Edi Ramës i duhet një konflikt i ri

“Prandaj Edi Ramës sot i duhet një konflikt i ri. Në mos për të vërtetuar tezën e tij të opozitës antiperëndimore, të paktën ta mbajë të mbërthyer opinionin në diskutimin për të dhe të përfitojë sa mundet nga strategjia që i mbeti në mes, e cila donte ta paraqiste atë si të vetmin lider politik që e mbështet perëndimi. Fjalimi i tij e ilustronte më së miri këtë nevojë dëshpëruese elektorale”….

Nga Armand Shkullaku

Fjalimi i kryeministrit Rama të enjten në mbrëmje, ndonëse i mbajtur në vijim të festës për miratimin e Reformës në Drejtësi, nuk dha asnjë sinjal pajtimi apo bashkëpunimi me opozitën. Përkundrazi, ishte një provokim i pastër dhe një diversion banal për të mbajtur në këmbë strategjinë e dështuar të “frontit antiperëndimor” që nuk e donte reformën.

Në rrethanat kur opozita e bojkotoi festën e Fatmir Xhafës në Pallatin e Brigadave, do të ishte me vend që kryeministri i vendit t’i drejtonte asaj mesazhe afruese, pse jo edhe falenderimi, sepse në fund të fundit, reforma kaloi edhe me votat e saj. Edi Rama zgjodhi jo vetëm të mos e përshëndeste opozitën e vendit, por ta denigronte atë publikisht, duke dashur të ndezë kështu një konflikt të ri politik.

Po përse një kryeministër, që normalisht do të kërkonte qetësi për të mbyllur mandatin qeverisës, ka nevojë për një konflikt të ri?

Në radhë të parë, mbajtja gjallë e tensionit si variacion mbi temën e reformës, do ta mbërthente përsëri publikun në debatin përçarës që zgjat për mbi një vit e gjysmë. Duke provokuar konfliktin mbi një temë të ndjeshme si drejtësia apo mbi ndarjen në pro dhe anti perëndimorë, kryeministri zhvendos një debat shumë më të madh, që normalisht do të duhej të kishte filluar, atë mbi bilancin e qeverisjes. Ai synon t’i kanalizojë energjitë e kundërshtarëve dhe mediave tek polemika “kush është me BE dhe SHBA” për të kaluar në heshtje afera të dyshimta (që mund të shërbejnë edhe si burim të ardhurash për fushatën e ardhshme) si ajo e lagunës së Karavastasë, bregut të Karpenit, stadiumit apo disa koncesioneve të reja mbi të cilat po hetohet shumë pak.

Fjalimi i Ramës kishte një paragraf, ku lexohej qartë nevoja për një konflikt të ri, ndërsa jepte arsyet që sipas tij çuan në miratimin e reformës:

“Së pari, presioni i vullnetit popullor, që u mishërua natyrshëm qysh në krye të procesit, në bashkëpunimin e shumicës qeverisëse me aleatët strategjikë të Shqipërisë. Së dyti, presioni i pazakonshëm i aleatëve strategjikë mbi bllokun kundër reformës, që arriti një kulmim vendimtar në fund të procesit. Së treti, presioni që krijoi brenda atij blloku, kurajo e disa deputetëve, që garantuan shumicën kushtetuese për votimin e reformës”, tha Rama në Pallatin e Brigadave.

Pra në asnjë prej tri shkaqeve sipas tij, kryeministri nuk i njeh asnjë meritë opozitës. Në të kundërt, lë të kuptohet, se ajo ka qenë kundër. Madje jo vetëm kundër reformës, por edhe kundër vullnetit popullor që “u mishërua tek bashkëpunimi i shumicës qeverisëse me aleatët strategjikë të Shqipërisë”. Këtu vijmë tek arsyeja e dytë se përse Rama ka nevojë për një konflikt të ri. Ai kërkon ta përdorë ndarjen në pro dhe kundër perëndimit, me apo kundër shumicës së shqiptarëve, jo vetëm për të zhvendosur vëmendjen nga bilanci dramatik i qeverisjes, por edhe si një kalë beteje në një fushatë të ardhshme elektorale.

Ndonëse kali i reformës duket tejet i rraskapitur, kryeministri po tenton ta shfrytëzojë përsëri, si të vetmen mundësi që i ka mbetur për të bindur shqiptarët të votojnë përsëri për të dhe jo për “ata” që nuk i mbështet as perëndimi. Si në rast zgjedhjesh të parakohshme, ashtu edhe në ato normale, Rama do të provojë të mbajë ndezur këtë ndarje të re me kundërshtarët. Jo rastësisht ai përdor termin “bllok” kundër reformës, duke aluduar jo vetëm për opozitën, por edhe për LSI të cilën gjithashtu, (por në mënyrë shumë më të kujdesshme) kërkon ta hedhë në krahun antiperëndim.

Ka edhe një arsye tjetër përse kryeministri nuk e kurseu provokimin edhe në një ceremoni festive. Duke aluduar për “kurajon” e disa deputetëve të opozitës që garantuan shumicën kushtetuese, Rama shprehu frustrimin dhe dëshpërimin e tij që opozita e votoi reformën në drejtësi. Me kartën e djegur të votës antireformë dhe antiperëndim, Edi Ramës i mbetet vetëm teoria e “votimit të detyruar” për të stigmatizuar opozitën. Ai nuk mund ta pranojë që opozita hyri në këtë proces si palë negociuese dhe jo refuzuese. Që ia doli deri në sekondat e fundit, që një draft që i jepte kryeministrit gjithë drejtësinë në dorë ta kthente në një ligj shumë më të balancuar.

Prandaj Edi Ramës sot i duhet një konflikt i ri. Në mos për të vërtetuar tezën e tij të opozitës antiperëndimore, të paktën ta mbajë të mbërthyer opinionin në diskutimin për të dhe të përfitojë sa mundet nga strategjia që i mbeti në mes, e cila donte ta paraqiste atë si të vetmin lider politik që e mbështet perëndimi. Fjalimi i tij e ilustronte më së miri këtë nevojë dëshpëruese elektorale.MAPO

SHKARKO APP