Enton Abilekaj: Pse na duhet fitorja e Biden

Nga Enton Abilekaj –

Ndërsa SHBA-të janë zgjuar mes dëshirës dhe ankthit të votimit, e gjithë bota ka ndalur. Sytë janë tek Shteti më i fuqishëm në Botë, që po kalon një sprovë historike për demokracinë dhe për fatin e gjithë globit. Nga njëra anë Trump, anti-establishment, me gjuhë populiste dhe zgjidhje të thjeshta dhe të përkohshme, që nuk prekin thelbin e asnjë problemi, por reflektojnë shkëlqimin e rremë. Njeriu që ka ndryshuar imazhin e SHBA-ve në botë dhe politikat e saj, duke vënë në pikëpyetje lidershipin global.

Nga ana tjetër Biden, përfaqësues tipik i establishmentit, mishërim i pafuqisë së klasës politike tradicionale për të gjetur një kandidat bindës për të ardhmen e vendit, garantues i rikthimit të botës, të paktën në stabilitetin e 2016, me premtime të vakëta dhe propozime të zymta që sjellin një realitet më të qëndrueshëm dhe ruajnë, të paktën përkohësisht lidershipin e SHBA-ve në Botë në aleancë me Bashkimin Europian.

Këto të gjitha janë arsye për të reflektuar amerikanët, apo europianët që jetojnë aty. Ka të tjera për hispanikët, të tjera për afrikanët, aziatikët etj. Për shqiptarët, ka disa arsye pse duhet të fitojë Biden. Përveç asaj marrëveshjeje të diskutueshme të 4 shtatorit, ku shqiptarët nuk fituan asgjë, përvec fjalëve të Vuçiç se Trump është variant më i mirë për Serbinë, ka dhe disa arsye të tjera, pse shqiptarët duhet të votojnë për Biden.

1. Duke përdorur ndjeshmërinë ndaj establishmentit politik, Trump ka dalë kundër politikave strategjike amerikane në Botë dhe si rrjedhim në Ballkan. I ka dhënë Serbisë status të barabartë me Kosovën. Disa herë gjatë fushatës e përmendi marrëveshjen Kosovë- Serbi si marrëveshje mes dy shteteve në konflikt. Në fakt Kosova nuk ka qenë në konflikt me Serbinë. Që kur u bë shtet, ka ofruar vetëm paqe. Duke qenë e pushtuar nga Serbia, raporti i tyre është ai mes ish- pushtuesit dhe të pushtuarit, mes agresorit dhe viktimës.

2. Trump shkatërroi boshtin euroatlantik, duke rrezikuar NATO-n në radhë të parë. Nëse Trump fiton zgjedhjet, aleanca ushtarake euroatlantike rrezikon të shpërbëhet. Europa ka filluar të marrë masat për këtë duke investuar për ushtrinë e saj. Shpërbërja e NATO-s ekspozon shumë Shqipërinë, që prej 2008-s është nën ombrellën ushtarake të saj, si një garanci për fuqinë e faktorit shqiptar. Ndërkohë Serbia është duke u armatosur nga Rusia duke e rritur kërcënimin ushtarak.

3. Ndarja SHBA – BE që propozon Trump dhe afrimi me Rusinë, për të rrethuar Kinën, është ide e rrezikshme për interesat shqiptare. Kjo do të dobësojë Bashkimin Europian, pro edhe SHBA ekonomikisht dhe do të rrisë influencën dhe pretendimet ruse në botë dhe sigurisht në Ballkan. Do të thotë që shtetet pro-ruse në rajon të forcojnë pozitat dhe që pavarësia e Kosovës të bëhet gjithmonë e më e vështirë.

4. Zhytja në kaos e OKB-së si rrjedhim i politikave të Trump dhe çoroditja gjeopolitike e botës, e komplikon shumë interesin e shqiptarëve që të përfundojnë proçesin e njohjes së plotë të Kosovës me një vendim final në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB.

5. Poli Perëndimor, ende më i fuqishmi, ekonomikisht dhe ushtarakisht, me fitoren e Trump do të shpërbëhej, rrjedhimisht, shqiptarët do të mbeten pa një aleat të fuqishëm. E para sepse administrata e Trump ka prirje drejt rehabilitimit të Serbisë, e dyta se Bashkimi Europian ka rryma të ndryshme që mund të sjellin një tjetër qasje ndaj çështjes së Kosovës, pas prishjes së raporteve gjeopolitike.

Sigurisht që Shqiptarët e SHBA, në fund të llogarive mund të zgjedhin xhepin e tyre, të vendosin sipas interesit të tyre thjesht si qytetarë amerikanë. Votimi i sotëm ka një arsye për çdo votues që jeton në SHBA. Ndryshe është për ne që jetojmë në Ballkan. E ardhmja e afërt varet shumë nga emri që do të nxjerrin kutitë. Dosja.al

SHKARKO APP