Eja, o i dashur, po të pres me shalët hapur…

Nga Pëllumb Kulla

Përshtypje nga një bisedë mbi erosin, në Opinion-in e TV Klanit-

Ndodhi para ca ditësh… Drejtuesi i emisionit, i cili në rubrikën e tij paguan njerëz të mblidhen ta dëgjojnë dhe jo t’i dëgjojë, që pasi pyet dhe ndërkohë që tjetri përgjigjet ai mendon vetëm për pyetjen e radhës dhe për numrin e filmimit, që i kërkon regjisë të hedhë mbi ekran, mblodhi ca zotërinj e zonja dhe u ofroi temën e shumë tabuve që pengonin emancipimin e shqiptarëve në shekuj.

Tema e erosit ishte e zgjedhur mirë, por përgatitja ishte e lodhur dhe, me dy-tri përjashtime, përzgjedhja e pjesëmarrësve ishte për të qarë hallin. Mbi të gjitha nuk pat marrë mundimin të thërriste një aktor të lëçiste a recitonte ato vargje të anonimëve, apo të poetëve të vdekur që patën shkruar për dashurinë, por edhe ato mori përsipër t’i recitonte vetë, duke mos u tutur hiç që nuk e qëlloi asnjëherë theksin logjik dhe që në çdo dy fjalë, bënte mesatarisht tri gabime!

Mbi të gjitha për shkak të shijes së tij ordinere dhe për mungesën e përgatitjes së pjesëmarrësve, në më të shumtën e kohës, aty nuk u pa gjëkundi përqasja delikate ndaj kësaj teme. U nëpërdhëmbën vargje të shëmtuar të përsëritur disa herë gjatë bisedës si “sisët i kullonin djersë” apo u suall portreti i një gruaje të trembur që kish pozuar dhe shfaqur gjoksin e hapur ngaqë, me gjasa, i patën vënë para syve tytën e kobures…

Sinqerisht, nuk mund të kuptoj dhe të mrekullohem përpara “sisëve që kullojnë djersë” dhe përpara mungesës së feminilitetit në një tablo ku feminile janë vetëm dy thithkat e gjinjëve.

Nuk pashë t’u lihet vend dy vajzave të reja të ftuara aty, që u përmbytën nga tablo të përzgjedhura keq dhe nga vargje banalë të K.Th. Spirit, Pano Taçit dhe të asaj poetes që ka marrë monopolin e emancipimit të shqiptarëve, për të cilën do të flas, në mbyllje të këtyre shënimeve.

Ndihej një thatësirë figurshmërie, që erotika më shumë se çdo temë tjetër ka nevojë për të. Shikuesit sot kanë më shumë nevojë për figurshmërinë se sa për puthjen, lakuriqësinë, mishrat e kapërthyer dhe skenat pornografike, që janë fundi i pusit të fshehtësive. Nuk janë kërkesa namuzqarësh dhe konservatorësh parapëlqimet e gjysmëlakuriqësive që janë në shumicën predominuese të rasteve më të bukura se vetë lakuriqësitë. Përtej lakuriqësisë ka shkretëtirë, asgjë të re nuk pret të shfaqet më, kurse milionat e syve të drejtuar mbi ato gjysmë të fshehta, ushqejnë fantazitë që janë edhe ato miliona të ndryshme, të mjafta, të pasura edhe më të pasura.

Shumë vite më parë artisti Aleksandër Lalo, vinte nga malësitë e Kukësit ku punoi disa vjet dhe më tregonte tekste këngësh që pat mbledhur nëpër ato vise. Më ka mbetur në mend një tablo popullore që krijonin ca vargje të mahnitshëm të një kënge. Përpiqem t’i kujtoj:

“Tak tak tak po troket dera/ Çile nuse derën/ S’mun ta çil, o babë un derën/ Ma ka zanun trimin gjumi/ m’i ka zanë flokët përfundi …. Tak tak tak po troket dera/ Çile nuse derën/ S’mun ta çil, o nanë un derën/ ma ka zanun trimin gjumi,/ ma ka zanë krahin përfundi/ Tak tak tak po troket dera/ Çile nuse derën/ S’mun ta çil, o motër derën/ ma ka zanun trimin gjumi/ ma ka zanë kambën përfundi… “

Isha dakord me Lalon që kishim përpara një finesë të jashtëzakonshme të përshkrimit të një tabloje shtrati, pas natës së parë të stuhisë martesore, që gjenia popullore ka ditur ta endë dhe të na e lerë trashëgim. E të na e paraqesë kundër asaj tabloje banale “me prehërin e nënesë,/ ku sisët kullojnë djersë!”

