Energji e humbur kot me serbët!

 

Nga Ben Andoni

Edhe pse të gjitha strukturat e shtetit dhe deri te njerëzit e thjeshtë po humbasin një energji të pamatë në shtyp, median vizive, fushata etj., për ndeshjen e përfaqësueses së Shqipërisë kundër asaj Serbe, ajo që të mbetet në mëndje është: po pse vallë duhet të harxhojmë kaq shumë për një marrëdhënie të brishtë dhe gati artificiale mes dy vendeve tona.

Pak muaj më parë do të mjaftonte vetëm një dron provokativ, që të fluturonte mbi stadiumin e “Partizanit” të Beogradit që marrëdhëniet tona të shkonin thjeshtësisht në pikën O. E pak më vonë, edhe pse Vuçiç e pranoi vizitën e Ramës dhe erdhi në Tiranë apo edhe pse të dy kanë shpërndarë andej-këndej mesazhe pozitive reciproke, situata duket se ka ndryshuar fare pak. Ajo që s’kupton njeriu i thjeshtë është sepse duhet të investohet në një harxhim të tillë kohe e gjithë struktura e shtetit dhe po ashtu pse nxiten kaq shumë ndjenjat e njerëzve me diçka që nuk ekziston, një armik të frikshëm “të padukshëm”. Të heqim këtu vetëm elementin që lidhet me sigurinë e akomodimit të ekipit kundërshtar, por që në atë mënyrë sesi po e bëjmë, kemi treguar realisht faktin se shqiptarët me serbët janë shumë larg të kuptuarit real. Mes nesh kemi humnera, që duhen kohë të mbyllen, nëse do mbyllen ndonjëherë.

Për ata që se kuptojnë më shkoqur: shqiptarët dhe serbët edhe për shumë e shumë kohë nuk do jenë dot miq. Kjo sepse ka qarqe të shumta në të dy vendet që nuk u intereson kjo dhe që investojnë bashkë me politikanët kundër kësaj për të fituar pikë politike në nacionalizmin kallp ballkanik. Këtë e di mirë kryeministri Rama ashtu si e di shumë mirë dhe kryeministri Vuçiç, që është i vëzhguar në çdo hap nga Opozita e tij. E vetmja gjë e cila i ka ngrohur takimet e fundit të tyre ka qenë Brukseli dhe sidomos arritja e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë. Që do të thotë se elitat politike kanë ulur armët dhe merren thjesht me zgjidhjen e detyrave të Brukselit. Kurse në terren, njerëzit përsëritin të njëjtat gjëra, por tashmë në trysninë e nacionalistëve dhe kinse-patriotëve që “çuditërisht” ngrohen vetëm ditët e ngjarjeve si kjo, kur serbët po vijnë në Tiranë apo kur ndonjë këngëtar i tyre vjen këtu.

Anipse viti ka 365 ditë dhe asnjë gjemb nuk i hyn turistëve serbë në Shqipëri, tregtisë që zhvillohet e qetë apo artistëve që vazhdojnë të jenë e vetmja rrugë normale mirëkuptimi.

Ndaj në të gjithë këtë qerthull, që krijohet artificialisht, nuk kupton një fakt dhe habitesh sesa e madhe është humbja e energjisë dhe predispozita e përhumbjes në një argument shterpë. Në vend që politika të merret direkt me fqinjët: me probleme reale të marrëdhënies ndaj Greqisë, diplomacisë tregtare që ngec rëndom me Kosovën, mosrespektimin integral që u bën shqiptarëve Maqedonia apo indiferencën e malazezëve me shkollat e shqiptarëve.

Për të gjitha këto s’ka vëmendje, sepse për fat janë shpikur serbët për të marrë të gjithë vëmendjen e duhur, edhe kur s’duhet e aq e më shumë akoma: e gjitha shërben t’i vendosë një tampon në vesh qeverisë shqiptare që është gjithnjë e më e shurdhët për problematikën e qytetarëve të saj, sepse helbete harxhon energji për ndeshjen e madhe me miqtë-kundërshtarë, që do të na çojë në Francë 2016. (JavaNews)

SHKARKO APP