Enton Abilekaj: Si e gjen Rama suksesin pas çdo skandali

Nga Enton Abilekaj –

Çdo skandal i hapur është një mundësi për shpalosje krenarie në botën e Edi Ramës. Kur Shqipëria përmbytet, ai e quan turp për mediat, që tregojnë investimet e fundosura të bujqve të varfër dhe nuk kujtojnë që në 2012, 9 vjet më parë, në Shkodër lëvizej me varka.

Kur lotët e fermerëve të shkatërruar, u sfumuan nga ahengu i Nusretit në Dubai, e quajti turp për mediat që merren me tavolinën e kryesuar nga një oligark shqiptar, ku ministrat dhe zyrtarët e lartë ishin reshtuar sipas protokollit të Samos, në vend që të merreshin me investimin 2 miliardë në Portin e Durrësit, që, ndryshe parashikimet e gjithë planeve të zhvillimit, do bëhet port jahtesh.

Sot kur përgjimet e Ndraghedës, kanë prekur pa dashje edhe Shqipërinë, mediave duhet tu vijë turp që po i bëjnë nënën këtij vendi, kur qeveria është duke ndaluar pastrimin e parave. Fajin e kanë mediat që publikojnë vetëm transkripte të përgjimeve të Prokurorisë italiane, fajin e kanë gazetarët që janë ngjirur prej 5 vjetësh, kundër ndërtimit të një ekonomie në ortakëri për pastrim parash në të gjitha mënyrat.

Nëse Gallo, që në Itali është quajtur “Princi i Ndraghedas“, ka investuar vetëm një dyqan në Shqipëri, nëse nuk ka të dhëna që ato që janë diskutuar për investimet të jenë realizuar, për Edi Ramën kjo është përgjigja ndaj mediave Shqiptare.

Në fakt, përgjigja duhet tu jepet mediave italiane, Antimafias italiane. Këtë nuk e bën dot me konferenca shtypi, ku gazetarët përdoren vetëm si fasadë dhe nuk lejohen të mbrojnë pyetjen e tyre. Këto rregulla nuk ekzistojnë në Itali.

Nga Italia dhe anëtarët e tjerë të bashkimit Europian, vjen raporti zyrtar i Komisionit Europian, që kërkon luftë ndaj pastrimit të parave dhe sekuestrimit të pasurive të krimit.

Nga SHBA, Shqipëria renditet në Shtetet e preferuara nga grupet mafioze për pastrimin e parave, nga Moneyval Shqipëria është pranë zonës së zezë, ku paraja e psitë qarkullon si në shtëpinë e vet.

Global Initiative e shpreh qartësisht se si paratë e pista pastrohen në ndërtim, në investim dhe shitje, në fatura fallso, në regjistrim fiktiv të pagave të punonjësve dhe në bashkëpunim me kompanitë që administrojnë pasuritë e paluajtshme. Transparency Intenational në dhjetor të 2020, vetëm një muaj më parë, e quante Shqipërinë “parajsë të pastrimit të parave”.
Përgjimet nuk janë asgjë në krahasim me këto raporte. Ato vetëm sjellin konkretisht një përshkrim nga jashtë të vizionit tonë të përditshëm që mbyllet nga kullat dhe vdes pa patur as guximin të denoncojë.

Ato janë një përshpërimë që dëgjohet në heshtjen ulëritëse të mediave të shitura, apo në pamundësinë tragjike të mediave të lira për të investiguar çfarë ka përtej fasadës së betonit që po mbyt Tiranën, Durrësin, Vlorën dhe gjithë bregdetin. Kush investon?

Kush blen? Pse nuk financojnë bankat? Ku janë planet e biznesit? Kush investon qindra milionë euro beton pa një plan shitjeje? Nga vjen paraja, kush e përdor? Ky është krimi që lulëzon përpara syve tanë dhe, duke qenë krim, mund të lulëzojhë vetëm në trajtë betoni dhe hekuri.

Një Qeveri që nuk tërhoqi dot asnjë investim të huaj, një qeveri që largoi edhe kompanitë e mëdha ndërkombëtare, emrat më të njohur në Europë, si T Mobile apo Societe generale, një qeveri që po ia dorëzon ekonominë një grupi oligarkësh dhe po detyron njerëzit të largohen dhe fuqinë blerëse të zvogëlohet në mënyrë dramatike, dëmin mund ta kompensojë vetëm në një ortakëri me mafian.

Paranë e ndershme dhe të mundimshme vetëm më paranë e pistë, kompanitë e mëdha ndërkombëtare vetëm me kompani offshore, ku ortakët zihen me njëri – tjetrin në zyrat e qeverisë.

Kjo është arsyeja që çudisë shqiptare që miraton ligje kundër pastrimit të parave njëkohësisht me amnistinë fiskale, kjo është arsyeja që brenda amnistisë fiskale SHBA dhe BE shohin një plan për ta shndërruar Shqipërinë në parajsën e parave të pista, kjo është edhe arsyeja, pse Edi Rama u kërkoi mediave sot të mos merren më pisllëkun e madh, por të shkojnë tek Tirja. Pastruesja e pashpirt është shkaktarja e varfërisë, e mjerimit. Ajo na damkos me vulën e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas trupit të brishtë të Tires, kërkon të fshehë malin e parave të pista që është hedhur si beton në çdo vepër të Rilindjes./ Dosja.al

SHKARKO APP