Edhe një serb po të kishim kryeministër, nuk do t’i bënte Shqipërisë këtë që i ka bërë Rama
Nga Erl Kodra –
Metafora është një figurë letrare, që për efekt retorik, i referohet drejtpërdrejt një gjëje duke përmendur diçka tjetër. Në rastin e qeverisë së Edi Ramës, metaforat kanë humbur kuptimin e parë – sepse vet fjala e përdorur si metaforë shprehë saktësisht kuptimin e parë të fjalës. Për shembull, të thuash “shteti i mafias” nuk është më metaforë, sepse kjo fjalë shprehë saktësisht atë çfarë është qeveria e Edi Ramës. Kjo do të thotë se nuk është e mundur të përdorësh metaforat ose krahasimet, sepse vet metafora dhe krahasimi shprehin saktësisht të vërtetën absolute.
Kështu që unë do të duhet të thërras në ndihmë aftësitë e mia për t’u shprehur ndryshe, në një rrafsh që nuk e kisha menduar më parë. Por për këtë më duhet mirëkuptimi dhe vëmendja juaj.
Le të supozojmë për një moment se unë, megjithse një shqiptar, bëhem President i Serbisë. Sigurisht që kjo nuk mund të ndodhë, por më lejoni të çoj deri në fund narrativën time. Si President në një vend armik, presupozohet se unë nuk do të jem dashamirës me shtetin serb. Sigurisht që do të urreja kriminelët e luftës, çetnikët dhe doktrinën e trinisë serbe. Mundet të bëja edhe ndonjë çmenduri – por kurrë nuk do të mund të bëja çmenduritë që Edi Rama ka bërë kundër popullit shqiptar. Domethënë, unë nuk mund t’ia dorëzoja shtetin krimit të organizuar, unë nuk mund të pranoja vrasës si deputetë, nuk mund të shkatërroja Beogradin siç e shkatërroi Edi Rama Tiranën, nuk mund të vidhja para direkt nga buxheti i shtetit serb. Mund të vazhdoj pa fund se çfarë nuk mund të bëja si Kryetar i shtetit serb, sepse në vetëdijen time është i rrënjosur koncepti që nuk mund të kryesh asnjë akt kundër interesave të vendit, duke qenë njëkohësisht edhe kryetar i atij vendi. Sepse askush nuk mund të jetë në krye të një shteti, nëse punon kundër interesave kombëtare dhe shtetrore të vendit. Koncepti i përgjithshëm është se çdo akt i qeverisjes duhet të udhëhiqet nga parimi i përmbushjes së interesave më të mira, interesa të cilat je i detyruar t’i mbrosh gjithmonë, në çdo rrethanë.
Blerja e votës së qytetarve është akti më i rëndë anti-shtetëror, i barabartë me prostitucionin e paligjshëm ose tregtinë e skllevërve. Këtë ka bërë dhe po bën Edi Rama – përdhunim masiv, prostitucion masiv, tregëti të ndyrë shpirtrash të rraskapitur nga skamja dhe mjerimi.
Ekziston mundësia që Edi Rama të shpallë “fitoren” pasi të bjerë gongu dhe të mbyllet tregu i zi i 25 prillit, sepse nuk dihet sasia e vullneteve të blera, të mjaftueshme të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve, por të pamjaftueshme për të ndryshuar fundin tragjik të Edi Ramës. Duket qartë se kjo është një provë force – nga njëra anë një tutor vullnetesh që kryen akte anti-shtetërore, dhe nga ana tjetër një mal vullnetesh qytetare – përballë. Në këto rrethana përplasja është e paevitueshme, madje e domosdoshme. Fundja, kujt i duhet një shtet me policë fallco, anëtarë të krimit të organizuar, që fallsifikojnë prova penale, mbrojnë kriminelët dhe sulmojnë qytetarët? Askujt.
Edi Rama ka hyrë në histori si Kryeministri më famëkeq i Shqipërisë – që ia dorëzoi shtetin shqiptar mafias lokale dhe ndërkombëtare, që kreu akte kundër interesave kombëtare, që i ktheu agjensitë e zbatimit të ligjit në shtojca të krimit të organizuar, që përdhunoi vullnetet e qytetarëve duke ua blerë votën. Në një mënyrë apo në një tjetër, fundi do të jetë 25 prilli.
Me votë apo me revoltë, varet nga vet Edi Rama.