E vërteta e shoqërive matriarkale në botën e lashtë

Nga Philip Jamieson

Një temë e përbashkët në mitologjinë e kulturave të lashta, është besimi në ekzistencën e një Epoke të Artë, kur njerëzit jetonin të pakorruptuar, në paqe dhe harmoni, duke përjetuar një zhvillim dhe stabilitet shoqëror. Disa studiues, besojnë se në themel të kësaj Epoke të Artë në parahistorinë njerëzore, ishte shoqëria matriarkale.

Një shoqëri ku sundonin gratë; një shoqëri e mbështetur në vlerat femërore, deri në shembjen e atij rendi, nga ardhja e rendit patriarchal (pushtetit të burrave), diku midis 10.000 deri në 5.000 vjet më parë, ku burra dhe Zotat e tyre meshkuj, ishin shtylla e shoqërive.

Për shumë njerëz, kjo Epokë e Artë e Matriarkatit, është më shumë se një mendim i dëshuriar i lëvizjes feministe, një mit tashmë i debatuar, që njëherësh i shërbeu interesave të një vizioni të veçantë feminist, por ku mungojnë dëshmitë reale, se kështu ka ndodhur vërtet.

Dr. Haide Getner-Abendrot, thotë se matriarkati nuk do të ketë kurrë një përkufizim të saktë, nëse dikush kërkon tek ajo një shoqëri kur gratë marrin rolin “drejtues” të grupit, sikurse shohim sot në shoqëritë patriarkale. Ajo argumenton se rendi Matriarkal, nuk do të bazohet në dominimin nga ndonjë gjini, por tek vlerat e nënës që do të shfaqej si kujdestare, dhe edukuese e komuniteteve të orientuara nga negociatat, dhe ku ekziston barazi për gratë dhe burrat.

Ajo ka gjetur “prova të bollshme” për ekzistencën e shumë shoqërive matriarkale, që gjenden sot në Azi, Amerikë dhe Afrikë. Të gjitha, vë në dukje ajo, janë “shoqëri gjinore egalitare, dhe shumë prej tyre janë tërësisht të barabarta”, me “asnjë hierarki, klasë, dhe as dominimin e një gjinie mbi tjetrën”.

Shumica e akademikëve, i përjashtojnë shoqëritë egalitare nga koncepti i “matriarkisë”. Sipas mendimit tim, ata e kanë gabim. Një studim i vitit 2015 mbi bashkësitë bashkëkohore të gjahtarëve (në Kongo dhe Filipine), zbuloi gjithashtu se ato kishin struktura shoqërore egalitare. Në fakt, ky studim ka konfirmuar vetëm disa gjetje të mëparshme.

Dr Peter Grej ka komentuar se:”Gjatë shekullit XX-të, antropologët zbuluan dhe studiuan dhjetëra shoqëri të ndryshme gjahtarësh, në pjesë të ndryshme të botës, që ishin pothuajse të paprekura nga ndikimet moderne. Kudo, në Afrikë, Azi, Amerikë Jugore, apo gjetkë, këto shoqëri kishin shumë karakteristika të përbashkëta. Në seicilën prej tyre, etika kulturore mbizotëruese ishte ajo që theksonte autonominë individuale, metodat jo-drejtuese të rritjes së fëmijëve, mospërdorimin e dhunën, ndarjen, bashkëpunimin dhe vendimmarrjen konsensuale. Vlera e tyre thelbësore, e cila mbështeste të gjithë pjesën tjetër, ishte ajo e barazisë së individëve”.

Më e rëndësishmja:studimi i vitit 2015, mbështeti përparësitë evolucionare, që shoqëritë e lashta të gjahtarëve, të gëzonin në mënyrë të ngjashme me strukturat sociale egalitare, duke siguruar “kontekstin selektiv për rrjetet sociale të zgjeruara, kulturën e grumbullimit dhe bashkëpunimin midis individëve pa lidhje gjaku mes tyre.

Sipas mendimit tim, komunitetet e gjahtarëve kishin shumë të ngjarë të ishin egalitarë, po kështu edhe rendi matriarkal. Në mbështetje të këtij konkluzioni, Dr.Sajmën Batler, ka vërejtur se “dominimi i dukshëm i përfaqësimit të femrës në artin parahistorik, është bazuar tek një dominim apo fuqi femërore në shoqëri, me ekzistencën e shoqërive martriakale, përpara shfaqjes së rendit patriarkal”.

Në mesin e këtij arti parahistorik, janë gjetur më shumë se 200 përfaqësime të grave, në ato që zakonisht përshkruhen si “figurat e Venusit”. Të gjetura kryesisht në Evropë, dhe që datojnë në përgjithësi, që nga epoka e Paleolitit, rreth 40.000 vjet më parë, Batler thotë se ato “janë interpretuar ndryshe, si simbolet e pjellorisë, hajmalive të fatit, imazheve të perëndeshave, priftërinjve, adhuruesve, paraardhësve ose sundimtaret matriarkale”.

Pra, a ishte arti i pikturave në shpella, pjesë e rendit matriarkal? Po, kjo mbështetet edhe nga hulumtimet që kanë sugjeruar, se gratë mund të jenë përgjegjëse për artin e lashtë të shpellës. Një studim i Dr.Din Snou, krahasoi madhësinë e duarve dhe gjatësitë e gishtërinjve, dhe hodhi poshtë supozimin tradicional, se arti i shpellës është prodhuar kryesisht, në mos ekskluzivisht nga burrat.

Në fakt, Snou zbuloi se pikturat janë prodhuar kryesisht nga femrat. Ngjashëm, edhe prodhimi i mjeteve të gurit në përgjithësi, është supozuar të jetë aktivitet, eskluzivisht mashkullor në komunitetet e lashta. Megjithatë, në fillim të vitit 1991, Dr.Joan Gero, përfundoi se gratë në parahistori “dyshohet se kanë prodhuar po aq mjete guri sa edhe burrat”.

Ky përfundim, është mbështetur nga një studim më i fundit i Universitetit të Floridës, për një komunitet etiopian, ku u zbulua se gratë dominonin në prodhimin e veglave prej guri, dhe ata supozojnë se kjo ka ndodhur edhe në parahistori. Edhe pse asnjëri prej këtyre studimeve në vetvete, nuk na tregon natyrën e strukturave gjinore të komuniteteve të grumbulluesve prehistorikë, secili prej tyre flet për pjesëmarrjen e femrave në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të këtyre komuniteteve, pikërisht në fushat që tradicionalisht janë kuptuar se kanë qenë një domen vetëm i burrave. Të marra së bashku, ato sugjerojnë më së paku një strukturë sociale egalitare në këto komunitete.

Marrë me shkurtime nga ancient origins – bota.al

SHKARKO APP