E para fushatë pa gazetarë…

 

Nga Lutfi Dervishi

“Sapo ulem mbaroj kronikën, dhe ngre kokën lart shoh lajmet tek televizoni tjetër dhe ata kanë bërë lajmin tim”. Si është e mundur  që dikush të bëj saktësisht të njëjtin lajm, aq më tepër me zë dhe figurë?

Si është e mundur që “lajmet” nga një stacion tek tjetri ngjajnë me “delet që i qeth një bari”?  Fushata që po mbyllet është fushata e parë që shënon edhe një risi në marrëdhëniet media- politikë. Politika nuk ka më nevojë për gazetarë. Ajo raporton vetë. Gazetarëve u mbërrijnë emaile: “Plane dhe sinkrone” nga takimi i X… dhe një link ku është materiali video me “wetransfer…. Në rastin më të mirë, reporterë me përvojë, ulen para kompjuterit, marrin tekstin dhe përpiqen të zgjedhin “sinkrone”, por në të shumtën e rasteve, partitë i kanë bërë gati kronikat dhe televizionet e kthyera në videoteka u mbetet vetëm të transmetojnë.

Një kronikë tipike fushate është kandidati/kryetari partisë më një mikrofon “anonim” në dorë,  sfondi i zgjedhur për efekt televiziv, planet përgjithësisht me “kran” dhe lente që të duket sikur ka mijëra e mijëra njerëz që po ndjekin takimin. Edhe pse “shfleton” 5 stacione lajmesh 24 orë, apo edhe televizionet kryesore , shikon të njëjtat pamje filmike, dëgjon të njëjtat sinkrone dhe meraku i vetëm është: “ballanca e kohës televizive”?!

Ka një abuzim ekstrem me nenin e kodit zgjedhor që “I detyron” televizionet të marrin materiale nga kandidatët. Të paktën aty thuhet se kur materialet serviren, kjo duhet bërë e qartë për shikuesin. Ajo çfarë ndodh praktikisht është një HIPOKRIZI! Mes qindra kronikave të transmetuara nuk ka asnjë e cila të ketë të shënuar se video është e PS/LSI/PD/PDIU etj../

Publiku as që e ka idenë se partitë kanë filluar të raportojnë për vetveten. Edhe në raportimet live… është e njëjta histori: cdo gjë e kontrolluar dhe e kuruar deri në detaj.

Një nga arsyet që mungojnë debatet televizive është dhe mungesa totale e kontrollit mbi atë çfarë mund të prodhojë debati. Frika se nga ballafaqimi mund të dalin gjëra të pakëndshme.

E  vërteta lakuriqe është se nuk ka gazetarë në aktivitetet e fushatës. Media nuk raporton- është thjesht rrip transmisioni.

Një gazetar veteran nga Korça, nga më të mirët që kam njohur, nga ato gazetarë që raporton me klas si për gazetë, ashtu edhe për radio e televizion, si për çështje të sportit ashtu edhe për makinacione të holla të politikës, si për çështje të komplikuara në gjykatë, ashtu edhe për tema sociale të mprehta- më thoshte me sinqeritet se “ka më shumë frikë kur raporton për fushatën sesa për një krim të rëndë apo aferë korruptive.

Edhe në ato raste kur gazetarët lokalë shkojnë të ndjekin aktivitetin, përzihen me mirësjellje duke u premtuar se “materialin do t’ua dërgojmë pa vonesë”. Në mungesë të gazetarëve nuk është çudi që në fushatën e zgjedhjeve lokale të dëgjosh premtime të tipit: “do të rikthejmë krenarinë kombëtare”, “do  të rilindim”, “do të ndahemi nga e keqja”, “do të ulim çmimin e dritave” etj..etj.

Në mungesë të gazetarëve në terren, mungojnë edhe elementët bazë të raportimit të tubimeve. Numri i pjesëmarrësve? Janë vendas apo të ardhur me autobuz? Janë paguar dhe kush ka paguar për transportin e tyre? Mesazhet e dhëna? Kostoja e premtimeve?

Është më lehtë të gjesh gjilpërën në kashtë se sa të gjesh zërin e votuesve në fushatë zgjedhore. Në mungesë të gazetarëve, – premtimet bëhen pa doganë dhe gënjeshtrat dhe manipulimet bëhen lajme.

Në mungesë të gazetarëve, – arroganca e pushtetit politik vjen në rritje dhe kjo është arsyeja që në ndonjë rast të rrallë ndesh një gazetar që bën pyetjen e duhur: kandidati habitet aq shumë sa të kujton shtangien e viçit që ka ngatërruar derën e stallës.

Një javë para ditës së votimit, e vetmja risi që do të mbahet mend është se lajmet i ka prodhuar politika, i ka renditur politika, dhe media ja ka servirur publikut si “prodhim” I veti. I vetmi rast kur politika nuk e ka problem copy-right.

SYRI.net

SHKARKO APP