Ekonomia e internetit, ‘lufta e heshtur’ SHBA-BE
Në pamje të parë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian vlerësohen si aleatë të pazgjidhshëm që ndajnë qëndrime thuajse identike kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme ndërkombëtare, që nga terrorizmi, situata në Ukrainë e Lindjen e Mesme, por edhe politikat energjitike.
Por nën rrogoz dy fuqitë më të mëdha ekonomike (nëse Bashkimi Europian do të merrej si një i tërë, tejkalon edhe Shtetet e Bashkuara) prej kohësh janë në një betejë që deri më tani kanë mundur të mbajnë në hështje; ekonominë e internetit.
Kjo formë e ekonomisë është konsideruar si ekonomia e së ardhmes dhe për kontrollin e saj Brukseli e Uashingtoni po përplasin brirët prej kohësh. Ekonomia e internetit është njëra prej çështjeve ku palët ndajnë qëndrime krejt të ndryshme, një pengesë për nënshkrimin e një pakti tregtar që kërkohet prej kohësh. Në fakt ky pakt është ‘futur në frigorifer’, të paktën deri në zgjedhjen e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara.
Dy janë vendet që ‘guxojnë’ të sfidojnë SHBA në këtë pikë, Franca dhe Gjermania. Burokratët në Berlin dhe Paris janë në një mendje kur flitet për ekonominë e internetit; ajo është e ardhmja, por përçahen kur bëhet fjalë për mënyrën sesi duhet zhvilluar ajo.
Grupi shumicë mendon se duhen rregulla të qarta dhe strikte në bazë të parimit të barazisë, ndërsa grupi pakicë kërkon një ndërhyrje më modeste të autoriteteve rregullatore në këtë sektor.
Së shpejti pritet të mblidhet Komisioni Europian ku do të diskutohet kjo çështje, ndërkohë që në të shkuarën nuk janë të pakta rastet kur janë ndëshkuar kompani të fuqishme të internetit, mes tyre edhe Google e Microsoft, të gjobitura me shuma të majme muaj më parë nga autoritetet e konkurrencës së BE-së, për shkelje të barazisë dhe favorizim pa të drejtë të vetes.