Edi Rama: Një mjedis i mbushur me shpifje

 

Nga Edi Rama/

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

Do të doja të thosha disa fjalë lidhur me takimin e ditës së dielë në Bruksel, ku siç e dini Presidenti i Komisionit thirri me urgjencë të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në praninë e Kancelares gjermane, të Kancelarit austriak të Presidentit të Parlamentit Europian, të Presidentit të Këshillit Europian, si dhe të përfaqësuesve më të lartë të UNHCR-së për të trajtuar krizën e rëndë të refugjatëve, e cila po përshkallëzohet dhe faktikisht për të adresuar dy probleme;

Së pari, problemin e përgjithshëm brenda Unionit që ka të bëjë me refuzimin e një pjesë të konsiderueshme të vendeve të Unionit për tu përfshirë në një politikë kuotash për refugjatët. Por, njëkohësisht e lidhur kjo me faktin e gjithëpranuar se refugjatët nuk pranojnë të shkojnë në vende të tjera përveç Gjermanisë, Austrisë dhe Suedisë.

Së dyti, lidhur me problemin e krijuar në gjithë korridorin nga Turqia në Greqi, Maqedoni, Serbi, Kroaci dhe Slloveni, ku ishte dhe qëllimi kryesor i takimit për të krijuar një sistem. Në mënyrë që flukset të mund të në rashë të parë të regjistrohen, duke përmbushur kushtin themelor të zonës së Shengenit, gjë që sot nuk ndodh në shumicën e rasteve në Greqi dhe për të siguruar po ashtu një sistem në të cilin vendi që merr fluksin të mos e çlirojë menjëherë fluksin tek vendi tjetër sepse kjo ka krijuar një situatë të paadministrueshme në kufirin mes Sllovenisë dhe Austrisë.

Ajo që besoj ka rëndësi si informacion është se është fare e qartë që në radhë të parë kjo është një krizë që duhet adresuar aty ku po përpiqet ta adresojë edhe Bashkimi Europian edhe Kancelarja gjermane në Turqi. Dhe faktikisht po zhvillohen negociata shumë intensive me Turqinë, të cilat nuk janë ashtu siç është abuzuar rëndom në median shqiptare thjesht të natyrës financiare, por janë dhe të natyrës politike. Pasi është e qartë që në rast se Turqia do të bëjë një marrëveshje me Bashkimin Europian për të marrë përsipër administrimin në terrenin e saj të flukseve për të luftuar në bashkëpunim me Greqinë dhe me Bashkimin Europian në tërësi të gjithë sistemin e ngritur të trafikantëve që është një sistem i cili funksionon 24 orë në 24, atëherë mendohet besoj me të drejtë që fluksi do të shkojë duke u ulur. Dhe nga ana tjetër është kërkuar edhe disponibiliteti i vendeve të rajonit për të pranuar sistemin e mosshfryrjes të menjëhershme të refugjatëve në vendin tjetër përgjatë korridorit, ku siç e dini Shqipëria nuk bën pjesë.

Shqipëria nuk bën pjesë pasi korridori nuk kalon nëpërmjet Shqipërisë. Sidoqoftë, kjo është një çështje që shkon përtej vullnetit të mirë të vendeve të rajonit, se ka të bëjë me aftësitë administruese të secilit prej vendeve, me kapacitetet vendore dhe financiare të secilit prej vendeve dhe mbi të gjitha me gatishmërinë e refugjatëve për të pranuar një sistem administrimi me shkallë. Pra, për të pranuar që të qëndrojë në vendet e përcaktuara dhe t’i nënshtrohen një procesi regjistrimi dhe rishpërndarje. Dhe kjo është pika më e vështirë, pasi të gjitha dëshmitë e të gjitha vendeve të prekura në rajonin tonë ishin qartësisht të njëjta në pikën që ata nuk pranojnë të qëndrojnë në vendet e pritjes, nuk pranojnë të qëndrojnë nëpër kampet e ngritura dhe e vetmja gjë që duan dhe që bëjnë, pavarësisht edhe kushteve të vështira të motit nganjëherë, është që vazhdojnë të ecin drejt Gjermanisë.

Më lejoni t’ju them po ashtu që çështja e stërpolitizuar këtu në Shqipëri e azilkërkueseve shqiptar, është larg së qenit kështu siç përshkruhet këtu.

