Edhe sporti kryeqytetas votoi në “drejtimin e duhur”

 

Nga Viron Bezhani

Sporti i kryeqytetit shqiptar, pas 4 vitesh përgjumje dhe neglizhence nga ana e drejtuesve të tij, më në fund do të nisë të marrë frymë lirisht dhe të shohë dritën jeshile në rrugëtimin e tij dhe pret një ndryshim të madh në vitet e ardhshme. Prej vitesh Tirana lëngon nga mungesa e këndeve sportive, nga mbyllja e palestrave të shkollave pas mësimit, nga dëshira e tifozëve për të brohoritur për një titull kampion, nga zhgënjimi i shumicës së ekipeve në kampionate e kështu me radhë. Dhe e gjitha kjo ka ardhur për shkak të vizionit të gabuar, pa ide dhe objektiva të qarta si dhe dëshira për të ndihmuar sportin, sportistët, trajnerët dhe një pjesë të madhe të qytetarëve që e duan sportin, që duan të argëtohen e kalojnë kohën e lirë me një aktivitet sportiv.

Bashkia e Tiranës, në 4 vitet e fundit nuk kishte kurrë një vizion për sportin, dhe për pasojë edhe një buxhet të mjaftueshëm për sportin, pasi gjithnjë harronte ta vinte atë në programin e tij. Gjithnjë në Këshillin Bashkiak kam luftuar për sportin kryeqytetas, duke qenë se kam ardhur prej tij, e kam nderuar gjithnjë si sportist e trajner dhe jam ndjerë krenar, pasi sporti më ka dhënë shumë në jetën time. Por z.Basha e harroi sportin, se ka mijëra njerëz që merren me të çdo ditë, ndaj dhe mori ndëshkimin e duhur në këto zgjedhje. Jo vetëm nga qytetarët e thjeshtë të Tiranës, për të cilët ai nuk bëri asgjë, por edhe nga komuniteti i madh i sportit, që nuk përfitoi asgjë nga Bashkia në 4 vite.

Sporti nuk ishte as një shtojcë dhe lekët që akordoheshin për të shkonin për fushatë apoo ne xhepat e atyre që duhej të bënin politikat e tij. Një mëkat kjo që keni bërë z.Basha, pasi ju harruat që sporti është argëtim jo vetëm i një grupi njerëzish por i të gjithë qytetarëve, ndaj dhe ata e panë se nga ishte drejtimi i duhur për ndryshim. Kjo nëpërkëmbje dhe lënie pas dore e sportit në kryeqytet solli edhe këtë reagim kaq të madh të qytetarëve kryeqytetas në zgjedhjet e 21 qershorit, me votën e tyre. Një votë që ishte një “karton i kuq” për largimin e Bashës dhe një mesazh i qartë për pasardhësin e tij se qytetarët duan ndryshimin edhe ne sport, duan të sfidojnë të pamundurën, të arrijnë atë që gjithnjë kanë ditur ta kenë tyren, fitoren në sport.

Tashmë sporti kryeqytetas ka se për çfarë të ëndërrojë, pasi në krye të tij do të jetë një djalë i ri, plot energji, vullnet dhe dëshirë për të ndryshuar Bashkinë e Tiranës e për pësojë edhe sportin. Për mua ka qenë nder që kam qenë në krah të z.Veliaj në këtë fushatë në takimet e dëgjesat që ai ka patur me komunitetin e sportit, pasi bashkëpunuam dhe ndamë idetë në atë drejtim që do të jenë planet tona të përbashkëta për të ardhmen e sportit kryeqytetas. Një sport që ka nevojë të shohë përpara me optimizëm.

Në sport gjithnjë ka objektiva, të cilat ju z.Basha nuk i vutë kurrë, pasi ju kurrë nuk dolët në startin e një sfide që ka të bëjë me këtë fushë kaq të madhe për njerëzit. Sporti nuk është një lojë me top, por edhe ndërtimi i një palestre, një këndi sportive, të merresh me vrap e të hapësh palestrat e shkollave për komunitetin. Këto ide ju nuk i patët kurrë në planet tuaja, ose më mirë nuk ditët t’i dëgjonit fjalët e objetivat e këtij komuniteti kaq të nderuar. Nuk dëgjuat as kërkesat e vazhdueshme të Këshillit Bashkiak për një organizim më të mirë të rinisë së Tiranës me aktivitete sportive, për një vlerësim më të madh për sportin. Por ju gjithnjë nënqeshnit dhe asnjëherë nuk dëgjonit, përkundrazi, të tjera shifra financiare miratonim në këshill për sportin e të tjera çonit në Klubin Tirana. Ndaj dhe çdo sportist i Tiranës, çdo trajner, çdo drejtues e qytetar ju ndëshkoi me votë.

Tirana sportive tani ka se për çfarë të ëndërrojë, pasi do të ketë një stadium të rikonstrukuar, një Qendër Olimpike, më shumë kënde sportive e më shumë gjallëri. Këto gjëra e mjaft të tjera, ide e sugjerime të dalë nga vetë komuniteti i sportit gjatë 3 muajve të fundit, do të jenë puna e përditshme e drejtuesve të ri të Bashkisë, që sportin do ta kenë si armën e fortë për të treguar se si mund të fitohet kudo ku garon, kur në startin e një sfide ke objektiva të qarta.

Mjafton të ndjekësh drejtimin e duhur…

 

SHKARKO APP