Edi Rama, armiku artificial i Kosovës
Kryeministri shqiptar ka nisur të realizojë politikën e tij të përforcimit të prezencës kulturore shqiptare në rajon nën timonin e tij. Kjo do të thotë se Rama shfrytëzon programet për zhvillime rajonale dhe kulturoro-ekonomike të BE-së për t’i mobilizuar shqiptarët e gjitha vendeve në operim si sferë kulturore me kërkesat legjitime politike, sociale, politike. Pa Kosovën, natyrisht…
Nga Baton Haxhiu
Dy vjet më herët, Edi Rama u heroizua.
Në Preshevë e pritën si lider kombëtar.
Por, duke e njohur sferën mediale kosovare e dija me siguri se nuk do t’ia pranonin që ai ta bënte sërish këtë gjë.
Pardje, në një debat në kuadër të “Forumit të Sigurisë” në Beograd, Edi Rama duke u përgjigjur rreth “kontestit” njëdimensional (serb) mbi Trepçën deklaroi me drejtpërdrejtshmërinë e tij të njohur se mos serbët duan ta transportojnë Trepçën prej tokave të Kosovës ku gjendet ajo dhe ta sjellin në Beograd.
Ai përsëriti qëndrimet e tij të mirënjohura se Serbia pa e njohur Kosovën s’ka kah ecë drejt Evropës. Dhe se i tërë rajoni politikisht do të mbetet këtu ku është.
Në Prishtinë plasi sherri. Publicistë, gazetarë, ministra dhe zëdhënës të tyre rindezën shkrimet: “Edi Rama nuk ka të drejtë të flasë në emër të Kosovës”. “Ai nuk e përfaqëson atë”. “Kosova është shtet i pavarur dhe ndërhyrja e Edi Ramës minuaka integritetin dhe sovranitetin e saj”.
Sugjerimi i teorive të shumicës reaguese është ky: Edi Rama do t’i tradhtojë interesat e Kosovës si gjithë pararendësit e tij: Zogu, Hoxha, Nano, Berisha.
Mediat nisën t’i shkundin arkivat personale edhe të konspirativëve më qesharakë të historisë shqiptare për ta dëshmuar këtë tradhti tradicionale tiranase ndaj “trashëgimtarëve” të Lidhjes së Prizrenit.
Ky elektrizim ka filluar që nga botimi i një artikulli të ashpër nga Petrit Selimi. Ai akuzonte Ramën se po u shërben serbëve duke shpërfillur kontributin e shtetit të Kosovës në ndërtimin e autostradës transballkanike, që dje një zyrtare e Bankës Qendrore e quajti “autostrada e paqes”.
Sa e arsyeshme është gjithë kjo frikë, kjo histeri, që kësaj radhe ndihmohet nga mediat?
Dinë ato diçka që nuk e di opinioni? Kanë fakte konkrete përtej kësaj që mund ta gjykojmë edhe vetë?
A ishte qëndrimi i Ramës në Beograd për Kosovën, apo në emër të Kosovës?
Kjo shprehje është aq e afërt dhe aq e largët, njëkohësisht. Semantikisht, e para (“për”) është për të transmetuar ide dhe momentum politik, kurse e dyta (“në emër”) ka të bëjë me përfaqësim politik.
Nga fjalimi i Ramës në Beograd shihet se kryeministri shqiptar ka folur për Kosovën dhe stabilitetin regjional. Pra, “për” Kosovën.
Deri këtu OK.
Kam heshtur ndaj shkrimit të Petrit Selimit, i cili përfaqësonte një ide të tij dhe të Partisë Demokratike karshi Edi Ramës, sepse mendova se ishte një moment hidhërimi i autoriteteve të Prishtinës.
Por, pastaj foli edhe Enver Hoxhaj.
Dhe u bë e qartë se situata nuk është naive.
Koncepti i kombit në Shqipëri duket se ka krejtësisht tjetër konotacion. Numri i të lodhurve nga patriotizmi, kombi dhe shteti është më i madh sesa i atyre që nxehen saherë që të ekzekutohet himni i flamurit. Shtoja kësaj edhe përvojën në totalitarizmin specifik pseudonacional të Enver Hoxhës dhe çështja bëhet krejtësisht e kuptueshme.
