Efektet e pas’darkës Meta-Rama
Tashmë është publike një takim në formën e një darke pune mes Ilir Metës dhe Edi Ramës shoqëruar nga Petrit Vasili (LSI) dhe Erion Veliaj (PS). Kjo ka ndodhur mbrëmë. Në mes të Tiranës dhe jo në ndonjë restorant apo kafe periferike ku edhe mund të mos merrej vesh. Duket që nisur nga vendi ku darkuan kanë dashur të lëshojnë mesazhe publike dhe politike, edhe pa folur asnjeri për median.
Dhe e bënë!
Sot që në pikë të mëngjezit filluan lajmet (është normale), teoritë e konspiracionit, thashethemet, gjithsejcili ndërtoi një skenar në mendjen e tij. Dhe me vrullin e kohës digjitale kaluan në çdo sy apo vesh shqiptari. Disa sajonin se u dha Presidenti një partie, të tjerë tregonin se Ilir Meta u bë ministër i brendshëm (ndërkohë që është numri dy i shtetit), ca të tjerë u tërhoq Edi Rama dhe do pranojë qeveri teknike dhe me LSI-në do futet në koalicion duke e dërmuar thellë opozitën; kishte edhe ndonjë që thoshte që kanë bërë sherr Meta dhe Rama, derisa u dëgjuan të sharat te lagja 21 dhjetori (!), siç ka fjalë se në PS grupi i Saimir Tahirit është zëmëruar fort me Edi Ramën pse hëngri peshk me Ilir Metën.
Të gjitha këto janë të pranueshme në një shoqeri demokratike. Por duke qenë se jemi 16 ditë para datës finale kur dorëzohen koalicionet partiake në KQZ për zgjedhjet si dhe duke patur një problem të madh siç është çadra e opozitës, e cila nuk pranon akoma të futet në zgjedhje, hamëndjet janë të shumta. Fantazia shkon përtej limiteve marsiane. Ajo ka qenë një darkë e qetë, miqësore dhe pa asnjë diskutim darkë politike. Derisa janë në një koalicion që vazhdon, derisa janë parti të së majtës, derisa kanë përgjegjësinë kushtetuese si kryetar parlamenti dhe si kryeministër, ata takohen dhe shumë mirë bëjnë. Bile mirë do të bënin nëse firmosin prapë bashkërisht koalicion të së majtës dhe vetëm me të majtë, por duhet medeomos të gjëjnë zgjidhjen për të garantuar opozitën të futet në zgjedhje. Mes një familje të thjeshtë ka plot debate, sherre, mendime të kundërta dhe mbetet normale se nuk jetojmë në kohë patriarkale. Kur brenda një familje ndodhin këto, natyrisht që brenda një “fisi” ka edhe me tepër ndarje, debate dhe mosrënie dakort për disa gjëra. Por PS dhe LSI janë “fis i majtë”. Nuk ka se si të bëhet ndryshe. Edhe kur LSI bëri marrëveshje me “fisin e djathtë” ishte rast specifik, se flitej për fatin e “fshatit”, e ku “fshati” në këtë rast është Shqipëria.
Tani sejcili gjen veten te fisi i tij politik.
Kryesorja mbetet që pasdarka të prodhojë që “fisi i djathtë” te ketë me tepër besim te “logu i votimit”.
Nëse mbrëmë të dy, Meta dhe Rama, e kanë gjetur zgjidhjen, edhe për koalicionin e tyre, edhe për çadrën, atëhere meritojnë dhe një darkë tjetër! Bile le ta quajnë “Besëlidhja e re”.
Spiten Prulli