Edhe dashuria do të jepet me kredi? 

“Shëndeti i bankave është thelbësor për shëndetin e çdo shoqërie njerëzore! Ato janë fotografia më e mirë e temperaturës dhe humorit të momentit të qytetarit, por janë edhe falli perfekt për të treguar edhe temperaturën, edhe humorin e nesërm të tij dhe të gjithë shoqërisë. Është ndoshta ushtrimi më i rëndësishëm dhe më serioz që duhet të bëhet me shumë aktorë, përfshi edhe politikën, për të përmirësuar fotografinë dhe për të garantuar fall pozitiv…”

Nga Lorenc Vangjeli

Ka një anekdotë të jashtëzakonshme për një “biznesmen” shqiptar që kishte nevojë për një shërbim seksual. Pyetjes së zonjës bashkëpunëtore se si do të paguante për shërbimin e kërkuar, cash, çek, kartë bankare, ai ju përgjigj: Me kredi!

Përveç seksit dhe shumë përtej seksit, pasuri të shumta në Tiranë e gjetkë, prona, makina, udhëtime turistike apo dhe jetë luksi e gjithçka që afron luksi në jetë, është prodhuar nëpërmjet kreditimit. Koha e artë e kredive në mes të viteve 2000 i kishte nxjerrë jashtë sporteleve të bankave nëpunësit e kredive. Ata kapnin për xhakete cilindo duke afruar shuma parash me kredi në këmbim të garancive minimale. Sa më shumë rritej oferta nga bankat, aq më shumë fikej filtri i bankave përballë klientëve të tyre. Sa më shumë rritej gara mes bankash, aq më shumë uleshin kërkesat për kolateral. Një garazh lihej peng për miliona, një tokë në mal “shitej” si tokë në bregdet për miliona të tjera. Loja e kërkesës dhe ofertës luhej pikërisht me rregullat e lojës mes kërkesës dhe ofertës. Kishte më shumë para të lira sesa kishte dynjaja nevojë për para në lirinë e tregut. Ky nuk ishte dhe nuk është fenomen vetëm shqiptar dhe nuk ka fajtorë vetëm shqiptarë. Gjetkë, duke nisur me SHBA-në në segmentin bankë –  individ e duke mos përfunduar me Greqinë, në segmentin tjetër, shtet – banka, shpërthimi i krizës u shkaktua edhe për shkak të rritjes së pakontrolluar të nivelit të kreditimit. Sistemi ra në kolaps dhe vetëm masa të egra mundën ta mbajnë atë në këmbë, por duke shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme fatet e qindra dhe miliona njerëzit.

Shqipëria është një miniaturë e kësaj tabloje të zymtë, ngjyrat e të cilës kushtëzohen në një masë të jashtëzakonshme edhe nga niveli i kredive të këqia nëpër banka dhe e nesërmja e tyre. Vetëm pak kohë më parë kryetari i komisionit të ligjeve në parlament, Fatmir Xhafaj, por dhe ministri i drejtësisë Ylli Manjani, shprehën shqetësim për këtë zinxhir dobësie kur në komision diskutoheshin ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile.

I pari Xhafaj thotë se bankat kanë krijuar skema monopoli në përpjekjet e tyre për shitjen e pronave të sekuestruara nëpërmjet zyrave të veçanta të përmbarimit. I dyti Manjani thotë se “…bankat kanë dhënë kredi …sa u ka dashur qejfi, jashtë rregullave dhe ne na kanë lënë faturën”.

Një tjetër personazh nga bota e jurisprudencës, që normalisht duhet të flasë vetëm me vendime në emër të popullit, bëri një deklaratë befasuese për të njëjtën temë. Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve Gerd Hoxha, tha se ekzistojnë vendime gjyqësore sipas të cilave drejtorë bankash luajnë bixhoz me paratë e shqiptarëve. “Ka plot vendime gjyqësore për njerëz në  banka me lidhje me klientët për procedura dhe afera korruptive. Ka edhe drejtues bankash, dhe për ta ka vendime që janë të dashuruar me këto lojërat e fatit dhe luajnë bixhoz me paratë e qytetarëve”, tha gjyqtari Hoxha.

Tre juristët Xhafaj, Manjani dhe Hoxha janë përfaqësues të tre pushteteve kushtetuese në vend, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Të tre juristët në pushtet, kanë pozuar politikisht një problem, përmasat e të cilit nuk i di askush me saktësi. Njëlloj siç askush nuk di të shpjegojë,  të masë, peshojë dhe të parashikojë saktësisht ndikimin e tyre në ekonominë shqiptare.

Tre juristët pavarësisht njëri-tjetrit, kanë folur për një temë e cila është pothuaj tabu në Shqipëri dhe kudo gjetkë. Mikrofonat e medias, pushtetit të katërt real, por jo kushtetues, kanë qenë gati për të riprodhuar, shumëfishuar dhe shpërndarë komentet e tyre. Duke folur për një nga pushtetet më të rëndësishëm dhe praktikisht të parin që lëviz gjithë botën; pushtetin e parasë. Minimalisht duhet të dëgjohen dhe bankat. Sepse si në gjithçka tjetër të veprimtarisë njerëzore, nuk ka kurrë një të vërtetë absolute, por disa të vërteta që janë të sakta edhe kur kundërshtojnë njëra-tjetrën. Tre pushtetet kushtetuese në Shqipëri, përfshi dhe të katërtin, nuk janë ëngjëjt përballë djajve në banka. Dhe anasjelltas.

Ka një aksiomë që nuk ndryshon ndoshta që në kohën kur u shpik “kambiali” i parë që shkëmbehej mes dy njerëzish që bënin tregti me njëri-tjetrin: Shëndeti i bankave është thelbësor për shëndetin e çdo shoqërie njerëzore! Ato janë fotografia më e mirë e temperaturës dhe humorit të momentit të qytetarit, por janë edhe falli perfekt për të treguar edhe temperaturën, edhe humorin e nesërm të tij dhe të gjithë shoqërisë. Është ndoshta ushtrimi më i rëndësishëm dhe më serioz që duhet të bëhet me shumë aktorë, përfshi edhe politikën, për të përmirësuar fotografinë dhe për të garantuar fall pozitiv. Me një ecje në majë të gishtave, si balerinat në dyqan porcelani; me të folur të heshtur si në bibliotekë, me kujdesin e papërgjumur si në ruletën ruse! Në të kundërt, edhe nëse shkrep një po dhe një jo, me të gjitha gjasat, edhe seksi do të bëhet me kredi. Dhe ky do të jetë lajm i mirë. lajmi i keq do të jetë se pakkush do të ketë mundësi të paguajë. (Javanews.al)

SHKARKO APP