Vargjeve të Poradecit mund t’u shtoheshin një sërë krijimesh të Nexhat Hakiut, të Kadaresë të viteve të tij rinore, kur ai “ishte këmbanë, që tingëllonte në çdo vështrim vajze,” apo të Petrit Rukës që, ndonëse pa ndjekur rregullisht gjithë krijimtarinë e trojeve tona, mund të them se Ruka i ka të shumta poezitë erotike, ndofta më të bukurat shkruar ndonjëherë nga një penë shqiptare, dhe që aq vëmendshëm ishin paraqitur në një bisedë shumë më të fisme se kjo, drejtuar nga Aulona Minga në “Kafenë e së Djelës” në TV Publik. Vetëm dy strofa për ilustrim…

…………………………………………………………

O moj çmendje e bekuar, thikë e ëmbël, pa harrim,

Nëpër borën dy pëllëmbë…në një natë të Jugut tim,

Qysh i mbushe trupat tanë plot e plot me ura zjarri

Dhe na shtrive lakuriq mbi çarçafët prej acari.

…………………………………………………………

Shkriu bora me rënkime gjersa doli toka poshtë ,

Përmbi kryq të trupit tënd unë, Krishti, pa një gozhdë,

Krisht i moshës njëzet vjeç, me një Bibël kuturu,

Ngjisja malet e Sinait, – ata ishin gjinjtë e tu…..

Gjinjtë e tu!… Ca gjinj që nuk kullojnë asnjë pikë djersë!… E pranoj kundërvënien me arsyetimin që shijet janë krejt subjektive dhe personale, ashtu si edhe përzgjedhjet, por kam mendimin se krijimtarisë së pasur të këtij poeti të rrallë, e sidomos, qasjes së tij ndaj kësaj teme preferenciale të poezisë, kritika dhe vëmendja insitucionale të humbura në xhunglën e tranzicionit, nuk po i kushtojnë vëmendje. Por ama nuk është se neve nuk na janë dhënë modele të reja, nuk është se nuk janë shënuar kampionë të novacionit dhe të guximit poetik, edhepse vendi për guxim poetik tashmë nuk ekziston, po qe se nuk ngatërrohet guximi me paturpësinë.

Nuk mund të mendohej që të mos ishte e ftuar në këtë bisedë të TV Klanit, zonja Rita Petro, e cila na solli një faqe nga libri i saj “Vrima” duke na thënë gojëplot, se nga ky, libri më i shquar i vitit, ajo ishte faqja më e shquar e saj.

Të më ndjejë zonja poete nëse nuk e kam memorizuar si duhet recitimin e saj.

“Eja i dashur,/ Po të pres sy hapur/ Po të pres gojë hapur/ Po të pres krahë hapur/Po të pres këmbë hapur/ Futu në tunelin/ Ec në tërë gjatësinë e tij/ ku dalje në fund nuk ka/ shijoje zhurmën e ujërave/ dhe stërkalat e bardha…”

Kam patur rast të dëgjoj edhe të lexoj nga libri i saj edhe vargje të tjerë më skandalozë – jo për shqiptimet tabu, por për varfërinë artistike, – që më ka krijuar bindjen se ai vëllim do të ishte më përshtatshmërisht të quhej manual për masturbatorët dhe praktikantët e onanizmit, se sa një vëllim poetik.

Dhe ky vëllim cilësohet si libri vitit!

Dhe ky vlerësim i shpallet asaj dhe publikut, estetëve dhe poetëve, në prani të Ministres së Kulturës dhe të vetë Kryeministrit!

Ne tani jemi të lirë. Diktatura, dhe njëri nga nënkomponentët e saj, çensura, nuk ekzistojnë më. E askush nuk po na i flak turinjve dhe nuk na i kundërshton krijimet tona banale. Zonja Petro si të gjithë ne e gëzon këtë liri dhe mund ta botojë librin e saj dhe mund ta shesë lirisht, po qe se ia blejnë. Bile mund të ketë edhe shitje rekord, se, siç thamë, masturbatorët nuk janë të paktë në numër në këto viset tona.

Por për këtë liri nuk janë kryeministrat tanë që e kanë meritën. Dihet që ata bëjnë mjaft kujdes që ministrat e tyre, si cilësi të parë të kenë qëndrimin gatitu dhe mos kundërshtimin. Ca më tepër, në rastin në fjalë… Është zoti Rama dhe jo ministrja e tij, e cila për shkak të staturës dhe autoritetit të saj të mangët në fushat e kulturës, nuk ma ha mendja ta bënte dot atë thagmë. Pra është kryeministri që u kujdes që të na e jepte këtë libër si model të arritjeve në rafshin e letërsisë. Ky përbën një imponim të mjeruar, të dhunshëm, me domethënie shumë të trishtë.

Dhe ja një nga konformizmat pasdiktatorialë: ai njeriu që u sjell shqiptarëve Opinionin e madh, ai gazetari që flet se të tërë të ftuarit sëbashku, dhe që i mbledh ata që ta dëgjojnë, fton në krye të vendit kampionen e emëruar të emancipimit poetik të shqiptarëve, e cila ligjëron:

Eja, o i dashur, po të pres me këmbët hapur

SHKARKO APP