Autoritetet gjermane në radhë të parë, por edhe autoritetet e Bashkimit Europian e kanë shumë të qartë edhe origjinën e flukseve edhe faktin se këto flukse janë të lidhura drejtpërdrejt me gjithë këtë krizë të përgjithshme. Edhe faktin që unë e kam thënë disa herë, pavarësisht se është bërë objekt spekulimesh nganjëherë skandaloze që shqiptarët që shkojnë drejt Gjermanisë nuk janë vetëm shqiptarë që shkojnë nga Shqipëria. Dhe pjesa më e madhe e tyre janë emigrantë në Greqi.

Shqipëria nuk është e prekur dhe gjasat janë që edhe mund të mos preket nga kjo krizë, pavarësisht se me ardhjen e dimrit ekziston një skenar i UNHCR-së që fluksi mund të ngecë në Ballkan. Po ashtu këtë mund ta bëjë më të pranishme shtrëngesa që vetvetiu do të vijë qoftë dhe nga ana e Gjermanisë apo dhe Austrisë.

Sidoqoftë, edhe Shqipëria është e gatshme që të përfshihet në të gjithë programin e Bashkimit Europian dhe në një projekt të qartë që në epiqendrën e tij ka Gjermaninë dhe Austrinë.

Për momentin kjo është e gjitha dhe deklarata finale e takimit është shumë e qartë lidhur me pozicionet e të gjitha palëve, pavarësisht se implementimi i deklaratës është pjesa më e vështirë dhe mbase edhe e pamundur për arsyet që thashë më lart.

Nga ana tjetër, dua të përfitoj nga rasti për të vendosur disa pika mbi “i” lidhur me disa çështje dhe debate, në këndvështrimin tim të deformuara rrënjësisht.

Duke filluar nga vota kundër Amerikës e Shqipërisë. Del ish-Kryeministri i Shqipërisë dhe me papërgjegjshmërinë që e karakterizon lëshon alarmin se Shqipëria u pozicionua kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u vu në krah të Kubës.

Realiteti është ky që do t’ju tregoj unë tani.

Kjo është një rezolutë që kalon në çdo sesion, vit pas viti. Unë për të mos marrë historikun e gjatë kam marrë një historik të shkurtër, që nga viti 2005 deri në vitin 2015, në këtë rezolutë Shqipëria ka votuar gjithmonë njësoj.

I kam këtu, vit pas viti, që nga nëntori i 2005, kur janë shprehur kundër rezolutës vetëm Izraeli SHBA, Ishujt Marshall dhe një vend tjetër.

Në nëntor të vitit 2006, – flasim kur Kryeministër ka qenë ai që vuri alarmin, – përsëri vetëm 4 kundër dhe të gjithë të tjerët pro, përfshi dhe Shqipërinë.

Në tetor të vitit 2007, përsëri po ata të katër kundër, të gjithë pro, përfshi edhe Shqipërinë. Në tetor të viti 2008, janë shkëputur dhe Ishujt Marshall, kanë abstenuar, tre kundër, Izraeli, SHBA dhe Palau, Shqipëria pro, njësoj si vitet e tjera, me të gjithë të tjerët.

Në tetor të vitit 2009, tre kundër, Izraeli SHBA dhe Palau, Shqipëria pro me të gjithë të tjerët.

Në tetor 2010, dy kundër Izraeli dhe SHBA, Palau është shkëputur dhe është bashkuar me të tjerët. Ne tetor të vitit 2011, dy kundër, Izraeli dhe SHBA, të gjithë vendet e tjera pro, edhe Shqipëria.

Në nëntor 2012 Palau është rifutur në grupin dysh SHBA, Izrael, janë bërë tre kundër, të gjithë pro, edhe Shqipëria.

Në tetor të 2013-s, Palau ka ikur prapë me krahun tjetër, kanë mbetur vetëm Izraeli dhe SHBA kundër, të gjithë të tjerët pro, edhe Shqipëria.

Në 27 tetor të 2015-s kur vuri alarmin, kryeministri që për 8 vjet me radhë ka qenë në krye të një qeverie, qeverisë suaj, e cila ka votuar gjithmonë njësoj dhe kështu ka qenë dhe përpara, kështu ka qenë dhe mbrapa, përsëri e njëjta gjë, – vetëm SHBA dhe Izraeli kundër, të gjithë të tjerët pro.

Kjo besoj vlen si një shembull kuptimplotë për të treguar se çfarë i punoni ju së vërtetës, por jo vetëm ju, por dhe shumë burime mediatike, të cilat kanë kokën tuaj po njësoj, pavarësisht janë apo nuk janë me ju.

