E vërteta e dëshpëruar e Ilir Metës

“Kjo është situata deri të mërkurën e fundit të janarit. Meta që merr frymë lirisht me shpagim të kryer, ndërsa armiqtë e tij politikë vazhdojnë të rrëmojnë për fantazma në dollap dhe skelete në sënduqet e së shkuarës. Pa ditur një të vërtetë të thjeshtë që komplekson shumë llogari politike në Tiranë: Metës duhet t’i japin paqe për ta mundur. Nëse i japin luftë, çuditërisht ai vetëm rrit partinë e tij. Deri në betejen e rradhës, kësaj rradhe me fund të paracaktuar“…

Nga Lorenc Vangjeli

Nuk ka një shpjegim bindës se pse të mërkurën – një ditë pas tryezës me Ramën, Bashën, Metën dhe ambasadorin amerikan – u bë publike me një shpejtësi rrufe një letër e Tim Schreiber, avokatit të zyrës Clifford Chance, e cila kishte si personazh kryesor kryetarin e Kuvendit. Nuk ka shpjegim gjithashtu edhe se pse, letra e firmosur që në datën 18 janar dhe që i drejtohej ministrit të energjisë dhe drejtorit të OSHEE-së, duhet të përfshinte pikërisht Ilir Metën, njeriun e akuzuar fort se qëndronte në mes të skandalit CEZ – DIA.

Vetë Meta të mërkurën e me gjasë edhe më pas, reagoiduke heshtur, pikërisht në finalen e një beteje dëshpëruese që ai e luftoi i vetëm kundër një aleance jashtëzakonisht të gjerë, të shpallur e të pashpallur armiqsh që e donin të rrënuar dhe miqsh që u leverdiste të ishte humbës.

Ai u gjet befas i vetëm përballë një koalicioni që minimumi kërkonte asgjesimin e tij politik në një lojë që luhej brenda Tiranës, por e furnizuar në dukje me municion shpërthyes që vinte nga jashtë Tiranës. Vetë Meta i kishte vënë një emër të ndërlikuar dhe enigmatik këtij  koalicioni që i kërkonte kokën: aleancë mafioze, politike, mediatike e financiare. Me të njëjtët personazhe që kishin qenë përballë edhe në beteja të tjera. Duke u vënë emër armiqve, ai kishte dhënë sinjalin e parë domethënës se pranonte dhe duelin. Dhe kur të gjithë vinin bast se do të humbte, në mënyrë pothuaj të pashpjegueshme, siç do të thoshte në një editorial të tij në fundjavë Blendi Fevziu, arriti të fitojë i vetëm kundër të gjithëve. Duke pasur kundër më shumë se çdo gjë tjetër absurdin, paragjykimin dhe paranojën, tre “kaktusë” tipikë për një mjedis ende parapolitik si Tirana e sotme.

Sa më absurde akuza, aq më e vështirë është çmontimi i saj dhe sa më e madhe gënjeshtra, aq më e besueshme ajo bëhet: pikërisht një aksiomë të tillë e vuajti deri në mëngjezin e të mërkurës kryetari i Kuvendit. Atëherë kur – saktësisht kjo nuk do të mësohet kurrë – një sinjal nga një qendër e madhe dhe e shumë e largët pushteti, “e lejoi” atë të përdorë për në publik letrën e Clifford Chance. Që nuk bën vetëm saktësimin e rolit të tij në historinë e shumëpërfolur CEZ – DIA, që nuk e çon atë në epilog, por përkundrazi, mund të shpërbejë si prolog për të hapur kapituj dramatikë të lidhjeve politike, ekonomike dhe të liga në nëntokën plot dritë të Tiranës së sotme.

Letra e zyrës britanike të jurisprudencës ka disa të vërteta të thëna siç i thonë zakonisht britanikët. Edhe kur u drejtohen me çudi e habi ballkanasve. Ajo nis me lëvdatë me emër për tre zyrtarë shqiptarë, që kontribuan në zgjidhjen frymëlehtësuese të mosmarrëveshjes CEZ – DIA për 130 milionë euro në dhjetor të vitit të kaluar. Eshtë një gjë e rrallë, por krenare që punonjës të administratës të meritojnë një stimë të tillë në anglisht. Por ky është njëlloj si momenti kur një infermiere lag me alkool vendin ku do të ngulë gjilpërën.

Për ta dezifektuar, por dhe për ta mpirë.

