Elhaida dhe fryma e entuziazmit
Nga Ilir Levonja
Në gjithë këto ditë webi i Eurovisionit thuajse u bombardua nga entuziazmi i shqiptarëve. Kurse nga mbrëmë në darkë, sot e në vazhdim, britma ka një fytyrë. Kërkesa e llogarisë. Ku është vota ime? Politikë, jo festival. Euroracizëm etj.
1)Në fund vitin që iku Elhaida fitoi në festivalin tradicional të Shqipërisë. Me të mirat dhe të këqijat. Me historinë e minuseve dhe pluseve, ai është. Ai të çon në Eurovision song. Apo në festivalin e këngës europiane. Një festival që e organizon radiotelevizioni shqiptar. Ai që në një përthyerje gjinie, në historinë e Shqipërisë, i ngjan një gruaje që të gjithë i thërrasin kurvë. Dhe në një vit apo një tjetër martohen me 'të. Ndofta me qëllimin e mire që t'ia heqin këtë nam. Por që shpejt kurvëzohen më keq se kjo grua e përçudnuar. Dhe a e dini pse. Sepse aty vlon vetëm tarafi i mikut. Dhe ne jemi kampionët e zëvendësimit të aftësisë me miqësinë. Me marifete të tilla.
Kështu mbaj mend se u përfol edhe atëhere. Kënga fituese. Elhaida vet… Kështu është përfolur çdo vit, fituesi aty. Pasi ne, për rrjedhojë të kësaj fryme, nuk mësuam kurrë të urojmë. Por forcuam përfoljen.
Madje nisur nga parajsa e kësaj fryme, pati edhe aq shumë insinuata, denigrime. Sa cilado qoftë arsyeja e tërheqjes së këngës fituese nga autori, për mospjesëmarrje në festivalin europian, është rezultat i kësaj zallamahie.
Pra rrugëtimi i Elhaidës për në Europë nisi me një ekuivok të tipit shqiptar. Elhaida shkoi aty jo me këngën fituese, por një tjetër këngë. Edhe sikur kriteret të mos jenë cënuar aspak. Eshtë cënuar morali eterik i suksesit. Tradita apo historiku i një një institucioni të cilin veç ne shqiptarët dimë si ta shtypim, shtrydhim, përdorim, shesim, vjedhim, burgosim etj.
2)Në mes të kësaj fushate fyerjesh në murin e festivalit nuk mungon as Italia, Greqia etj. Votat e Maqedonisë po përfliten si të dyshimta. Gjithsesi. Vetëm ne shqiptarët nuk kemi të drejtë t'i vërsulemi me mosmirënjohje, të paktën Italisë. Nuk kemi përse habitemi nga zeroja e pikëve prej Italisë. Asesi Elhaida. Italia është vendi promotor i yni. Na dha skenën më prestigjoze të saj. Na dha suportin e vyer të emrave që janë koha e artë e kulturës së saj. Ne kurrë nuk e bëm këtë. Edhe pse duket sikur po japim shenja në festkëngësh si ai Klanit, X factor Albania. Prapë nuk kemi vullnetin e artistëve italianë. Do i themi bravo pjesëmarrësve, por fituesin do e nxjerrim nga vetja. Nga miku, nga miqësia. Ne jemi atdheu artistik i miqve. I institucioneve të miqve. Jo i adhuruesve, shikuesve, tregut etj. Ne dhe epokat, dhe zhanret artistike i shpikim për hatër të miqve. Jo të kohës, me kohën, apo të suksesit të një individi. Suksesi tek ne kalon nëpër egon miqësi.
Po kështu nuk ndodh në Itali. Ndaj dhe rezultati i pikëve qe zero.
3)Nga janari ne pamë të gjithë se si Elhaida, i preu entuziazmin e dy gishtave ish krytares së kuvendit, zonjës Topalli. Më pas deklaroi se unë jam këngëtare dhe nuk dua që politika të përzihet në suksesin tim. Shumë mire bëri. Megjithëse ia kaloi, frymës së politikës, entuziazmit elektoral politik shqiptar. Karshi realitetit të mjerë.
Si artiste, derisa krijuesi i këngës u tërhoq, duhej të ishte tërhequr edhe interpretuesja. Nuk e bëri. Veproi më keq se një politikane.
Kësisoj la veten të përdorej edhe nga sektorët politikë të pushtetit, bashkë me tepërtinë e përdorimit të frymës së nacionalizmit. Kur është koha e globalizmit.
4)Shqiptarëve. Me dashamirësi. Duhet të mësohemi se suksesi nuk është domosdoshmërisht vendi i pare. Eshtë edhe pjesëmarrja. Ndaj quhet festival. Pasi aty shkojnë më të mirët. Dhe midis më të mirëve nuk arrihet suksesi me entuziazëm. Me simbolet e Shqiponjës, me Shqipërinë e madhe. Me atë flamurin e zi si nga Pakistani. Që po ia marrim shpirtin edhe bacës Isa, edhe Ismailit duke e pretenduar si flamurin e Shqipërisë së madhe. Flamuri i ynë është thjesht i kuq. Dhe Shqipëria është Shqipëri atje ku gjithkush ndihet shqiptar. Nuk kapet suksesi me akuza për rracizëm ndaj atyre vendeve që u kemi thyer dyert. Që na kanë strehuar. Po na japin punë, edukim etj.
Me platformat e miqësisë shqiptare. Të miqve virtualë në kafenetë pranë radiotelevizionit. Jo miqve artistikë të tipit sukses. Të atyre që mbushin stadiumet, Që ngren skena këngësh në sheshet e kryqyteteve të botës.
Jo në fushata elektorale etj.
Dhe e gjykuar më thjesht kënga nuk ishte ndonjë wow siç thonë edhe të rinjtë sot. Ishte thjesht një këngë e interpretuar normal. Nuk ishte një prurje wow.
Sukses është t'i thuash fituesit urime. Të pranosh fitoren e tjetrit. Jo ta paragjykosh.
Ne jemi fitimtarë, por të entuziazmit. Dhe kësaj radhe më vjen keq që shorti të ra ty Elhaida. Sinqerisht më vjen keq.