Ekonomia, jo xhihadi “Made in Albania”, është problem i Ramës

Nga Dritan Hila

Është e disata herë, dhe këtë radhë edhe nga një tribunë botërore si OKB, që kryeministri Rama përsërit fabulën e harmonisë fetare, çka e konkretizon me familjen e tij ku vetë është katolik, gruan myslimane, dhe fëmijët ortodoksë. Për hir të së vërtetës, ky fakt i bën përshtypje botës ca më pak sesa do të bënte nëse Obama do të dilte me kurorë pende zogjsh si kryetar i fisit indian Apash, apo kryeministri japonez me kostum samurai. Është thjesht ekzotike dhe pa brendi kjo “çudi” familjare që Rama nuk lodhet së përmenduri.

Për më tej, në nivel politik dhe ushtarak, shembulli i sjellë është i pavlerë dhe Rama vetë i pa peshë. Në kuadrin e luftës kundër terrorizmit, Shqipëria nuk ka ndikim ushtarak. Politikisht, qenia “fanar ndriçues” për paqen ndërfetare në botë, nuk pi ujë pasi kandili i fanarit tonë nuk ka vaj të mjaftueshëm të ndriçojë krishtërimin dhe islamin që numërojnë secili mbi një miliardë besimtarë. Dhe nuk ka as vlerë studimore pasi fakti që kemi katër besime, vjen më shumë për shkak të cektësisë sonë në besim, kërcimit sa nga një fe në tjetrën për gjashtëqind vjet, ateizmit të dhunshëm pesëdhjetë vjeçar, dhe jo për shkak të iluminizmit tonë apo qenies një komb profetësh që do të bashkojë gjithë fetë. Rama vetë është përfaqësuesi ynë tipik se sa kollaj i ndërojmë aleancat, principet apo miqësitë, për hir të interesit të ditës.

Por përveç shembullit të familjes që e citon kur është para kamerave, kryeministri shqiptar i ndodhur në një bllokim reformash dhe rritjeje ekomomike që i ngadalësojnë integrimin, ka aluduar se Shqipëria mund të bëhet platformë ekstremizmi fetar, çka nënkupton kërcënim për Evropën nëse nuk e pranojmë. Kjo është e rrezikshme për vendin në planin afatgjatë. Së pari, mbështet tërthorazi tezën e fondamentalizmit ortodoks për qenien e Shqipërisë një platformë e islamit radikal, por nuk ka asnjë vlerë reale kërcënuese për Evropën.

Së dyti, Shqipëria nuk kapacitete njerëzore të bëjë xhihadin, nuk ka popullsi homogjene myslimane, dhe myslimanët vetë nuk është se ja u ndjen shumë për xhihadin. Por edhe nëse papritmas shqiptarëve ju hipën zekthi fetar islam, e duan të ndezin Evropën, Evropa ka mundësinë, aftësinë, kapacitetet politike dhe ushtarake ta kthejë vendin tonë në geto. Nuk i duhet të mobilizojë askënd, vetëm t’iu shkelë syrin fqinjëve tanë që mezi e presin diçka të tillë. Së treti, mësimi më i vlerë që kemi marrë nga historia, është se fuqia jonë ka qëndruar gjithmonë në aleancën që kemi pasur me perëndimin dhe favoret e tij, dhe jo në kërcënimet e fandaksura të kujt ka sunduar në Tiranë. Në momentin që do ta humbasim atë, do të jemi gjellë qensh për orekset e armiqve tanë.

Aleanca me perëndimin e shqiptarëve nuk dëshmohet me një kompani që çojmë në ndihmë të koalicionit antiterror. Përputhshmëria me vlerat e tij si ajo e tolerancës dhe multikulturalitetit, nuk afishohet duke sjellë shembullin e familjes. Duke mbajtur qëndrim më të përunjur ndaj kërkesave që vijnë nga Brukseli dhe Uashingtoni për gjithfarë halabakësh të vendosur në vende deputetësh dhe kryetarë bashkish, duke luftuar korrupsionin dhe kriminalizimin e jetës së vendit, duke e rivendosur në plan të parë integrimin e vendit në BE, janë lakmusët që tregojnë seriozitetin e qeverisë tonë për orientimin e saj. Pastrimi i politikës, prosperiteti ekonomik, afrimi me BE, janë edhe arsyet pse shqiptarët e votuan masivisht të majtën. Në të kundërt, nëse Rama mendon që mosrealizimet në reforma dhe ekonomi, ti zëvendësojë me akrobacira politike si ai i kërcënimit me fenë dhe destabilitetin rajonal që mund të sjellë, perëndimorët kanë në dorë kulaçin dhe kërbaçin. Nëse Berishën kur filloi të fuste hundët në çështjet ballkanike, ja çuan leckat nga presidenca brenda javës, Ramën e kanë punë orësh. Dhe sa për kërcënimet që i bën perëndimit me xhihadin “Made in Albania”, le të heqë dorë njëherë e mirë. E bën më mirë dhe më besueshëm Lavdërim Muhaxheri nga shkretëtirat e Sirisë sesa Rama nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Na mjafton një që të na nxijë faqen.

SHKARKO APP