Edi, Qeveria u lodh, rifreskoje !
Nga Bledi Mane-Public Enemy
As turp, as frikë, as përçarje, as dyzim por vetëm presion publik ke dhe do të kesh për ndryshime të reja në kabinet.
Reformat radikale terapeutike që nise nuk mund të sosin pse ka sosur vullneti, dëshira dhe kurajoja e disa pre ministrave të tu.
Bëjua të qartë Metës, aleatëve, opozitarëve, media dhe taksapaguesve se nuk tunden themelet e bashkëqeverisjes pse do të largosh 4-5 prej ministrave të tu mediokër,dembelë e qylaxhinj.
E mban mend sa shpesh dhe sa racional tregoheshe me ndryshimet e stafit kur ishe kryebashkiak? Bëje, bëje dhe mos u tut edhe tani.
Largoje me urgjencë Mirela Kumbaron e kulturës edhe për kulturë rotacioni.
Shokun tënd dinamovit të ekipit Ilir Beqja e shëron nëse e largon nga shëndetësia dhe nxirre madje edhe në pension politik.
Financat besoja gjirokastritit nikoqir Arben Ahmetaj dhe Shkëlqimin që nuk shkëlqeu aspak ktheje në auditorët universitarë.
Mos u tut as nga prurjet dembele të Ilir Metës në qeveri dhe thuaj të rifreskojë mjedisin, drejtësinë dhe bujqësinë me emra dhe energji të reja.
Eglantina Gjermeni gocë e urtë dhe me rregulla duket por në vend të saj nëse shkon Niko Peleshi institucioni i zhvillimit urban do të zhvillohet më fuqishëm porsi rilindja e dytë e Korçës fisnike.
Prej hirit apo pahirit Tahirit duhet ti' sigurohet prudenca e nevojshme qeveritare në misionin e tij te mbarëvajtjes së rendit nacional dhe flamurin e Nokave të PD-së lere të gëlbazojë mbi fytyrën e krimit të së djeshmes.
Ah se harrova.
Brisejda superpjeshkën aguridhe të tatimeve patriote e kam, madje kam edhe goxha muhabet, por çoja bankës bullgare ku punonte më parë e mos e katandis qeverisjen në estradë amatore me zëvendësime simetrike.
Të fala Ilirit dhe le ti japim hakun këtij manjakut të pushtetit.
Sërish na tregoi se di të luajë fuqishëm dhe me të meta apo pa të meta, Meta e kërcen tangon edhe vetëm!