`Edioti`, Myftiu `Bamirës` dhe gazetarët `raportues`
Nga Çim Peka –
Habitem me ata që thonë e shkruajnë, se kryeministri Edi Rama nuk po bën asnjë gjë në këto ditë të rënda të post tërmetit të madh.
Unë mendoj ndryshe; Rama po bën eksperimentin e tij të fundit, me këtë popull e me këtë opozitë.
Testi i madh është pak a shumë ky: Nëse unë vazhdoj të bëj rolin e idiotit, të viktimës, të të pafajshmit, të fatkeqit, të të dhembshurit; `të shokut Enver që nuk dinte gjë`, etj, a do ta hanë edhe këtë herë që u bë hataja, jo vetëm për faj të natyrës dhe Ilir Metës `që e ndolli`?!
Është bërë mjaft popullor së fundmi në rrjet dhe në shkrime të ndryshme, një neologjizëm ndërtuar mbi emrin e kryeministrit të Shqipërisë. Duke parë sjelljen e tij gjatë këtyre ditëve të gjëmës kombëtare, që të kujton atë shprehjen, “ore ti je, apo bën si budalla`, Edi për shumëkënd (edhe për mua, në momente të caktuara) tashmë është; Ediot.
Por ky është një nga kurthet e shumtë meskin, për të cilat ai duket se është mjeshtër dhe gëzon, kur ne biem brenda. Zakonisht idiotët nuk janë të rrezikshëm, madje përkundrazi bëhen edhe të dobishëm e argëtues me naivitetin dhe sinqeritetin e tyre. Por edhe kur bëjnë gabime dhe faje ata amnistohen të paktën nga gjyqi i opinionit, sepse në fund të fundit janë thjesht idiot, e nuk dinë se çfarë bëjnë.
Edi Rama mund të jetë çdo gjë; Edhajdut, Edlig, Edpabes, Edzi etj, por kurrsesi idiot. Kush mendon kështu ka rënë në një nga grackat e shumta, me të cilat ai shpreson se do të tejkalojë të vërtetën, që na zbuloi me një faturë të dhimbshme ky tërmet.
Ai është kryeministër dhe duhet trajtuar e gjykuar, vetëm si i tillë. Sepse po ta vini re, ai nuk mërzitet fare nëse e konsideron si idiot apo të çmendur, por tërbohet kur i thua; Sa para ke në buxhet, për këtë situatë?
Çfarë bëre pas tërmetit të 21 shtatorit?
Ku i ke kanalizuar paratë e emergjencave, që tani po i lyp poshtë e përpjetë?!
Por `Edioti` së fundmi po na shpalos edhe një kurth tjetër; atë të Edviktimës, apo Edgjynasë.
Që të harrojmë se Edi Rama është njeriu kryesor përgjegjës, për atë shtet prej kartoni (e dinim, por tejkaloi edhe parashikimet e më kritikëve) që na u shfaq mëngjesin e të martës, ai del në mes të natës rastësisht përpara kamerave të tij dhe qan.
Po përse qan Edgjynaja?
Për dhimbjen e Gregut, për një njeri të rëndësishëm që humbi dhe që mediat e tij e spinuan si e fejuara, e që Gregu e aprovoi në heshtje, pasi babi Edit i duhej një viktimë në familje që të ndjenim keqardhje për Edin e jo viktimat. Aq i madh është “dëshpërimi” i tij, sa që ikën me vrap Balles. Por kamera `e pavarur` e News në vazhdën` e punës epike të kolegëve të tjerë bën heroizëm dhe arrin që të kap ca pika lot dhe mesazhin e fundit që ai lëshoi në ajër, për të gjithë fat-keqët që po vuajnë pasojat e një tërmeti të ndihmuar fort nga papërgjegjshmëria e shtetit të tij;
Ju kam njësoj si Gregori-thotë i përvuajtur. Pastaj iku nga dëshpërimi se do të shtonte me siguri; edhe si Zahon e si Lindën, por ne mund ta marrim me mend vazhdimin e filmit.
Ky është vetëm një pasazh i filmit-test. Në skenë futen bamirësit. A keni dëgjuar e parë ndonjëherë, që një individ që mbledh para nga shqiptarët herë duke bërë të përvuajturin e herë duke `luajtur` me Zotin e Allahun; që dhe ble edhe spital pa treguar cent për cent burimin e të ardhurave, të quhet bamirës?!
Po ata që i dhurojnë ato para të hequra mënjanë nga djersa e hidhur në emigracion më së shumti, çfarë quhen?!
Gjithsesi në thelb nuk jam kundër fushatave që organizon `myftiu` Elvis Naçi. Por ai duhet të deklarojë të paktën, se është vetëm një menaxher i hapësirave të lira që lë një shtet anti-human, fatkeqësitë, sëmundjet dhe varfëria që në këto anë është me shumicë. Se bamirësinë e bëjnë të tjerë, jo ai dhe aq më pak Edleku, me të cilin u shfaq këto ditë nëpër çadrat e atyre të cilëve vetëm pak kohë më parë u shtoi edhe një taksë për shtëpitë e apartamentet që ju thërrmoi ky tërmet.
Pastaj shfaqet i nevrikosur dhe kërcënues me mediat, të cilat po zbulojnë orë pas ore, atë që fshehin institucionet; pra se punët janë më të thella e më të rënda. Që jo vetëm shteti i tij gjatë këtyre viteve na qenka marrë vetëm me shpërndarjen e taksave dhe të pasurive të vendit për një grusht njerëzish duke lënë arkën bosh, por edhe se na ka gënjyer për situatën e pas tërmetit të 21 shtatorit. Se nëse ky shtet pas tërmetit të parë nuk do ta shihte, për shembull Thumanën, si një vend ku mund të kapen 300 milion euro me një rrugë qore por si një qytezë në rrezik permanent me themele të thërrmuara, dora e tërmetit nuk do të kishte qenë kaq e rëndë në jetë njerëzish e dëme materiale.
Dhe është ky momenti, kur Edioti dhe Edgjynaja shndërrohet në Edtrimi e Edkërcënuesi. Kurse supergazetarët `raportues` e kukullat në studio që lëvizin sipas fijeve që tërheq Fuga, qeshin e zgërdhihen!
Për të mos e zgjatur, ndërkohë që bota dhe vetë shqiptarët po mobilizohet fortë për të ndihmuar Shqipërinë e grabitur dhe të tradhtuar nga qeveria e vetë, eksperimenti dhe testi i Ediot-Edviktimë-Edgjynah Ramës vazhdon.
Le ta luajë filmin deri në fund, por nga llogaridhënia për krimin që i ka bërë të paktën Durrësit së bashku me `Gjush akulloren` që këto ditë ka shkrirë e nuk gjendet gjëkundi, nuk ka `myfti bamirës`, opozitë e `TOP` që e amniston! /SYRI.net