Eksperimenti politik në këndvështrimin tim

Nga Gentian Çala-

Nëse do të huazoja termin “eksperiment politik”, në këndvështrimin tim ka vetëm një të tillë, ky është mandati i tretë i Rilindjes. Ky është eksperimenti politik që po synohet me çdo kusht nga mazhoranca dhe Kryeministri aktual. Mungesa e një bilanci pozitiv qeverisës jo vetëm që nuk i bën të reflektojnë, por të pushtuar nga posedimi i pushtetit, po synojnë ti mbushin mendjen shqiptarëve se meritojnë një mandat tjetër. Ky eksperiment politik jo vetëm që është i përcaktuar që të dështojë, por po tërheq pas vetes edhe politikanë të tjerë për arsye që ata mund ti dinë më mirë. Në Shqipërinë post-komuniste asnjë krah politik nuk ka arritur që të fitojë tre mandate te njëpasnjëshme.

Ka kaq shumë pakënaqësi ndaj qeverisjes sa që është e pamundur që projekti politik i Rilindjes së Edi Ramës të triumfojë sërisht. Madje ka socialistë që mezi po presin ditën e zgjedhjeve për ti përplasur votën e tyre kundër Rilindjes, sepse ai ka dështuar. Pazaret e vjetra dhe të reja, të kuruara apo bajate, nuk mund të frymëzojnë shqiptarët e lodhur dhe shpresëthyer. Opozitat nuk mund të jenë eksperimente, por thjesht projeksione të ndryshimit që pret shumica e popullsisë. Mbajtja në pushtet e një kaste politike abuzive, të korruptuar, të kapur dhe jashtë linjës së interesave kombëtare nuk mund të ndodhë. Ka për tu refuzuar masivisht.

Politika e diversionit është ndjekur vazhdimisht nga Rama dhe Rilindja, në nivele dhe forma të ndryshme. Sa më shumë që Rama ta përdorë diversionin ndaj opozitës apo kritikëve të saj, aq më i thellë duket të jetë degradimi i kastës. Zgjatja e jetës së regjimit nuk i duhet askujt, përveç atyre që janë pasuruar nën hijen e tij. “Zbukurimi” me figura nga opozita, me parti nga segmente opozitarë, me të mërzitur e qejfprishur, me ata që me ose pa dashje kërkojnë ti zgjasin jetën pushtetit të Ramës nuk është veprim nga dëshira, por nga halli. Varka e shpuar e Rilindjes fut aq ujë, sa që nuk ka “zot” që e shpëton nga mbytja në pranverën e vitit në të cilin sapo kemi hyrë.

SHKARKO APP