Edi, jo gjithmonë është fajtor Saliu!

 
Nga Andi Bushati.
 
Me një reagim të "ndierë" ndaj Sami Repishtit dhe kujtimit të padër Zef Pëllumbit, Edi Rama ka kërkuar "falje" publikishtpër dekorimin e torturuesit të tyre. 
Në stilin e tij, ai e vë veten në vendin e dikujt që po kërkon ndjesë pa pasur krejtësisht faj. Sipas rrëfimit fabula është kjo: qeveria e rilindjes e ka dekoruar personin në fjalë rastësisht, pa e verifikuar të shkuarën e tij. Por se, dhe kjo është më e bukura, ai paskësh marrë statusin e veteranit që në vitin 1994, kur president ishte Berisha. Pra shkurt edhe njëherë: "fajin e ka Saliu". 
Kaq i mjafton Ramës që në një letër ku është nisur të kërkojë falje, të ketë më shumë paragrafë (plot shtatë) me këtë fosile të ish Partisë së Punës, me këtë shpifës ordiner dhe të pandreqshëm, i cili prej 25 vjetësh si gjithçka përdhos dhe historinë, sesa rjeshta kushtuar ndjesës së sinqertë.
Pra shkurt, i bie sikur zemërmadhi Rama po kërkon falje për një faj që e paskësh bërë Berisha.
 
Hipokrizia arrin kulmin.
 
Por nuk është ky thelbi i problemit. Nuk është as përqeshja e vazhdueshme që si Berisha ashtu edhe Rama i kanë bërë "parimeve" dhe ideve të tyre për historinë tonë të afërt ( i pari duke qenë edhe me partizanët edhe me kolaboracionistët, i dyti edhe tallës i veteranëve edhe glorifikues i tyre, sipas interesave të pushtetit politik).
 
Nuk është as te meraku se ne sot kemi një kryeministër nostalgjik që po ngjall "pushtetin e etërve të rrëzuar". Me kohë Edin Rama e ka treguar se mund të shkelë edhe mbi të atin në emër ta lavdisë personale.
 
Këtu çështja është se përditë e më shumë forcohet ideja se kemi të bëjmë me një kryeministër që po qeveris përmes alibive.
 
Bëhet zhurmë për dekoratat, reagon opinioni publik, reagojnë diplomatë të huaj (kjo është në fakt arsyeja e vërtetë e ndjesës së Ramës) dhe del kryeministri dhe thotë se është një gabim i bërë që ne kohën e Berishës së parë.
 
Dhe historia përsëritet.
 
Kështu doli dhe tha pasi mbylli në mënyrë krejtësisht okulte marëveshjen me CEZ-in: ishte një litar i varur që na e kish lënë në qafë Saliu.
 
Kështu doli dhe tha pasi i dha një mikut të tij, tenderin e godinës së OSShE-së, e kish lane Saliu pa seli.
 
Kështu doli e tha për mosanullimin e koncesioneve që kish premtuar ti zhbënte: nuk kishim ç' ti bënim, se i kish firmosur kontratat Saliu
.
Kështu doli e tha kur i dha leje ndërtimi në Tiranë (megjithëse i kishte pezulluar të tjerat) pronarit të fabrikës së Gërdecit: ia kish dhënë më parë Saliu.
 
Këshhu doli e tha kur vazhdoi duke falur toka ndërtimesh në bregdet për pronarët e mediave: i kish firmosur më parë Saliu.
 
Dhe kjo kjo listë mund të vazhdojë pa fund. Por edhe kaq mjafton për të ngritur një pyetje. Përse erdhi Edi Rama në pushtet, për të zhbërë apo për të vazhduar veprën e Saliut? 
 
Sepse po ti besosh të gjithë propagandës së tij alibike duket se ai i ka duart e lidhura, sepse në këtë vend gjithçka e ka vendosur Berisha. 
 
Dhe pasi fitoi një fushatë qyl ( qershor 2013) vetëm duke bindur njerzit se duhej larguar Berisha, tani po kërkon edhe të jajë mëkatet e pushtetit të tij, duke përdorur të njëjtën fabul.
 
Jo nuk është kështu. Fajin nuk e ka gjithmonë Saliu. Ai ka marrë mbi shpinë plot krime dhe mëkate, madje shumë më shumë sesa mund të mbajë një njeri i vetëm. 
 
Por, ai nuk mund të jetë fajtor vetëm për një gjë: që Edi Rama po sillet njësoj si ai, madje duke e përdorur dhe si alibi.

SHKARKO APP