Kjo është e vërteta. Pra ja se si e gënjeni ju popullin shqiptar dhe se si kërkoni të ndërtoni një realitet tuajin edhe për të tjerët. Ndërkohë që ky është realiteti juaj, nuk është i të tjerëve.

Nga ana tjetër, lidhur me raportin “Doing Business” ne e kemi paralajmëruar, nuk është ndonjë vështirësi e madhe për të kuptuar se si mund të fitosh një pozicion dhe se si mund të humbasësh një pozicion. Bllokimi i lejeve të ndërtimit, ka qenë politikë e jona, të cilës ne i kemi qëndruar për të gjitha arsyet që dihen dhe që unë nuk do të hyj këtu ti diskutoj dhe ka sjellë si rezultat gjithë atë rënie në klasifikim, që në këndvështrimin tonë është tërësisht e rikuperueshme, pa asnjë problem. Por ndërkohë, përfitimi që kemi marrë nga bllokimi i lejeve të ndërtimit, në kuptimin e rivendosjes së kontrollit mbi një territor të bërë copë-copë dhe të trajtuar si plaçkë në 366 njësi vendore, është i pakrahasueshëm me humbjen që kemi në këto pozicione.

Megjithatë është absolutisht legjitime që kjo të diskutohet. Është absolutisht legjitime që mbi këtë të bëhet politikë edhe në kuptimin më të mirë të fjalës. Në fund të fundit është çështje këndvështrimi. Ju s’keni qenë asnjëherë dakord me këtë politikë tonën dhe të gjitha politikat tona. E normalisht bëni shumë mirë që të kapeni pas këtij raporti të BB. Por, ose të gjitha raportet janë të vlefshme, dhe të gjitha raportet janë pika referimi, ose pastaj lërini raportet. Sepse i njëjti institucion, Banka Botërore, po në raportin e vjeshtës 2015 ka thënë plot gjëra të tjera. Ka thënë se ekonomia shqiptare vazhdon të rritet, e mbështetur kryesisht nga investimet private dhe eksportet neto. Ka thënë se përmirësimi i treguesit të besimit dhe rritja e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, sugjerojnë se investimet private, të drejtuara nga rritja e investimeve të huaja direkte do të vazhdojnë të jenë kontribuuesit kryesorë, në rritjen e prodhimit të brendshëm kombëtar edhe për periudhat në vijim. Jo më larg se dje, pas një procesi të organizuar me standarde të plota ndërkombëtare, ju e patë se kemi hapur një ofertë për të pasur më në fund një zonë të lirë ekonomike dhe një park industrial që ka një investim fillestar në rendin e 1,5 miliardë dollarëve.

Është punuar një vit e gjysmë për atë projekt, ashtu siç është punuar edhe për projekte të tjera investimesh të huaja direkte që kërkojnë kohën e tyre dhe që do ti shikoni njërën pas tjetrës edhe në vitin në vijim, madje besoj ndonjërën prej tyre edhe gjatë këtij viti, për të kuptuar se e kundërta e asaj që thoni ju është e vërtetë.

Po ashtu, po BB ka nënvizuar ngushtimin e deficitit tregtar, si rezultat i rritjes së eksporteve dhe rënies së importeve, me gjithë rënien e çmimit të naftës në tregjet botërore. Po ashtu BB ka nënvizuar të njëjtën gjë që nënvizojmë ne, duke e parashikuar rritjen ekonomike me 2.7 % për këtë vit, ndërkohë që ne jemi besimplotë se hapësira e rritjes këtij viti do të jetë mes 2.7% dhe 3%. Po BB ka nënvizuar se Shqipëria është vendi me papunësinë më të ulët në rajon, në raportin e vjeshtës 2015, ashtu sikundër përsëri BB ka folur për rritjen e punësimit me 10.6 %.

Pra nëse i marrim raportet është e udhës që ti marrim ashtu siç janë edhe në rastin kur na pëlqejnë edhe në rastin kur s’na pëlqejnë. Ndërkohë që për raportin “Doing business” ne e kemi qenë shumë të qartë se do të ishte i tillë sepse kemi ndërhyrë me politikë të qëllimshme në një indikator shumë të rëndësishëm. Më tutje, ju flisni për ato që ju thotë imagjinata juaj.

Ndërkohë unë ju ftoj që ju ti referoheni shifrave zyrtare jo të INSTAT, jo të qeverisë, por të librave të llogarive të shtetit, janë shumë të thjeshta të bizneseve të regjistruara dhe të vendeve të regjistruara të punës.

