Enveri dhe Çu En Lai me makinë në Tiranë

Nga Roland Qafoku

14 qershor 1966. Në autoveturën e hapur ndodhet në këmbë diktatori shqiptar Enver Hoxha, kryeministri i Kinës Çu En Lai dhe kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu.

Është dita e parë e vizitës së dytë të kryeministrit të Kinës në Shqipërinë e asaj kohe, një vizitë që kaloi me një vëmendje dhe interes të jashtëzakonshëm në vend dhe në botë.

Fotografia është shkrepur në momentin kur makina është duke kaluar pranë godinës së sotme të bashkisë së Tiranës për tu futur në bulevardin“Dëshmorët e Kombit”.

Në të dy krahët e rrugës janë duke brohoritur plot entuziazëm qytetarë të Tiranës ndërkohë që forcat e sigurisë shoqërojnë eskortën me motorrët e policisë. Vihen re lehtë një numër shumë i madh i flamujve shqiptarë dhe kinezë që janë vendosur edhe në makinë por edhe në godina përreth.

Madje edhe ngjyra e motorrëve të policisë është e kuqe si e flamujve. Ishte kulmi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kinës pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe një nga thëniet e diktatorit Hoxha ato ditë ishte unikale: Nuk jemi 2 milionë, por 1 miliardë e 2 milionë!

E mjerueshme ishte ajo që ndodhi në Shqipëri pas kësaj vizite dhe që u quajt revolucion kulturor! Kinezëritë e asaj kohe të lënë pa fjalë edhe sot.

SHKARKO APP