E majta nga Luigj Gurakuqi te dhëndri i Qazimit
“Sado e shfrenuar të jetë fantazia e kam të pamundur të imagjinoj nëse Rama bisedon me ata për Brakun apo Kandinskin kur shijojnë bashkë ndonjë verë të mirë. Sado makiavelist që të jesh nuk arrij ta imagjinoj si mund të bjerret kaq poshtë higjiena intelektuale duke zhdukur çdo kordon sanitar estetik”…
Nga Ilir Babaramo
Linçimi i Blushit nga një turmë e ndërsyer ështe fotografia më e qartë se çfarë po ndodh në Partinë Socialiste. Në kohën kur banda e dhëndrit të Qazimit i turrej një pinjolli të Shuteriqëve mu kujtua se qyteti i Elbasanit e ka të lidhur emrin me një nga shqiptarët më të rëndësishëm të të gjitha kohërave, Luigj Gurakuqin.Gurakuqi ka një biografi të ndritur , firmëtar i aktit të pavarësisë, ministër i shkëlyqer i financave, bashkëpunëtori më i afërt i Nolit , krijues i të majtës shqiptare , e kështu me rradhë e kështu pa fund.
Por vepra e tij më e rëndësishme e këtij rilindasi mbetet themelimi i Shkollës Normale të Elbasanit. Kjo është një nga arsyet përse Elbasani përbën një test për të kuptuar Rilindjen e Ramës. Përgjigjia e pyetjes : Kush janë mbështetësit e Ramës në këtë qytet na bën të kuptojmë shumë gjëra. Mund të konsiderohet një lidhje kaotike e fakteve , por thelbi mbetet i njëjtë : 100 vjet më parë e majta shqiptare krijohej nga njerëz të penës kur pushka ishte i vetmi mjet politik .
Nuk e di nëse Rama ka mundur ta shikojë një foto të Fishtës, Mjedës e Gurakuqit kur ngjit shkallët për të shkuar çdo të mërkurë në zyrën e Metës. Këta tre rilindas kanë dalë në një foto të përbashkët si deputetë të Qarkut Shkodër – Lezhë.Nuk e di nëse kjo foto i krijon ndonjë asosacion me tre deputetët rilindas të tij që bëjnë shuttle nga qelia në sallën e Parlamentit. Tetë muaj më parë i kërkova tek 5 pyetjet përse kishte zgjedhur njerëz të tillë dhe mu përgjigj se jo të gjithë deputetët duhet të jenë akademikë, se të zgjedhurit përfaqësojnë karakteristikat e zonës ku kandidojnë.
E kam të pamundur të besoj se zona që një shekull më parë , ndonëse totalisht analfabete , si gjithë Shqipëria, të zgjidhte njerëz të tillë të ndritur , ndërsa 100 vjet më pas të përfaqësohet nga proksenetë, vrasës dhe skifterë vilash në Itali.Një gjë është e sigurt: ligji elektoral i para 100 viteve ishte krejt tjetër. Deputetët nuk i caktonte kryetari i partisë. Një kryetar partie gjykohet dhe nga kush rrethohet. Ca më tepër kur elitat politike nuk zgjidhen por emërohen.
Sado e shfrenuar të jetë fantazia e kam të pamundur të imagjinoj nëse Rama bisedon me ata për Brakun apo Kandinskin kur shijojnë bashkë ndonjë verë të mirë. Sado makiavelist që të jesh nuk arrij ta imagjinoj si mund të bjerret kaq poshtë higjiena intelektuale duke zhdukur çdo kordon sanitar estetik.
Ajo skenë e turpshme që pamë dje në Elbasan na bëri të kuptojmë se partia socialiste po shkon në kongres të zgjedhë mes dy modeleve : Blushit ose dhëndrit të Qazimit. Rama është ende në kohë ti japë fund kësaj dileme. Nuk ka përse të fshihet pas një njeriu që të vetmin identitet ka : dhëndri i Lalës,i cili hyn e del në komisariat për armëmbajtje pa leje. Ky nuk është Rama i 13 viteve më parë, kur me një xhaketë ushtarake si të Beqir Ballukut i ra kryq e tërthor vendit duke sfiduar një bjerrakohës si Fatos Nano. Rama është ende në kohë . Mund ta fitojë sfidën me Blushin jo duke u fshehur pas Lalës apo dhëndrit të Lalës. Bëhet më i fortë pas një garë të ndershme. Ndryshe ai bashkë me PS humbasin kur qytetarët e Elbasanit të shikojnë se si e Majta e tyre identifikohej 100 vite më parë nga Gurakuqi dhe sot nga dhëndri i Qazimit.
Shqiptarja.com