Edhe Mbretëresha Elisabeta II përfitoi nga vaksinimi vetëm nga mosha, jo se ishte personaliteti
Nga Erl Kodra –
Sfida kryesore përgjatë kësaj pandemie ka qenë mbrojtja e sistemeve shëndetsore nga kolapsi. Frika e profesionistëve të mjeksisë, në të gjitha vendet e botës, ishte ai momenti i tmerrshëm kur do të gjendeshin përballë pamundësisë absolute për të shpëtuar të gjithë të sëmurët me Covid-19, dhe kështu do të ishin të detyruar të përzgjidhinin mes një 60 dhe 70 vjeçari. Do të ishte e paimagjinueshme përzgjedhja në bazë të moshës, megjithse, mosha do të ishte kriteri më i drejtë.
Në gjitha ato vende që kanë filluar fushatat e imunizimit të popullatës, mosha ka qenë kriteri i vetëm që ka përcaktuar rendin e vaksinimit. Asnjë kriter tjetër, në asnjë rast të vetëm nuk është aplikuar. Edhe Mbretëresha Elisabeta II përfitoi nga vaksinimi vetëm nga mosha e saj, por jo edhe nga fakti që është një personalitet botëror.
Kryeministri – infermier Edi Rama ka filluar fushatën e vaksinimit duke ia dhënë vetes dozën e parë. Pastaj ua dha edhe disa të tjerëve, drejtëpërsëdrejti nga Stadiumi AIR ALBANIA. Sa herë vjen nga një valixhe me vaksina, Rama nuk përton të shkojë vet në Rinas, bashkë me gjysmën e qeverisë dhe 50 televizione. Kështu, Ed Infermieri vazhdon vaksinimin gjithandej, me pikatore, duke përzgjedhur si një ZOT se kush do të vaksinohet i pari, kush i dyti, e kështu me rradhë, deri më 25 Prill 2021.
Thagma e fundit e Zeusit tonë infermier është vaksinimi i personaliteteve mbi 80 vjeç. Kriteri i moshës është krejt në rregull, por kriteri i “personalitetit” është diskriminues dhe i pashembullt në botë. Është krejtësisht e pabazë, e pamoralshme dhe e papranueshme që një 80 vjeçar, kushdo qoftë ai, të vaksinohet, ndërsa një 80 vjeçar tjetër, që nuk është i tillë, të lihet pa u vaksinuar.
E para, kriteri i personalitetit është krejt subjektiv. Çdo qenie njerëzore ka personalitetin e vet, ka vlerat e veta unike dhe të papërsëritshme. E dyta, çdo qenie njerëzore, para se të jetë shkrimtar apo artist, politikan apo shkencëtar, aktor apo piktor, poet apo kompozitor, është thjesht njeri. Dinjiteti i njeriut është i njëjtë, i barabartë dhe i patjetërsueshëm. Të përzgjedhësh se kush do të mbrohet dhe kush jo, nisur nga një kriter i tillë absurd, është fyese dhe poshtëruese edhe për vet këto personalitete.
E treta dhe e fundit, 80 vjeçarët që nuk janë “personalitete” kanë të drejtë të mbrohen njësoj, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë, njësoj si “personalitetet”. Pikë.