Qarqe të caktuara minore që preokupohen me zhvillimet në Prishtinë e Shkup lënë përshtypjen të merren me tezat e tyre nga ndjenja e dhembshurisë, i publikojnë ato më shumë për arsye kozmetike e në favor të “një bashkëpunimi vëllazëror kulturor”, sesa vërtet të kenë zbuluar vlera të përmasave interesante.
Në Kosovë situata është ndryshe. Kosova është shtet i ri. E pasi ende vlen formula: s’ka shtet pa identitet kombëtar (OKB), është krejt e natyrshme përpjekja e elitave kosovare që të angazhohen për ta definuar atë.
Në këtë kontekst tashmë në opinion janë etabluar tri teza kryesore:
Disa nga intelektualët me elektorat pas veti janë të mendimit se kosovarët nuk kanë nevojë për “shpikje identitetesh” sepse tashmë e kanë. Atë që ka Shqipëria.
Disa të tjerë pa masë pas vetes thonë determinueshëm dhe sipërfaqësisht (më shumë si parullë) se kosovarët kanë identitet europian dhe kosmopolitan.
Pjesa e tretë thotë se Kosova është epiqendra e qenies shqiptare dhe nga ky kënd duhet definuar identitetin e kombit kosovar.
Këto janë arsyet që e definojnë këtë gjuhë kundër Ramës. Dhe kjo gjuhë kundër kryeministrit shqiptar është vetëm për ta kontestuar autoritetin e tij.
Sa më shumë që po i afrohemi paqes me Serbinë, aq më e ashpër po bëhet gjuha ndërmjet shqiptarëve për ta gjetur primatin mbi peshën e tyre historike.
Dhe shikojeni ku qëndron dashakeqësia e elitës politike në Kosovë.
Tejet e paarsyeshme, dorën në zemër.
Para disa javësh kryeministri malazez Milo Gjukanoviq përsëriti qëndrimin e tij rreth shtetit të Kosovës. Rirrëfeu t’iu ketë apeluar miqve të tij serbë që të mos luftojnë më për diçka të humbur. Për të mirën e tyre dhe rrugën drejt Europës së rajonit. Deklarata e liderit malazez u festua nga mediat kryesore të Prishtinës si pragmatike, me një respekt gati sakral ndaj vendit fqinj.
Edi Rama në Beograd foli më ashpër se Gjukanoviqi në favor të Kosovës.
Për Kosovën, e jo në emër të Kosovës.
E përsëris – për Kosovën, e jo në emër të Kosovës.
Për Kosovën mund të flasin të gjithë – miq e armiq, të afërt e të largët.
Askush nuk mund të jetë instancë ndalimi për dikë që të flasë për diçka.
Prandaj, janë absolutisht injorante dhe të palogjikshme kritikat ndaj Ramës (dhe secilit Ramë tjetër, siç do të thoshte vetë Rama) që të japë mendim për Kosovën.
Edhe më absurde bëhet akuza kur ke parasysh faktin se Edi Rama është kryeministër i një vendi të rajonit ku bën pjesë edhe Kosova.
Akuza tjetër ishte citimi i nobelistit Ivo Andriq.
Nobelist jo për qëndrimet politike, por për letërsinë dhe artin. Dhe pikërisht nga korpusi i këtyre të fundit Rama citoi një fjali që i përshtatej me fjalimin e tij.
Vërtet ka mundur edhe të mos e përmendte Andriqin. Nuk do t’ia shihnin për të madhe. Por, e përmendi.
Bëri akt antishqiptar me citimin? Jo. Ishte diplomatik.
Për Udhën e Kombit asnjë fjalë. Pra, për kontestin burimor ndërmjet “shqiptarëve përtej e andej Drinit”, siç e quajti Agolli shtetin kosovar para presidentit Thaçi.
Këto janë arsyet që tentohen të prezantohen gjatë rebelimit të një pjese të shqiptarëve të Kosovës kundër Tiranës zyrtare. E këto s’janë arsye fare. E fakte edhe më hiç.
