E megjithatë fitoi sërish Gruevski dhe Ahmeti
Megjithatë larg të tjerave, Maqedonia na tregoi në Ballkan se bëri votime me standarde më të larta se ne, por edhe se arriti dhe i dha rezultatet shumë më shpejt se ne.
Nga Ben Andoni
Përkundrejt çfarë mund të përcjellin në Maqedoni për përshtypjet e shqiptarëve të Shqipërisë, fakti është se pakkush tek ne është i interesuar për ngjarjet atje. Kjo shikohet lehtë nga mbështetja e subjekteve dhe individëve që ka bërë Tirana zyrtare në vitet e fundit, por më shumë se kaq përfaqësimin e saj. Shqipërisë jo vetëm si duhet, por po kaq interes ndoshta pak më shumë prej konjukturave, ka edhe për Kosovën. Prandaj zgjedhjet në Maqedoni, ashtu si ato në Mal të Zi, nuk krijuan ndonjë habi në Tiranë.
Duke ditur se njerëzit e thjeshtë kanë antena perceptimi të tjerë, kupton sepse shqiptarët e atjeshëm ia blatuan opozitës së majtë të Zoran Zaevit një përqindje bajagi votash që vërtetë ishte trandje për Maqedoninë. Por, për Shqipërinë, lajmi për rezultatet e zgjedhjeve në Maqedoni, pothuaj është fashitur fare sapo ka filluar të bëjë lajm.
Por, lajmi është i hidhur realisht në kontekst ballkanik për vetë Maqedoninë pasi sërish Gruevski mori votat më të shumta, bashkë me patetikun Ali Ahmeti nga radhët e shqiptarëve. Ky është vërtetë lajmi sesi njeriu, qeveria e të cilit përgjoi pothuaj 20 mijë qytetarë dhe kryetari që u akuzua masivisht që nga tenderat, dhuna e ushtruar ndaj qytetarëve, ishte sërish i pari!
Ashtu si me BDI-në e shqiptarëve, një parti e etiketuar si parti e të fortëve por edhe e manipulimeve të shumta, aktivitetet e të cilës shpesh në muajt e fundit dukeshin si shfaqje West-i. Kjo është partia shqiptare, që mbart trashëgiminë e UÇK-së, por që sot i mvishet ajo që rrjedh nga ngjarjet tragjike të Kumanovës, apo skandalet e shumta, ku nuk mbetet pa ndërhyrë edhe politika e sharlatanëve të ndryshëm nga gjithë trevat shqiptare.
Shqetësimi tjetër ose risia është sesi masa e elektoratit sidomos në Shkup dhe në Kumanovë e rrethinat i besuan Lëvizjes BESA, një parti krejt e re, me aq përkushtim ndaj fesë, familjes dhe vlerave konservatore, një trend që ka nevojë për komente të gjata. Sa për partinë e Arbën Xhaferrit, këto zgjedhje i dhanë dërrmën e pritur, pasi ka qenë e përçarë në dy grupe: PDSH e Menduh Thaçit dhe Aleanca për shqiptarët e Zijadin Selës, ku të dyja bashkë mezi i kapën 6 për qind.
Megjithatë larg të tjerave, Maqedonia na tregoi në Ballkan se bëri votime me standarde më të larta se ne, por edhe se arriti dhe i dha rezultatet shumë më shpejt se ne.
Në fund, pavarësisht se ende nuk dihet konfigurimi i qeverisë së re, problemi më i madh dhe lajmi i vërtetë duket se mbetet te ajo sesi militantët, apo të shumëpërfolurit për të keq arrijnë të fitojnë sërish, madje edhe atje ku pushteti ka bërë ato që ka bërë në Maqedoni. (Javanews)