Në gusht rezultonin 170601 biznese të regjistruara si aktive në të gjithë vendin, sot rezultojnë 188962 të tilla dhe këto janë shifra lehtësisht të verifikueshme në librin e llogarive të shtetit dhe jo në librin e statistikave. Nga 1 shtatori deri në 25 tetor janë regjistruar 18467 biznese, ose 7 herë më shumë se i gjithë viti i kaluar.

Përsa i përket mbylljeve, bizneset e çregjistruara nga shtatori në 25 tetor janë 768, ndërkohë që bizneset e çregjistruara në të njëjtën periudhë të viti t mëparshëm janë 787.

Në muajin shtator, të regjistruar, që janë në librat e taksave edhe të sigurimeve shoqërore, janë 52972 punonjës të rinj. Mbi të gjitha, nga fillimi i shtatorit deri tani janë 128 mijë punonjës të rinj të regjistruar. Nga të cilët, 107758 nga formalizimi i bizneseve ekzistuese.

128 mijë punonjës në një periudhë më pak se dy mujore do të thotë të paktën 128 mijë njerëz, të cilët kanë dalë nga zinxhiri i skllavërisë i punës në të zezë, janë njerëz të siguruar dhe që do të paguajnë taksa.

Edhe një e dhënë lidhur me fermerët. Nga 10500 fermerë që kanë paraqitur kërkesën për t’u paraqitur me NIPT, sot janë pothuajse të gjithë të pajisur me NIPT.

Ju që i qani hallin bizneseve dhe biznesit të vogël në mënyrë të veçantë duhet ta dini se si portofol xhiroje, në vetëm 45 ditë kemi një rritje 86% në krahasim me vitin e shkuar. Ndërkohë që biznesi i vogël që kalon në subjekt TVSH-je, si rezultat i rritjes së xhiros, rritet me 74%. Ndërkohë që vetëm për shtatorin është dyfishuar volumi i xhiros së biznesit të madh.

Sigurisht që lufta kundër informalitetit, pamjen e vet të dukshme ka kontrollet tek bizneset e vogla. Por është krejtësisht e pavërtetë që ne jemi fokusuar aty. Ne jemi fokusuar po ashtu tek biznesi i madh dhe janë 84 biznese të mëdha.

Disa nga ju e dinë që bëhet fjalë për procedura shumë më të vështira kur bëhet kontrolli i ligjshmërisë dhe janë procedura që zgjasin për një kohë shumë më të gjatë sesa kontrolli “ke kasë apo nuk ke kasë”.

Vetëm për shtatorin janë 16 biznese, të cilat rezultojnë në borxh në formë evazioni me shtetin prej 34 milionë dollarë. Kontrolli vazhdon, por ndërkohë, këto subjekte janë tanimë, subjekte të prokurorisë. Ne shpresojmë shumë që prokuroria të veprojë në bazë ë ligjit, për ta goditur këtë evazion të papranueshëm.

Po ndalem edhe në 2-3 çështje, që në fakt janë njësoj si ajo e Kubës. Siç dolët për të vënë alarmin nëpër botë që në Shqipëri është kthyer byrja e vjetër politike dhe është bashkuar me Kubën, janë edhe këto të tjerat.

Keni bërë një gjullurdi të madhe për punën e makinave dhe keni folur lloj-lloj çudirash. E vërteta është se ne kemi ndryshuar sistemin dhe e kemi ndryshuar për të kursyer.

Kemi bërë ekzaktësisht gjënë që bëjnë të gjitha qeveritë sot. Të gjitha qeveritë sot, të paktën në vendet normale, nuk blejnë më makina, por kanë sistemin e leasing-ut, i cili përfshin të gjithë mirëmbajtjen.

Dhe përsëri me shifra.

Totali i shpenzimeve për blerjen e 22 automjeteve – dhe është numri limit jo i automjeteve të Kryeministrisë, por të Këshillit të Ministrave, – ka një kosto 379766 euro më shumë sesa sistemi i leasing-ut. Dhe kjo është një kosto mesatare e të gjithë viteve, jo e një viti.