Atëherë ku qëndron problemi?
Kosovarët ndonjëherë duket se mediave serbe iu besojnë më shumë se të vetave.
Ndonëse mediat në Serbi synojnë me joprofesionalizëm të vazhdueshëm ta “zbërthejnë” domethënien e takimit në Beograd që nga ëndrrat e mundshme të Ramës e deri tek lulet e kollares.
Mediat në Prishtinë i transferojnë ato të dramatizuara për lexuesit e tyre. Nga ato vjen ideja se Rama përfolet si mediator ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Sa është e vërtetë kjo?
Dhe ja po të jetë e vërtetë: a ka më mirë se të kesh ndërmjetësues të tillë me një palë konflikti?
Por, këtë nuk do ta lejojnë BE dhe OKB edhe po deshën të gjitha palët për shkak të anësisë së Ramës në favor të Kosovës.
Një politikë ndryshe e Ramës tashmë jep konturat e saja: ai është më kategorik se çdo politikan tjetër para tij që mos i përzihet Kosovës në vendimet e saja.
Me kërkesën e vetë politikës së Kosovës.
Dhe kështu e kanë shtetet. Çdonjëra për vete.
Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar ka nisur të realizojë politikën e tij të përforcimit të prezencës kulturore shqiptare në rajon nën timonin e tij.
Kjo do të thotë se Rama shfrytëzon programet për zhvillime rajonale dhe kulturoro-ekonomike të BE-së për t’i mobilizuar shqiptarët e gjitha vendeve në operim si sferë kulturore me kërkesat legjitime politike, sociale, politike. Pa Kosovën, natyrisht.
E cila, nëse jo sot, atëherë nesër do të ndihet e izoluar brenda politikës europiane.
E bën ky fakt nervoz Prishtinën?
Nga analiza e rebelimit që po ndodh nuk jepet asnjë shenjë që politika prishtinase ta ketë lexuar këtë strategji të Ramës: integrimin e kulturës duke përforcuar atë si faktor jo vetëm integrimi, por edhe vendosjeje brenda rajonit.
Prandaj, as ky s’mund të jetë burimi i «kryengritjes» për nga mendësia arkaike e disa ministrave kosovarë.
Çka atëherë?
Bindja është e thjeshtë: e gjithë kjo rezulton nga frika e konkurrencës.
Frika që në dialog, në ndonjë formë, të përfshihet edhe Tirana, gjë që për qeveritarët kosovarë do të thotë zbehje e së vetmes mundësi për të luajtur ndonjë rol në rajon.
Kjo frikë nuk është racionale. Por, është frikë.
Gjithashtu është artificialitet. I skajshëm, pasi nuk ka asnjë bazë në realitet.
Rama bën politikën e shtetit të vet dhe për këtë nuk ka nevojë t’i kërkojë leje Prishtinës.
Ashtu siç Prishtina nuk i kërkon leje atij.
Krejt fer.
Tendenca e Prishtinës për t’ia mohuar të drejtën Shqipërisë që të flasë për Kosovën ka të bëjë me qëllimin e defaktorizimit të Tiranës. Por, ky qëndrim do të kthehet si bumerang.
Nëse zbehet ndikimi i Tiranës për Kosovën kjo gjë pashmangshmërisht çon në zbehjen e ndikimit të Kosovës në Ballkan.
Koordinimi i interesave mes Kosovës dhe Shqipërisë i fuqizon të dyja vendet.
Interesat gjithshqiptare nuk rrezikohen nga Edi Rama, përkundrazi rrezikohen nga ata që për të njëjtat qëndrime të huajve u bëjnë monumentin, e të vetët duan t’i pushkatojnë.
Edi Ramës i duhet ta durojë atë që gjithmonë u ka ndodhur shqiptarëve; që ngatërresave të shteteve fqinje, të cilat kanë qenë gjithmonë kërcënim për shqiptarët, t’ua shtojnë kaosin dhe kakofoninë e gjuhës vendore.
Në Kosovë dhe në Shqipëri.