Epoka të çmendura, njerëz të çmendur
“Shteti i Kosovës i dha një përgjigje të denjë ambasadës së Erdoganit në Prishtinë. Në lidhje me çështjen Buzhala. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Aq më tepër kur një tërësi, një strukturë e ashtuqujatur media e lirë. Me organizma dhe forume”…
Nga Ilir Levonja
Zyrat e Anadollit kanë lëshuar një shkresë për mbylljen e më shumë se 100 mediave. Këtu përfshihen gazeta, kanale televizive, blogje etj. Dhe padyshim me qindra gazetarë, apo intelektual me emër, sidomos ata që konsiderohen si simpatizantë të Fetullah Gylenit, janë pushuar, përndjekur dhe kërcënuar me burg, papunësi, apo izolim.
Sipas New York Times-it janë 45 gazeta, me në krye Zamanin. 16 kanale televizive, 15 revista.
Burgjet janë mbushur me më shumë se 9000 njerëz, ushtarakë të lartë, njerëz administratash, militantë partish. Deri shefa seksionesh në provincat e Anadollit të sotshëm.
Për ata që mendojnë se demokracia nuk është e kërcënuar. Eshtë veçse keqardhje. Eshtë njësoj si dënosh me demaskim publik, armiqtë e klasës. Edhe pse pamja e batalionit të tyre është e barabartë me shofrat e një qyteti.
Unë do thosha se demokracia ka vdekur. Jo kërcënuar.
Dhe shumë shpejtë koha do tregojë se solidariteti social, kur qelitë mbushen me dhunë, me mall nga mendimi ndryshe. Eshte jo verbëria, por çmenduria e një shoqërie. E cila sado të flasi për demokratizimin e vendit të saj. Nuk ka bërë gjë tjetër, veçse e ka rrëzuar atë, përdhosur dhe kriminilazuar me nderin e të çmendurit.
Këtij revanshi, nuk i kanë shpëtuar as gazetaria shqiptare. Emrat e saj. Siç është edhe rasti konkret me editorin e Expresit, Berat Buzhala në Prishtinë.
Kancelaritë e botës, sidomos ajo për të drejtat e njeriut, nuk po pushojnë së kërkuari. Për ndaljen e kësaj marrëzie në emër të mbrojtjes së kushtetutës. Apo pacënueshmërisë së shtetit nga puçet e gjeneralëve dhe gylenistëve etj. Të paktën gazetarët, ata që janë syri, veshi dhe pasqyrimi i realitetit. Edhe pse kundër këndvështrimit qeveritar, nuk duhen të ndalohen e përndiqen në këtë mënyrë. Apel ky i përsëritur nga të drejtat e njeriut.
Eshtë një situatë plotësisht e krahasueshme me etapat e Hitlerit, në kthimin e partisë, në parti shtet. Në vitet e depresionit mbas luftës së parë botërore, tek e dyta. Megjithatë revanshi erdogan është kaq i hekurosur sikur njerëzimi mos të ketë aspak memorie nga marrëzitë dhe çmendurit e shekullit të kaluar. Sidomos Europa, toka e strategëve të çmendurive genocide e shfarosjeve në masë.
Shqiptarët janë të përfshirë në këtë marrëzi. Për shkak të lidhjeve historike. Të cilat sot janë kthyer në një rrugë komunikimi njerëzor, që ndofta nuk ka aspak lidhje me erën e të çmendurit Erdogan.
Megjithatë duken si të nënshtruar për shkak të një acarimi mes tyre. Aq sa në vendin amë të kujtojnë revanshizmin e diktaturës së proletarëve kur u merrnin shtëpitë, pronat etj. Dhe i burgosnin apo internonin armiqtë e klasës në gulagun e Myzeqësë. Ndërsa ata në Kosovë e Maqedoni, janë gati të japin jetën për ymrin e diktatorit. Njeriut që ka investuar në fushatat e synetllëkut dhe mbjelljen e xhamive. Apo u kërkoi hashiqare të ndryshonin historinë në raport me dyndjet pesëqindëvjeçare të osmanllinjëve etj. Spastrimin etnik, reprezaljet, djegiet. Apo me kulturën e terrorit të kokave në kamaren e turpit. Atë që sot ca pashallarë gotash rakish, e dëshirojnë në emër të besimit, shpatës dhe dominimit patriarkal. Duke kujtuar se mundën kështu dyndjet sllave.
Shteti i Kosovës i dha një përgjigje të denjë ambasadës së Erdoganit në Prishtinë. Në lidhje me çështjen Buzhala. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Aq më tepër kur një tërësi, një strukturë e ashtuqujatur media e lirë. Me organizma dhe forume. Nuk reagon në bllok. Përfshi këtu edhe shtetin amë. Kryeqeveritarin që i lumturohej xhiros së Erdoganit në Bosfor. Shoqëria civile etj.
Pasi shkaku kryesor i ndarjes sot, i ekzistencës së tyre në pesë shtete. Shkaku i vuajtjes së bërjes shtet, e demokraci etj. I dedikohet askujt tjetër, veçse mendësisë dhe ekzistencës së pushtetarëve të tipit Erdogan.