E majta e bashkuar fiton gjithmonë bindshëm

Nga Ilir Meta

(Fjala përshëndetëse e kreut të  LSI në  Kongresin e PS)

Përshëndetje të gjithëve! I dashur Edi! Të dashur delegate dhe delegatë të Kongresit të Partisë Socialiste! Të nderuar të ftuar!

Në fakt regjia më perfekte do të ishte që në vendin tim fjalën ta merrte Gianni De Biasi, pas të gjithë përfaqësuesve të nderuar nga Italia që iu drejtuan Kongresit tuaj. Nuk mendoj se do të ishte vetëm për relaks, por edhe për të demonstruar një arritje të rëndësishme të vendit tonë gjatë këtyre viteve, në kuadër edhe të integrimit evropian. Kualifikimi i Shqipërisë për në Kampionatin Evropian në Francë. Gjë që ndodh për herë të parë dhe që i ka dhënë dhe do ti japë një imazh të ri vendit tonë në mbarë kontinentin, por edhe botën.

Dhe meqenëse që jemi tek miqtë e nderuar, vendosa të ndryshoj fjalimin tim pasi dëgjova kryetarin e socialistëve evropianë, z. Gianni Pittella, sepse m’u kujtua pikërisht tre vjet më parë kur edhe me nxitjen e tij, dhe të shumë socialistëve evropianë, besoj që realizuam një vullnet të gjithë socialistëve shqiptarë, krijimin e Aleancës për Shqipërinë Evropiane.

Këto tre vjet kjo aleancë ka arritur dy fitore mjaft bindëse në zgjedhjet parlamentare dhe ato, duke rikonfirmuar një të vërtetë të thjeshtë, por edhe historike, se kur e majta është e bashkuar në Shqipëri, ajo fiton gjithmonë bindshëm.

Natyrisht që kaq nuk mjafton, sepse fitorja nuk është një qëllim në vetvete. Prandaj jam i bindur se ju keni mjaft arsye për të qenë krenar sot, për mjaft arritje të shënuara gjatë këtyre tre viteve, të cilat kanë bërë të mundur që vendi të pësojë ndryshime të rëndësishme, që vendi të evitonte një kolaps mjaft të rrezikshëm financiar dhe ekonomik dhe të hynte në rrugën e ringritjes.

Ishin këto reforma që u zhvilluan në kushte mjaft të vështira, në fushën e ekonomisë, energjisë, të sigurisë, të shërbimeve publike, të administratës publike, të cilat bënë të mundur që vendi të meritonte Statusin e Vendit Kandidat për në Bashkimin Europian.

Mjaft prej këtyre reformave janë në vazhdim dhe është e rëndësishme që ato të ndiqen me të njëjtin përkushtim ashtu sikurse kanë filluar, në mënyrë që të japin frytet tyre në interes të të gjithë qytetarëve tanë dhe të ardhmes evropiane të vendit.

Sot jemi në momentin më të rëndësishëm për finalizimin e kryereformës, asaj në drejtësi. Është momenti më i rëndësishëm për të garantuar dhe të gjithë reformat e tjera që janë bërë dhe që do të vijojnë të bëhen në të gjithë fushat e tjera.

Prandaj, unë besoj se duke realizuar këtë reformë, dhe duke miratuar paketën kushtetuese për Reformën në Drejtësi në javët e ardhshme, ne do të japim një mesazh shumë të rëndësishëm për gjithë qytetarët tanë. Do të japim një mesazh shumë të rëndësishëm për të gjithë partnerët tanë. Mesazhin e forcimit të shtetit ligjor në vendin tonë, në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shërbimin e shpejtë ndaj qytetarëve tanë, por njëkohësisht edhe me rritjen e besimit të investitorëve vendas dhe të huaj te ekonomia jonë, në mënyrë që ritmet e rritjes të jenë edhe më të larta, në mënyrë që të kemi mundësi të hapim akoma më shumë vende pune, në mënyrë që të kemi mundësi që ta luftojmë më me sukses varfërinë, në mënyrë që të garantojmë një drejtësi sociali për të gjithë qytetarët tanë anembanë vendit.

Ne realizuam me shumë sukses reformën administrative-territoriale dhe besoj se tani është momenti që të gjithë të zgjedhurit të tregojnë përkushtimin e tyre në rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve tanë anembanë vendit.

Dhe meqenëse jemi në një moment mjaft të rëndësishëm reformash, kemi përpara edhe reformën zgjedhore, e cila duhet të japë një hov tjetër cilësor për zgjedhjet në vendin tonë, të cilat nuk duhet të jenë më thjeshtë më të mirë se sa ato që kaluan, por duhet të jenë zgjedhje të standardeve më të larta evropiane.

Ju dhe të gjithë ne kemi arsye për t’u krenuar si socialistë dhe si Aleancë për Shqipërinë Europiane, sepse për herë të parë në zgjedhjet e fundit vendore garantuan barazi të plotë gjinore të të zgjedhurve në këshillat bashkiake. Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm dhe modernizues për shoqërinë tonë, që besoj se duhet ndjekur edhe gjatë realizimit të reformës zgjedhore. Sepse shikoj këtu mjaft zonja, shikoj këtu mjaft vajza, dhe besoj se ashtu sikurse e kemi edhe në qeveri më shumë se asnjëherë tjetër, në parlamentin e ardhshëm mundësisht të kemi siç kemi sot në Bashkinë e Tiranës, pra në Këshillin Bashkiak. Sepse ne besojmë jo thjeshtë te barazia gjinore, por besojmë tek fuqia e gruas dhe e vajzës shqiptare, besojmë se kjo fuqi duhet të jetë e plotë në vendimmarrjet më të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit tonë.

Dhe së fundi, të gjithë miqtë tanë të nderuar përmendën kohën e vështirë që po kalon Europa, pjesë e të cilës jemi edhe ne. Natyrisht që kjo vetëm rrit përgjegjësitë tona për të forcuar stabilitetin e vendit, për të rritur edhe më tej rolin konstruktiv të Shqipërisë për stabilitetin e rajonit tonë, për të bashkëpunuar me të gjithë vendit e rajonit, pasi sot konkurrenca më shumë është midis rajoneve se sa midis fqinjëve dhe ekonomitë tona janë komplementare përballë këtyre fenomeneve të reja të globalizimit.

Në këtë drejtim unë jam i bindur se ne kemi shumë për të bërë më tej, për të rritur bashkëpunimin, për të diskutuar me përgjegjësi të gjitha sfidat që e presin vendin, jo thjeshtë për 2017-n, por edhe për më tej, sepse vetëm vizionet largpamëse do të na ndihmojnë që të investojmë në mënyrë racionale dhe të mençur energjitë e të gjithë shqiptarëve.

Faleminderit dhe urime dhe suksese kongresit të Partisë Socialiste!

SHKARKO APP