Erdogani, me i qartë se puçistët, për “Grushtin e shtetit”!
Nga Mero Baze
Ushtarakët turq që tentuan të bënin një grusht shteti, ishin shumë larg paraardhësve të tyre të ushtrisë turke, që mbronin sekularizmin, dhe shumë afër grupeve bastarde terroriste, që duan të marrin pushtetin me dhunë. 24 orë pas përpjekjes së tyre, ende nuk ka një qëndrim politik të tyre, lidhur me arsyet që i çuan drejt vendimit për të rrëzuar me dhunë një qeveri të ligjshme. Ata nuk demonstruan asnjë ide në emër të Republikës, përse po e bënin këtë akt, dhe duket se ishin një hap pas Erdoganit, dhe kur bombarduan Pallatin e tij.
Ndryshe nga vendet e tjera të botës, ushtria turke ka një traditë “konstruktive” të spostimit nga pushteti përmes ushtrisë, së qeverive që prekin sekularizmin dhe orientojnë Republikën drejt religjionit, duke rrënuar bazat e Qemalizmit. Grushti i fundit i shtetit, ai i shtatorit të vitit 1980, nga gjenerali Evren (edhe ky me origjinë shqiptare nga Kosova), vendosi një regjim ushtarak derisa i rihapi rrugën zgjedhjeve të lira dhe vazhdimit normal të jetës politike në Stamboll.
Kushtetuta turke u ka pas dhënë të drejtën gjeneralëve të Shtatmadhorisë së ushtrisë turke, të ishin gardianë të sekularizmit dhe akti i tyre i fundit është nxjerrja jashtë ligjit e partisë së Erbakanit në vitin 1995, dhe arrestimit të vet Erdoganit, si një nga të zgjedhurit e asaj partie. Partia e re e Erdoganit është ngritur mbi rrënojat e partisë islamike të Erbakanit dhe vazhdon në rrugën e saj, por tashmë me një fuqi të re.
Falë naivitetit europian, Erdogani e përdori kërkesën e Turqisë për t’u anëtarësuar në BE, si një mënyrë për të hequr qafe autoritetin e ushtarakëve mbi Kushtetutën dhe të drejtën për të mbrojtur sekularizmin, duke e hequr atë kompetencë të tyre dhe duke bërë spastrime të mëdha në radhët e ushtrisë. Ai i hoqi Turqisë, siguresën institucionale kundër islamizimit të vendit dhe kundër triumfit të Anadollit mbi pjesën europiane turke. Vetë partia e Erdoganit, është një triumf i islamizmit mbi vlerat sekulariste të Turqisë dhe një tendencë që e bën Turqinë, përditë e më shumë islame se sa europiane. Beteja e intelektualëve turq, e gazetarëve dhe shoqërisë civile, është e pashpresë. Përballë tyre është fuqia e verbër e votave të Anadollit, që e shikojnë shpëtimtarin e tyre, si të dërguar të Allahut. Kjo u pa sot fare qartë pas dështimit të grushtit të shtetit.
Brenda katër orësh, Erdogan ka shkarkuar nga detyra rreth 2700 gjyqtarë. Është e qartë se ai ka qenë më gati se puçistët, për puçin, dhe më i përgatitur se ata, për të përdorur gjakderdhjen për të hedhur dhe një hap më tej në grushtin e shtetit. Ai po ashtu po spastron deri në qelizë ushtrinë nga kasta konservatore e sekularistëve që nuk e pranojnë islamizimin e Turqisë. Ai duket se ka qenë me lista gati.
Pas dështimit të dhunës së disa oficerëve turq, Turqia po përjeton grushtin e vërtetë të shtetit, ku presidenti Erdogan, po spastron gjykatat, ushtrinë, median dhe shoqërinë civile, në emër të grushtit të shtetit. Ushtarakët që bënë grushtin e shtetit, nuk shpalosën asnjë ide politike dhe asnjë qëndrim të qartë për qëllimin e grushtit të shtetit, duke na e bërë kështu të gjithëve edhe më të mjegullt shkakun e asaj marrëzie, ndërsa Erdogan është shumë i qartë se ata vetëm disa orë pas dështimit të tyre. Ai po forcon pushtetin në kurriz të shtetit, me një shpejtësi të frikshme.
Në vitin 1995, kur partia e Erbakanit fitoi zgjedhjet dhe ushtria e nxorri jashtë ligjit, një editorialist i “Figaro”s shkruajti një artikull mbreslënës, ku thoshte se: Turqia nuk mund të jetë “edhe demokratike, edhe properëndimore”. Nëse është demokratike, atje fitojnë antiperëndimorët, e nëse duam të jenë aty në pushtet properëndimorët, duhet të mbështetemi tek gjeneralët e ushtrisë, që natyrisht nuk janë demokratë. Por fatkeqësisht sot Turqia nuk është, as demokratike dhe as properëndimore. Aty janë vrarë disa ushtarakë që një dreq e di se çfarë deshën të bënin, por është në këmbë një Sulltan që shikohet qartë se çfarë po bën: Thjesht po thellon grushtin e shtetit në emër të pushtetit.
/Marre nga Tema/