Ekstremizmi në Ballkan – Kosova

 
 
Nga Jeff Swicord

 

Kosova vërtet mund ta ketë fituar luftën e saj për pavarësi nga Serbia në vitin 1998, por sot ajo është duke bërë një betejë tjetër. Qindra kosovarë janë larguar për në Siri për t'iu bashkuar kryengritësve që luftojnë kundër qeverisë së Bashar Al Asadit, ose janë bërë anëtarë të grupit Shteti Islamik.

Disa janë kthyer, të zhgënjyer nga ajo që kanë parë. Jeff Swicord i Zërit të Amerikës bisedoi me njërin prej të kthyerve, i cili thotë se shkuarja në Siri ishte gabimi më i madh i jetës së tij.

Rekrutimet e ISIS-it me anë të videove që kanë në shënjestër Ballkanin i kanë alarmuar zyrtarët evropianë.

Kjo lloj propagande nxit myslimanët t’u shpëtojnë "halleve në jetën e tyre" duke u bashkuar me ekstremistët që luftojnë në Siri.

Ja ç'thotë Aiman Dean, i cili  ka qenë anëtar i Al-Kaidës dhe tani është kthyer kundër islamizmit radikal:

"Disa video u bëjnë thirrje njerëzve që kanë dëshirë për aventurë. Ato tregojnë për beteja, tregojnë sulmet ndaj kazermave armike, pra aty flitet për lavdi dhe për aksion.”

Shumica e atyre që kanë shkuar në Siri dhe janë kthyer thonë se kjo lloj lavdie është jetëshkurtër. Ne u takuam në Prishtinë me Amirin (ky nuk është emri i tij i vërtetë). I frymëzuar për të ndihmuar ata që ai i konsideron si të pafajshëm dhe që vuajnë në luftën civile të Sirisë, ai iu bashkua njërës prej milicive islamiste që luftojnë kundër forcave të Presidentit Asad. Ja si e shpjegon ai arsyen përse shkoi në Siri:

"Nuk mund të mohoj që ka qenë edhe faktori fetar, por deri sa je njeri dhe sheh tërë ato vuajtje të njerëzve, në një mënyrë apo një tjetër kërkon t'i ndihmosh. Kjo është shumë e sinqertë, edhe po të ishin ata persona të një feje tjetër."

Popullsia e Kosovës është e re – gjysma e banorëve janë nën 25 vjeç. Papunësia tek të rinjtë është e lartë, duke e bërë këtë vend një terren kryesor rekrutimi për grupe si ISIS. Skender Perteshi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë thotë se më shumë se 200 njerëz nga Kosova kanë shkuar në Siri.

"Një tjetër arsye pse qytetarët e Kosovës i bashkohen konfliktit në Siri është edhe mungesa e sistemit të arsimit në Kosovë. Sepse sistemi i arsimit në Kosovë dhe në rajon është tepër i varfër dhe nuk është edhe aq profesional."

Amiri është një rast i pazakontë. Ai është i arsimuar. Shumë shpejt ai u zhgënjye me atë që pa në Siri:

"Realisht kam pritur diçka krejt ndryshe. Kam pritur një lloj organizimi, një lloj njerzishmërie, një lloj mirëkuptimi mes grupeve, por ato nuk i kam hasur. Më shumë kam hasur një farë tendence për t'u ballafaquar njëri me tjetrin, se sa për ta zgjidhur problemin me qeverinë diktatoriale."

Por, kur u kthye në Kosovë, ai u arrestua dhe u akuzua për pjesëmarrje në organizatë terroriste.

Menjëherë pas kthimit, ai mësoi se kreu i milicisë së tij në Siri ishte vrarë duke luftuar kundër njërit prej grupeve të tjera opozitare.

Amiri ka marrë kërcënime me vdekje nga grupe të tjera kryengritëse. Dhe për shkak të çështjeve ligjore që ka, ai nuk mund të gjejë dot punë:

"Secili që mendon të shkojë atje, le ta dijë fort mirë që është duke bërë një veprim aspak të pranueshëm fetarisht, që mund të jetë edhe i dëmshëm për myslimanë të tjerë. Le të qëndrojë gjithsecili në shtëpi dhe të ndihmojnë familjet e tyre dhe rrethin ku jeton." (Marre nga Zeri i Amerikes)

 

SHKARKO APP