Në analet e procedurave të Këshillit të Ministrave, ata që janë marrë me këtë punë kanë gjetur se edhe paraardhësi im ka synuar ta bëjë këtë gjë. Do të kishte qenë shumë e arsyeshme ta kishte bërë, por për arsye që janë të panjohura, procesi nuk ka shkuar deri në fund. E vërteta është se sot, qeveritë funksionojnë kështu për shërbimet qeveritare; jo me blerje dhe jo me mirëmbajtje secili si t’i teket, por me një sistem ku ajo që i intereson qeverisë është që makinat të jenë në gjendje pune dhe të jenë me standardet e sigurisë. Të tjerat i ka kontraktori.

Nëse totali i kostos, sikur të vazhdonim të blinim makina dhe të shpenzonim gjithë çfarë shpenzojmë për mirëmbajtjen, si mesatare është 636393, me këtë sistem është 494250 euro. Pra, vetëm në një vit, ne kursejmë 141873 euro. Diferenca në katër vjet është 567491 euro, pra, është gjysmë milionë e diçka më shumë euro më shumë që kursehen.

Atëherë, përse të mos i kursejmë këto para! Për çfarë arsye të vazhdojmë me një sistem ‘futja kot’, secili bëj tendera, bli makina ngjyra-ngjyra e lara-lara dhe mirëmbaj secili sipas qejfit!

Sa për emrin që ju impresionon, se ju jeni edhe nga zonat me faunë të zhvilluar, jaguar është më i lirë sesa Volkswagen dhe po e po sesa Mercedes Benz. Për këtë arsye, edhe kjo është kursim, nuk është shpenzim. E janë të verifkueshme, merrini dhe verifikojeni, janë 60 mijë euro më pak. Ndërkohë që po të kishim marrë këto firmat që njihni ju, mund t’ju duken normale, por në fakt e vërteta është që është kursim. Në fund të fundit, ky është sistem menaxhimi. Po këto sistemet e menaxhimit ju nuk i kuptoni, se po t’i kishit kuptuar, do t’i kishit bërë kur ishit vetë në qeveri.

Po vazhdoj me koncesionin e hemodializës, që ju bën përshtypje dhe keni bërë gjithë këtë gjullurdi. Çfarë ndodh në fakt dhe le të marrim anën financiare dhe anën menaxheriale.

Deri tani, -dhe me “deri tani” kam parasysh shumë vite, nuk kam parasysh deri tani në këto dy vjet, -Ministria e Shëndetësisë, çfarë ka bërë? I ka dërguar të sëmurët në ambientet e institucioneve shëndetësore, jopublike, pra tek privatët, për ta kryer shërbimin e hemodializës. Në këtë aspekt ka vështirësuar, madje ka nxirë jetën e shumë pacientëve të cilët kanë qenë të detyruar të lëvizin gjeografikisht për të marrë shërbimin, pasi institucionet shëndetësore jopublike, siç i thonë rëndom, spitalet jo private, nuk janë të shpërndara në të gjithë territorin, dhe për shumën 80 euro për një seancë, i është ngarkuar pacientit që nuk është në Tiranë, apo nuk është në një qytet ku ka një spital privat, edhe një shumë tjetër e pa llogaritur këtu, që është shuma e transportit, e stërmundimit për të shkuar nga vendi i tij tek spitali privat.

Çfarë kemi bërë ne? Ne kemi ndryshuar sistemin. Me të njëjtin çmim, pa nuk kemi rritur çmimin. 80 eurot, edhe dje, edhe deri sot i jepen privatit, i jepen institucioneve shëndetësore jopublike, për të kryer dializën, aty ku janë. Ato gjeografikisht janë të përqendruar në pak pika. Ne, 80 eurot për një seancë i kemi përqendruar në këtë sistem partneriteti publik-privat. Me çfarë kushti? Nuk do të bëhet më hemodializa në spitalet private, do të bëhet në spitalet publike. E kush do ta bëjë? Do ta bëjë privati që është në partneritet me shtetin. Dhe çfarë do të bëjë faktikisht? Shteti do vazhdojë të paguajë siç ka paguar, 80 eurot për seancën, kurse privati do të bëjë investimin. Investimin për çfarë? Investimin që të ketë hemodializë edhe në spitalin e Korçës, edhe në spitalin e Sarandës, edhe në spitalin e Kukësit, dhe në çdo spital tjetër publik. Që do të thotë që as ai i Kukësit dhe as ai i Sarandës, – po marrë dy skaje po mund të marrë plot të tjera, – nuk detyrohen më të vijnë në Tiranë, ose të shkojnë në një vend tjetër ku ka spital privat, por do ta marrin shërbimin e hemodializës në një spital publik.

