E myti, e myti, Rama grekun !
Ky qe Edi Rama në intervistën për televizionin grek « Skai ». Dhe deri këtu ai e përligji entuziazmin e fansave të tij, zemërimin e atyre emigrantëve kokulur që bëjnë punë të dorës së tretë në Greqi, madje dhe krenarinë e atyre që duan ti shikojnë liderët e këtij vendi, të flasin pa komplekse përballë fqinjëve
Nga Andi Bushati.
Nuk besoj se Edi Rama ka marë ndonjëherë më shumë fjalë pozitive, në faqen e tij në Facebook, se sa gjatë transmetimit live që po i bëhej, aty, intervistës së tij me gazetarin grek, Alexis Papahelas. « E ke myt », « respekte », « bravo », « më në fund e tha dikush të vërtetën », ishin komentet e fansave që e ndiqnin.
Dhe duhet pohuar pa droje dhe pa kompleks se një pjesë e tyre ishin të merituara.
Të tregosh për një grua në ditët e fundit të jetës së saj, që nuk arrin dot të shkelë në truallin e shtëpisë ku u lind, thjeshtë se është çame; të rrëfesh për kampionë sportivë shqiptarë që u detyruan të ndryshojnë emrat vetëm për të vazhduar karierën në vendin fqinjë; të pohosh se ndaj greqishtfolësve nuk ka asnjë diskriminim në Himarë; të lartësosh shembuj që tregojnë fatin e përbashkët të dy popujve, nuk ke thënë asgjë më shumë se e vërteta.
Të dish, të bësh humor me fosilet që mbrojnë ende ëndërat e çmendura të megalidesë dhe të pohosh se vetëm i përqesh ata që luftojnë për Vorio-Epirin, do të thotë të simbolizish pjesën më kozmoploite dhe më moderne të shoqërisë sonë.
Ky qe Edi Rama në intervistën për televizionin grek « Skai ». Dhe deri këtu ai e përligji entuziazmin e fansave të tij, zemërimin e atyre emigrantëve kokulur që bëjnë punë të dorës së tretë në Greqi, madje dhe krenarinë e atyre që duan ti shikojnë liderët e këtij vendi, të flasin pa komplekse përballë fqinjëve.
Ata të gjithë u kënaqën.
Por për fatin e tyre të keq, ata nuk panë Ramën e vërtetë. Ata të gjithë edhe njëherë më shumë, ranë viktimë e një profili fallco që kryeministri shqiptar po krijon për veten.
Ky profil është fryt i një strategjie të qartë. Ai fuksionon thjeshtë: Rama është i pari që provokon me deklarata në kufij të të qenit politikisht korrekt, demonët më ekstremë të nacionalizmit, symbylltësisë, fanatizmit dhe budallallëkut që gëlon ende me shumicë në gadishullin tonë.
Ai e di se nuk është e vështirë ta yshtësh këtë luzmë.
Prandaj e stimulon dhe e nxit përplasjen me të. E lë pastaj disa kohë të vazhdojë debati publik. Dhe vetëm pasi absurditeti shkon në kufijtë më ekstremë, del vetë në arenë për të ngadhënjyer kundrejt tij.
Të njëjtën taktikë, ai, ndoqi pak kohë më parë me leshkot e sinqertë të identitetit Kosovar.
Po të njëjtën metodë përdori edhe për të ringjallur në Beograd, fosilet që mendojnë me trutë e Milosheviçit.
Këtë rrugë vazhdoi edhe të martën në mbrëmje në intervistën për “Skai”. Ai e vuri gazetarin grek, Papahelas, në pozicionin e vështirë të atij që duhet ta përballte me paranojat më qesharake që gëlojnë në Athinë.
Për të kuptuar se sa rëndë ra në kurth intervistuesi grek, mjafton ta karahasosh intervistën e tij me një të singjashme, që i bëri Ramës gazetari profesionist i Deuthche Welle, Tim Sebastaian (shiko videon poshte).
Shumëkush, me siguri, e mban mend turpërimin që Rama pësoi një vit më parë në emisionin e tij “Conflict Zone”. Edhe aty, kryeministri shqiptar tentoi ta luajë kartën e kozmopolitit në raport me serbët. Por përgjigjja që mori ishte e prerë. “Ju e bëni qëllimisht këtë, sepse ju e dini se cilët butona duhen shtypur për të provokuar serbët” i tha Sebastian.
Dhe pasi i’a preu shkurt këtë hov prej intelektuali të pavarur, ai e pyeti rreptësisht, për lidhjet me krimin e organizuar, për korrupsionin me lejet e ndërtimit dhe për blerjen e votës.
Të gjithë e mbajnë mend se si u kap Rama gafil, kur Sebastian e vuri përpara faktit të kryer, nëse kish gënjyer shqiptarët dje, kur fliste për Ilir Metën, apo po i gënjente sot, kur e mbante në bashkëqëverise.
Ajo e Tim Sebastian, po që qe një intervistë prej gazetari race. Që nuk e trajtoi qytetarin Edi Rama, si një artist që ka bindjet e tij, por politikanin kryeministër, si një burrë që është përgjegjës për aktet e tij.
Homologu i tij grek e humbi këtë shans.
Ai bëri gafën që e trajtoi Edi Ramën, fiks ashtu siç e kërkonte ai: nga optika e fanatikëve dhe nacionalistëve të vjetëruar grekë. E në këtë balafaqim, ashtu si çdo shqiptar me një kulturë dhe formim mesatar, i pa mbushur me urrejtje raciste dhe i pa ushqyer me ksenofobi ,Rama do shkëlqente.
Sepse ai nuk e kishte vështirë të dukej superior përpara mufkave që vazhdojnë të propogandojnë ekstremistët anti shqiptarë. Prandaj ai u tall me ta, i përqeshi, i poshtëroi, i mundi, duke nxitur entuziazmin dhe ngadhënjimin e atyre që shpërthyen në Facebook me shprehjet: “E myti, e myti, Rama grekun”.
Por, fatkeqësisht i gjithë ky entuziazëm ishte iluzor.
Sepse ajo që ndodhi të martën në “Skay” nuk qe fitorja e kryeministrit real të shqiptarëve (atij që duhet ti përgjigjet pyetjeve të Tim Sebastian), por ajo e sozisë që vetë Rama ka krijuar, për të gënjyer perëndimin. (Lapsi.al)