Ekstremistët e djathtë në Gjermani
Një vit pas demonstratave të Pegidës radikalët e djathtë në Gjermani po bëhen edhe më brutalë dhe po e përdorin dhunën si strategji.
"Blije vetë acidin klorhidrik, se përndryshe do ta blejmë ne!" Kërcënime të tilla Karen Larisch merr shpesh. Për kokën e saj është vënë madje edhe një shpërblim, thotë ajo. Megjithatë, punonjësja sociale nuk do të heqë dorë. Projekti i saj, Villa Kunterbündnis – një qendër takimesh interkulturore – është shkatërruar në mënyrë të përsëritur nga ekstremistët e krahut të djathtë. "Unë e kam bërë më shumë se 120 padi", thotë 40-vjeçarja.
Karen Larisch është aktiviste poltike. Ajo anagazhohet në qytetin Güstrow, në Mecklenburg-Vorpommern, kundër ekstremistëve të djathtë. Ata më sulmojnë mua në mënyrë strategjike, sepse duke më sulmuar mua duan të paralajmërojnë të tjerët që të mos bëhen aktivë.
Skena e djathtë në Güstrow është në përgjithësi shumë e dhunshme. "Ka sulme në klubet e të rinjve, ku të rinjve u hedhin zift të nxehtë, sulme ndaj personave me aftësi të kufizuar." Vitin e kaluar, dhuna shënoi sërish një ngritje, thotë ajo. "Për shkak të situatës së refugjatëve të gjithë janë të mbingarkuar dhe në qytet tani mbizotëron një klimë frike dhe të gjithë janë të frikësuar.
Shtim i veprave penale
Gjermania dhe sidomos pjesët e Gjermanisë Lindore kanë ndryshuar: numri krimeve me sfond ekstremist të djathtë arriti në mbarë vendin kulmin në gusht. Vetëm në këtë muaj janë regjistruar 1450 vepra të tilla. Deri në këtë kohë numri i sulmeve ndaj strehimoreve të azilkërkuesve për vitin 2015 ishte 490, tha Ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere. Për krahasim, vitin e kaluar vetëm janë regjistruar rreth 200 sulme të tilla.
Enti për Mbrojtjen e Kushtetutës paralajmëroi në fillim të shtatorit për një rritje të mëtejshme të dhunës së djathtë dhe nuk e përjashton mundësinë që disa grupe të jenë gjithashtu të gatshme "për të kryer sulme ekstremiste të djathta." Arsyja sipas ekspertëve është edhe agjitacioni kundër azilit i partive ekstremiste të djathta si NPD, "Të Djathtët", e "Rruga e Ee" dhe të tjera. Debati për refugjatët i ka dhënë përsëri krahë lëvizjes Pegida dhe në demonstratën e saj në fillim të javës në Dresden morën pjesë rreth 9.000 vetë. Në mënyrë simbolike ata varën në litar kancelaren Merkel dhe zëvendëskancelarin Sigram Gabriel për politikën e tyre ndaj azilkërkuesve.
Ekstremizëm nga shtresat e mesme
Në shumë qytete gjermane protestat e qytetarëve janë shndërruar në dhunë. Politologu Hajo Funke duke ju referuar protestave në qytetin Meißen në lindje të Gjermanisë thotë se me sa duket po zhduken kufijtë mes pjesëve të popullsisë që janë hapur ekstremistë të djathtë dhe shtresave të spektrit të mesëm.
Deputetja gjermane Martina Renner thotë se në krahasim me vitin 1990 në protesta po marrin pjesë gjithnjë e më shumë vetë. Ajo thotë se dhuna vjen prej grupeve të djathta, por tolerohet prej shtresave të mesme. Në dallim me Gjermaninë në Austri dolën në rrugë për të protestuar pro refugjatëve dhe kundër racizimit 150.000 vetë.
Për një angazhim të tillë shpreson edhe Karen Larisch, e cila për momentin mbrohet nga policia. Ajo thotë se merr vazhdimisht e-maile që e mbështesin për punën e saj për refugjatët, por se në rrugë për të protestuar kundër ekstremistëve të djathtë po dalin gjithnjë e më pak njerëz.