Ëndërra e Vuçiç
Fejton
Nga Thoma Goga
Prej kohësh ka qenë i sikletosur kryeministri i Serbisë. Presion nga poshtë, “çekan” nga ndërkombëtarët. Dhe të gjitha këto ndodhën vetëm në pak muaj. “Ah, ai dron i mallkuar! Iu thaftë dora kush e lëshoi në stadium dhe që tërboi taborrin tonë. Provokacja, provokacja…”, i përshpërinin në vesh zërat e qyqeve në të gjitha këto kohë. “Sikur të mos mjaftonte ajo gjullurdi shfrenetike në stadiumin e Beogradit, u desh dhe vizita e Ramës… Dhe që atëherë gjumi ka qenë me ëndrra të shpifura. Po të gjitha ëndrrat, pavarësisht nga “personazhet” apo problemet, kishin të përbashkët një element; dronin. Po ëndrrën e fundit e pa vetëm pak ditë para se të vinte këtu në Shqipëri…Pasi ishte konsultuar me partnerët ndërkombëtarë, me këshilltarët e tij për axhendën e vizitës, gati pas mesnate, në dremitje e sipër iu shfaq ëndrra. Po këtë herë nuk ishte një dron, po disa. As vetë nuk i numëroi.
Me dronin e parë i zbriti shefi i UEFA-s Platini që i tha: “Unë e bëra timen. Vetëm tre pikë u hoqëm, se me ato që bëtë në stadium, duhej t’u binte pika m’u në kokë. Dhe unë ia futa kot, se ai dron nuk e hodhën futbollistët. Po sa kokë të fortë që kishin, megjithë ato karrige që hëngrën…”
Me dronin e dytë i zbritën ca militantë të tij. Po këtyre ua tregoi vendin shpejt “Hajt, marsh, nuk kemi miting sot”.
Me dronin e tretë i doli Daçiç, që nisi t’i këndonte një këngë “Serbja, Serbja, nasha rodina” e pastaj vazhdoi: ”Xhamadani vija-vija…”. Edhe ti, o miku im, me të futur e ke?…Hajt se ta tregoj pas kthimit nga Tirana”. Me dronin e katërt i doli Car i Rusisë. “O Sandër mafishtja, të thashë mos shko në Shqipëri. Ti nuk më dëgjon. Tavarish, Vuçiç; Po ta çuan dronin edhe aty, s’mbaj përgjegjësi…”. Me dronin e pestë çuditërisht nuk kishte asgjë. Fare asgjë jo, se edhe ky një letër e hodhi. Mori zarfin dhe lexoi. “Ruhu nga “provokaja” e radhës. “Ballshoj Albanskij” do ta hajë kokën.- Zdravo – Nikoliç”.Në dronin e radhës zbritën ata që kujdesen për veshjen, lukun. Midis tyre vuri re një palë këpucë më taka shumë të larta.
Në të fundit dron zbret një burrë i gjatë. Po pa syza dhe që i kujtonte se avioni është gati për t’u nisur në Shqipëri. E në çast gjumi i doli. Gati nuk i besonte asaj ëndrre. Megjithatë, ndonjë surprize i ruhej. Dhe e ndau mendjen. Hodhi pas krahëve ata “dronë” të mallkuar, e u nis për atje ku ishte nisur; për të marrë avionin.
As në aeroportin e Rinasit e as rrugës, apo dhe në takimet e djeshme, nuk gjeti “provokacja”, nuk pa asnjë dron. Nuk pa asnjë flamur me “Ballshoj Albanskij”. “Në djall vafshin të gjitha ëndërrat”, mërmëriti. Kudo shikonte “Welcome Vuçiç”. Mbase duhet ta keni vënë re se kryeministri i Serbisë një hall e kishte edhe dje, paçka se nuk i hoqi kufjet kur u përmend fjala “Kosovë’. Edhe pse unë i kam një xham tjetër e një tjetër, po këtë e pash fare mirë. Shpesh herë shikonte Ramën që kur e priti. Kaluan himnet e dy vendeve, prapë shikonte homologun shqiptar. Nuk e di e konstatuan ata që e shoqëronin, ata që e fotografonin. A e dini pse? Pas vizitës që bëri Rama në Beograd, mediat këtej e andej u morën edhe me një fakt “gjigand”; kush është më i gjatë; Vuçiç apo Rama?
Po të jetë metër nga ata të BE, unë them se janë njëlloj të gjatë, me ose pa taka… Po qe metër tjetër, le ta marrë për “Provokacja…”. Për një gjë jam i sigurt; burime të sigurta, thonë se Vuçiç mbrëmë ka parë një ëndërr të mirë…