Efekti spektakël me arrestimet e fundjavave!

Arrestimi i ish-Ministrit, është më i larti për nga hierarkia gjatë viteve të fundit, por duhet nënzivuar se Ksera, nuk ka as mandat deputeti, është një hap i mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit. Por, prokuroria ka prej thuajse dy vitesh denoncime për përfaqësues të qeverisë Berisha dhe Rama, si dhe të Parlamentit aktual, për të cilat nuk është vepruar ende“…

Nga Ilva Tare

Ndalimi nga policia i ish-Ministrit të Punës së qeverisë së mëparshme, Spiro Kserës, në Dervician në orët e mbrëmjes të së premtes, ishte premtues për një fundjavë të mbushur me lajme dhe faqe të para të gazetave, mbi rënien në rrjetën e drejtësisë të të ashtëquajturve peshq të mëdhenj. Retorika dhe debatet e nxehta për reformën në drejtësi, duket se i ka dhënë zemër prokurorisë për të përfunduar hetimet e qindra dosjeve për korrupsion që qëndrojnë në zyrat e hetuesve prej shumë vitesh.

E drejta e prokurorisë për të kërkuar ndëshkimin e zyrtarëve që kanë përfituar në kurriz të taksapaguesve shqiptarë duhet përshëndetur dhe inkurajuar nga shoqëria shqiptare, pavarësisht mosbesimit të lartë që ka tek drejtësia. Megjithatë kur e drejta i kalon kufijtë e lirisë dhe të drejtave të të akuzuarve, rrezikon të kthehet në boomerang.

Pamjet e Kserës me pranga, i shoqëruar nën masa të rrepta sigurie i ngjanin një spektakli televiziv të shfaqur edhe më parë, siç ishte rasti Fullani që në fund të gjykimit përfitoi pafajësi. Ka një hendek të madh midis rrezikshmërisë shoqërore për të cilën nevojiten prangat, akuzës së ngritur nga organi i hetimit dhe vendimit përfundimtar të gjykatës në rastet e gjykuara nga drejtësia shqiptare.

Zelli i tepruar për ta ushqyer opinionin publik dhe aktorët ndërkombetarë me foto të ish-ministrit në pranga, duket si një përpjekje e dëshpëruar për të zëvendësuar statistikat e mungurara të të ndëshkuarve për abuzim me pushtetin, që mbetet një nga sëmundjet më të rënda të shoqërisë shqiptare. Për më tepër, ky spektakël është i panevojshëm po të kihet parasysh shkalla e rrezikshmërisë shoqërore që paraqet i pandehuri me akuzën e shpërdorimit të detyrës, e cila parashikon një dënim maksimal 7 vjet burg.

Arrestimi i ish-Ministrit, është më i larti për nga hierarkia gjatë viteve të fundit, por duhet nënzivuar se Ksera, nuk ka as mandat deputeti, është një hap i mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit. Por, prokuroria ka prej thuajse dy vitesh denoncime për përfaqësues të qeverisë Berisha dhe Rama, si dhe të Parlamentit aktual, për të cilat nuk është vepruar ende.

Rreziku i keqpërdorimit të së drejtës per të dhënë drejtësi me shkeljen e të drejtave të individit duhet shmangur edhe për faktin se në vend të ndëshkimit të fajtorëve, ofrohet një spektakël fals, pak a shumë si aktivitetet fiktive për të cilat fillimisht Kontrolli Lartë i Shtetit dhe më pas Prokuroria akuzon Kserën dhe bashkëpunëtorët e tij.

Nuk është e rastësishme dhe sipas procedurave as e ligjshme që të ndaluarit të hyjnë me pranga në sallën e gjyqit, ndërkohë që një polic heq keq për minuta të tëra përpara kamerave televizive, për t’i hequr prangat. Nëse mesazhi që autoritetet duan të përcjellin është ai i ndëshkimit të abuzuesve me fondet publike, nuk mjaftojnë arrestimet e bujshme, por duhet të artikulohen dënimet e munguara, të cilat deri më sot i janë faturuar drejtësisë së korruptuar.

Për herë të parë edhe qëndrimi i opozites, ishte parimor duke treguar distancë ndaj akuzave të ngritura ndaj ish Ministrit të saj dhe u shpreh në mbështetje të një hetimi të paanshëm të drejtësisë. Ndërsa ndalimet dhe akuzat e mëparshme të zyrtarëve të lartë, që janë aktivë dhe të lidhur më drejtuesit e partive politike, deri më tani janë anatemuar politikisht dhe proceset gjyqësore janë paragjykuar politikisht.

Edhe koha e ekzekutimit të urdhër arresteve për korrupsion gjatë fundjavës duket si një zgjedhje në favor të audiences pasi media ka ushqim të mjaftueshëm për më shumë se 48 orë deri në sigurimin e masës në gjykatë, për të analizuar dhe në disa raste edhe shpallur martirët e luftës anti korrupsion. Mbetet për tu parë nëse ky arrestim është një episod sporadik apo do të pasohet nga emra të tjerë të piramidës së pushtetarëve që deri më sot kanë shijuar privilegjin e pandëshkuesmërisë. (Java)

SHKARKO APP