Letra vijon me një sërë shqetësimesh jashtëzakonisht serioze. Duke përshkruar se çfarë ka ndodhur përmes dhe përgjatë kalvarit të mbrojtjes së 130 milionë eurove që rrezikonin t’ja mbathnin nga Shqipëria: “…na është dashur të merremi me fakte, supozime dhe dyshime të ndryshme. Kokëfortësia e gënjeshtrave të prezantuara nga oponentët na detyruan të reagojmë, por në të kundërt të asaj çka pala tjetër ka supozuar pas rrjedhjes së informacionit të vizitës tonë tek prokurorët në Tiranë në Tetor 2013, ne nuk kemi bërë asnjë akuzë të pagjetur”, shkruhet në letrën e Clifford Chance. Një akuzë e tillë e thënë me kaq mirësjellje mund të përkthehet në shqipen e zakonshme njëlloj si ato lajmet e zakonshme të kronikës së zezë që tregojnë për dekonspirim aksionesh të policisë nga policë të korruptuar. Që dëshmojnë se është ende i gjallë, në jetë dhe shumë i shendetshëm nervi i lig i shpërdorimit të detyrës zyrtare nga shumëkush. Një shpërdorim i bërë nëpërmjet gënjeshtrash, supozimesh dhe dyshimesh të ndryshme, siç ngul këmbë ftohtë dhe ashpër zyra e avokatisë. Por ajo nuk mjaftohet me kaq sepse ngul direkt në mish akuzën tjetër, edhe më dëshpëruese se e para: “Në këtë dritë është për të ardhur keq që natyra jo-publike e procesit të arbitrazhit është dhunuar, kur disa nga parashtrimet tona rrodhën në drejtim të shtypit për arsye të ndryshme politike dhe disa përfaqësues të medias lidhën emrin e kryetarit të Kuvendit me akuzën e korrupsionit. Kjo gjë ka qenë qartësisht e pajustifikueshme mbi bazën e parashtrimeve tona”. Eshtë vetë zyra e avokatisë që ka bërë zbulimin ndoshta tronditës për ta, por normal për Tiranën që gjithçka e sheh me syze politike: përmendja e Metës në këtë skandal ka qenë për arsye të ndryshme politike dhe në funksion të luftës politike.

Zyra saktëson edhe njëherë atë që kishte thënë në mënyrë lakonike muaj më parë, që në verën e vitit të kaluar se emri i Metës nuk përmendej fare në këtë histori. Kësaj here në dimër shprehet më gjatë dhe më qartë se “…na duhej të qëndronim të tërhequr nga reagimi në detaje ndaj supozimeve të tilla të medias, në këndvështrim të procedurave në vazhdim të arbitrazhit, por ne mund t’ju sigurojmë që nuk disponojmë asnjë të dhënë që e lidh zotin Meta me veprimet korruptive të DIA-s apo të administratorëve të saj të shkuar apo aktualë”.

Më tej akoma, Clifford Chance “tradhëton” pa dashur edhe një nga kundërshtarët e tij nga Tirana që i quan oponentë të OSHEE-së, të cilët me përpjekje shumë të forta dëshironin të shkaktonin “konfuzion publik”. Kjo duket se është njëkohësisht edhe psherëtima lehtësuese e kompanisë juridike britanike e cila e pa veten të përfshirë në një intrigë të vogël ballkanike, që mbas çdo ferre kërkon dhe gjen vetëm Ibrahimin, që nuk ka asnjë lidhje mes asaj që është reale dhe asaj që shfaqet duke gënjyer dhe që tenton të prodhojë shumë më shumë politikë sesa mund të konsumojë. Njëlloj siç bënte dikur gadishulli me historinë. Por kësaj rradhe, ky skandal nuk mund të përfundojë thjesht në arkivat e historisë. Aty duhet ruajtur si model për të treguar se si nuk duhet të sjellë keq me interesat e mëdha të vendit, përballë interesave meskine të ditës.

Blendi Fevziu, në një editorial të së martës pyeste që në titull: Përse Ilir Meta ironizoi Ramën dhe Bashën duke ju referuar takimit të së martës së kryeministrit, kryetarit të opozitës dhe kryetarit të Kuvendit me ambasadorin amerikan në një tryzë për të diskutuar për korrupsionin e proceseve zgjedhore. Sipas drejtuesit të Opinion-it Meta ishte: “… më i shpenguari, më ironiku e pse jo edhe më befasuesi. Kishte një qetësi olimpike dhe një shpoti që shkonte shpesh deri në tallje…”. Ndoshta ishte siguria e letrës nën tryezë, që i jepte Metës qetësi edhe në tryezën e të martës. Ndoshta ishte “leja” e marrë nga qendra të largëta pushteti për ta nxjerrë në dritë atë letër që tregonte të vërtetën e ftohtë dhe të thjeshtë për të dhe miqarmiqtë. Ndoshta as njëra dhe as tjetra, por dhe një fill paranoje që lidh tre korridore të pushtetit në Shqipëri që shkojnë nga ish-zyra e Enver Hoxhës në Komitetin Qëndror, tek ish-zyra e Mehmet Shehut në kryeministri dhe për të plotësuar trekëndëshin, tek ish-ambientet e ushqimit të zgjedhur të ish-oficerëve të dikurshëm që betoheshin për Hoxhën dhe Shehun.

Kjo është situata deri të mërkurën e fundit të janarit. Meta që merr frymë lirisht me shpagim të kryer, ndërsa armiqtë e tij politikë vazhdojnë të rrëmojnë për fantazma në dollap dhe skelete në sënduqet e së shkuarës. Pa ditur një të vërtetë të thjeshtë që komplekson shumë llogari politike në Tiranë: Metës duhet t’i japin paqe për ta mundur. Nëse i japin luftë, çuditërisht ai vetëm rrit partinë e tij. Deri në betejen e rradhës, kësaj rradhe me fund të paracaktuar. (Java)

SHKARKO APP