Privati do të bëjë investimin e infrastrukturës që shteti nuk e bën, nuk e ka bërë se nuk ka pasur mundësi ta bëjë financiarisht sepse është shumë e kushtueshme dhe nuk e bën ende sot. Fatura është e pandryshuar, dhe brenda 10 vjetësh, e gjithë infrastruktura e investuar i mbetet shtetit. Kjo është e vërteta.

Prandaj, këto janë në fakt, sa shprehje e horizontit të mbyllur tuajin për sistemet e administrimit, aq është edhe shprehje e dëshpërimit tuaj në pamundësi për të bërë opozitën.

Ka plotë e plotë çështje për të debatuar. Ka plot çështje për të sulmuar qeverinë. Por, ju shkoni e sulmoni duke u nisur pas emrash, duke u nisur pas principit siç keni bërë ju bëjmë dhe ne, duke u nisur pas idesë së ku ka një proces modernizimi dhe inovacioni ka një vjedhje të madhe e duke kujtuar se shqiptarët do t’ju besojnë ju. E do t’ju thonë juve, “hajdeni ju tani se këta po vjedhin shumë, hadjeni ju, që keni rënë nga qielli dhe nuk ju njohim”.

E fundit, për godinën e re të OSHEE-së. Përsëri e sjell këtë këtu, për të thënë që gjithmonë ndryshimi midis nesh dhe jush në këto lloj procesesh, është ndryshimi mes modernizuesve dhe feudalëve. Ju e drejtuat shtetin me një sistem feudal duke e trajtuar si plaçkë Shqipërinë. Tani çoheni dhe thoni, “pse duhet të ketë një godinë të re OSHEE-ja”? Ndërkohë që ju i keni imponuar OSHEE-së të paguajë qira, vetëm në Tiranë të paguajë qira 400 932 euro në vit. Thuajse gjysmë milioni euro në vit të paguajë qira. Dhe të paguajë qira për çfarë? Për mjedise në dy pallate, në distancë nga njëra tjetra. Për ta bërë shërbimin ndaj klientit në parkimin nëntokësorë të një pallati duke i lënë klientët në rrugë, të presin në shi e në diell sepse parkimi është i mbushur. E duke i hequr dhe parkimin pallatit e makinat bashkë me klientët në rrugë.

Ndërkohë që llogaria është shumë e thjeshtë. Po të marrim shumë e shpenzuar për këto qira absurde me cilësinë më mizerabël të mundshme të shërbimit, me shumën e shpenzuar për të ndërtuar një godinë qendrore, ku cilësia e shërbimit do të jetë e standardeve ndërkombëtare, në harkun e 5 viteve nuk ka më asnjë shpenzim për të bërë. Godina është pronë e kompanisë.

Ndërkohë që me teorinë tuaj do të vazhdojmë të paguajmë qira për gjithë jetën!

Është kompania më e madhe shqiptare. Po të shikoni kompanitë simotra të OSHEE-së, janë ikona edhe urbane, edhe në kryeqytetet e rajonit, të mos flas për Francën e për Italinë që i kanë godinat më të rëndësishme.

Ju thoni mbajini me qira, se nuk ja vlen të bëhet investimi. Për më tepër, është një investim i bërë nga të ardhurat e kompanisë. Jo ashtu si thoni ju, me gjakun që i është thithur popullit, popullit që ju e latë rrugëve me borxhe, e që nuk i thatë kurrë paguani se një ditë borxhet do të duhet t’i paguash. As nuk morët ndonjëherë mundimin që borxhet t’ia fshinit ndonjëherë, ia latë aty. I thonit, “vidh energjinë, na jep votën, por borxhin e ke aty”. Këtë nuk ia thonit, këtë të fundit. Por, për t’i shërbyer klientit e shërbimi ndaj klientit në atë godinë të re që është pjesërisht rikonstruksion dhe pjesërisht godinë tërësisht e re, do të jetë i standardeve europiane.

Këto janë faktet, këto janë shifrat, këto janë provat mbi gjithë këto abuzime të mëdha me të vërtetën, me publikun. Sepse me vetveten nuk e keni problem të abuzoni, vetveten e keni princip të lidhur me anëtarësinë në Partinë Demokratike, por të paktën, për sa na intereson ne, me të vërtetën me publikun.

Janë të gjitha shifra dhe fakte lehtësisht të verifikueshme. Të tjerat janë “dokrra hini” siç thoshte ati i Jozefinës!

SHKARKO APP