelë suksesin. Sa u përket përpjekjeve të Shqipërisë dhe Kosovës, progresi është larg nga ajo që mundemi të arrijmë; le ta përmbledhim kështu –ende larg potencialit.
“Nuk duhet politizuar” urimi i vitit të ri – kjo është një shprehje që e dëgjon rëndom: mos e politizoni, këtë dhe atë. Kërkesë e arsyeshme dhe e drejtë. Kështu duhej të ishte realiteti nëse jeta e përditshme e shqiptarëve mos ishte shumëfish e politizuar dhe e varur nga ky politizim. Vendi ynë është i vogël, tranzicioni i gjatë, prodhimi vendas i papërfillshëm, menaxhimi i burimeve – amator. Kjo është kujtesë për çdo përpjekje tonën. E mira do të ishte mos të parti-zohej realiteti, por të politizohej. Reflektimi në kohë na tregon që nuk e kemi politizuar, por parti-zuar, klan-uar e degraduar potencialin e shqiptarëve.
Kësisoj, qindra-mijëra prej nesh e nisin matjen e kohës duke numëruar mbrapshtt drejt emigrimit. Mos të harrojmë as motrat dhe vëllezërit tanë që këtë Vit të Ri e nisin thuajse nga kuota zero pas rrafshimit të tërmetit, që para të gjithëve dhe gjithçkaje goditi më të varfrit, më të skamurit, më të pambrojturit mes nesh.
Aspak nuk do duhej në këto momente të tejzgjateshim në reflektime mbi atë që nuk bëmë dot, apo qoftë edhe mbi arsyet e dështimeve. Por i detyrohemi vetes, i detyrohemi vendit, të reflektojmë me seriozitet mbi çfarë mund të ndërtojmë, e çfarë mund të shpëtojmë mes rrënimit të tij. Të gjithë popujt e kanë pasur sagën e tyre të përpjekjeve dhe mundimeve, të gjitha jetët njerëzore ndryjnë në vetvete histori të pafundme përpjekjesh e mundimesh, por të gjitha arritjet kanë emërues të përbashkët – aftësinë për të ndërtuar prej nga aty ku je.
Arritjet na mësojnë se është e kotë të ndalesh tek akuzat, tek justifikimet, tek shfryrjet, tek dorëzimi ndaj pamundësive që të rrethojnë. Ngritja fillon nëse i shohim qartë mundësitë. Ato janë kudo, kanë ekzistuar gjithmonë, në kohëra të errëta, dhe akoma më të errëta. Uroj që gjithçka dëshirojmë për vitin që vjen ti vlejë ringritjes – të vendit, familjes, vetvetes. Nga këtu ku jemi, kudo të ndodhemi, cilado qofshin vështirësitë, na duhet ti drejtohemi një viti tjetër për një nisje të mbarë sa me shumë forcë të brendshme. Qofshin mendimet tuaja me shkëlqimin dhe vlerën e duhur, teksa hidhemi në vitin e ri 2020.