Erërat që po fryjnë në Europë

Nga Ditmir Bushati
Java që sapo lamë u mbyll me protesta të fuqishme anembanë Europës. Serbët, hungarezët dhe gjeorgjianët dolën masivisht në rrugë, duke theksuar një prirje rajonale të qytetarëve që kërkojnë reforma demokratike dhe jetë dinjitoze. Ato kundërshtojnë korrupsionin e kthyer në sistem, njehsimin e shtetit me pushtetin dhe kalcifikimin e jetës politike.
Që prej nëntorit të 2024-ës, Serbia është përfshirë nga protesta të gjera kundër korrupsionit, të shkaktuara fillimisht nga shembja tragjike e çatisë së një stacioni hekurudhor në Novi Sad, që rezultoi në 15 viktima. Kjo ngjarje, që i atribuohet neglizhencës dhe korrupsionit të pushtetit, ndezi zemërimin e publikut. Lëvizja, e udhëhequr kryesisht nga studentët e universiteteve, ka paralizuar jo vetëm jetën universitare, duke rrokur një mbështetje të madhe popullore. Këmbëngulja dhe përmasat e këtyre protestave, më të mëdhatë që nga koha kur Aleksandar Vučić erdhi në krye të punëve të vendit në vitin 2012, kanë nxitur një ndjenjë solidariteti mes të rinjve nga Lubjana në Podgoricë, nga Zagrebi në Athinë.
Studentët në Serbi kërkojnë që ajo të bëhet një vend demokratik ku sundon e drejta dhe jo kulti i një individi. Të zhgënjyer nga politika dhe qëndrimet e zyrtarëve të BE-së, në mbështetje të pushtetit të presidentit Vučić për më shumë se 12 vjet, bie në sy fakti se studentët nuk valëvisin flamujt e BE-së nëpër protesta. Megjithëse Parlamenti Europian miratoi në shkurt të vitit të kaluar një rezolutë kritike për mungesën e standardeve në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në Serbi në dhjetorin e 2023-ës, praktikisht asnjë masë nuk është marrë. BE-ja vijoi ta trajtonte pushtetin e Aleksandar Vučić sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Po kështu, mund të thuhet se procesi i bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE është kthyer në një farsë, ku asnjëra prej palëve nuk e ka seriozisht. Megjithëse i nisur zyrtarisht në 2014-ën, për nga standardet demokratike dhe vlerat që mishëron, Serbia është më larg se ç’ishte para fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Thënë ndryshe, politika e ledhatimit ndaj Serbisë ka dështuar, pasi në harkun kohor të një dekade, ajo nuk është bërë më demokratike, nuk pranon pasojat dhe realitetin e pasluftës në ish-Jugosllavi. Dhe për pasojë, nuk është më paqësore dhe më e besueshme ndaj fqinjëve.
Në Gjeorgji protestat e kanë zanafillën tek mungesa e zgjedhjeve të lira, dominimi i jetës politike dhe ekonomike nga një parti në pushtet që prej vitit 2012. Beteja për përcaktimin europian dhe raportet e ndërlikuara me Rusinë janë elementë të rëndësishëm të krizës gjeorgjiane. Shkëndija që ndezi valën e protestave ishin zgjedhjet parlamentare të diskutueshme të tetorit 2024. Ashtu sikurse në rastin e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, muajin e kaluar Parlamenti Europian miratoi një rezolutë kritike ndaj mungesës së standardeve zgjedhore në Gjeorgji, duke kërkuar në të njëjtën kohë, vendosjen nën sanksione të zyrtarëve të rangut të lartë të përfshirë në minimin e proceseve demokratike.
Si kundërpërgjigje ndaj rezolutës, kryeministri Irakli Kobakhidze njoftoi pezullimin e bisedimeve të pranimit të Gjeorgjisë në BE deri në fund të vitit 2028, sikundër refuzimin e ndihmës dhe instrumenteve financiare të BE-së (granteve dhe kredive) që, sipas tij, përdoret si levë presioni. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se qeveria e tij do të vazhdojë të zbatojë reformat e kërkuara për anëtarësim dhe se ende planifikon që Gjeorgjia të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030. Megjithëse një vend kandidat për anëtarësim në BE, që prej dhjetorit të vitit 2023, standardet demokratike kanë shënuar kthim pas. Legjislacioni që synon frenimin e ndikimit të huaj, kryesisht në radhët e OJF-ve dhe kritikëve të pushtetit, konsiderohet si vazhdim i trajektores së çimentimit të pushtetit.
Në dallim nga serbët, gjeorgjianët valëvisin flamujt e BE-së nëpër protesta, duke besuar si ne ballkanasit dikur se, duke u afruar më shumë me BE-në do të jenë në gjendje të mbrojnë më mirë disa standarde dhe vlera demokratike, të cilat BE-ja i mishëron. Nga ana tjetër, protestat në Hungari janë tregues të funksionimit të pamjaftueshëm të elementëve demokratikë të sistemit edhe kur je anëtar i BE-së, apo nën mbikëqyrje nga strukturat europiane në raport me sundimin e së drejtës. Që prej vitit 2010 në Hungari kemi të bëjmë me dominimin e një partie që kontrollon pothuajse të gjitha levat e pushtetit, ekonomisë dhe mediave.
Mirëpo së fundmi, pushteti absolut i Viktor Orbán është tronditur, si pasojë e kundërshtimeve në rritje. Hungarezët po protestojnë kundër korrupsionit dhe kufizimit të lirive dhe të drejtave. Lëvizja e re opozitare e drejtuar nga Péter Magyar, dikur njeri i rrethit të afërt të Orbán, sot denoncuesi kryesor i skandaleve korruptive, ka arritur të mobilizojë protesta masive popullore. Si kundërpërgjigje Orbán ka propozuar ndryshime kushtetuese që synojnë frenimin e ndikimit të huaj, veçanërisht duke synuar OJF-të dhe mediat që marrin fonde ndërkombëtare. Ai i konsideron këto entitete si kërcënime ndaj sovranitetit kombëtar, një veprim që kritikët e perceptojnë si vazhdim i përpjekjeve për të mbytur disidencën dhe për të konsoliduar më tej pushtetin.
Megjithëse vende me karakteristika, gjeografi dhe histori të ndryshme politike, e përbashkëta e tyre qëndron në faktin se pushteti është fituar në mënyrë legjitime, jo me dhunë. Por, me kalimin e kohës dhe sidomos për shkak të jetëgjatësisë së pushtetit, janë shkelur kufizimet që mbajnë në këmbë një sistem demokratik. Pak a shumë në të tri vendet është përdorur një truk i vjetër: fillimisht predikohet ligji për të fituar pushtetin, pastaj përdoret pushteti për të shtrembëruar apo shpërfillur ligjin. Gjithashtu, rastet e mësipërme na tregojnë se pavarësisht nëse je kandidat apo anëtar i BE-së, procesi i transformimit demokratik jetësohet falë kontributit, ushtrimit të përgjegjësive dhe vigjilencës së qytetarëve, për të mos lejuar prodhimin e një pushteti që nuk kontrollohet dot.
Jetëgjatësia në pushtet dhe çmontimi një e nga një i mekanizmave të kontrollit dhe ekuilibrit të pushtetit shitet si diçka normale që ka të bëjë me efektivitetin e qeverisjes dhe të mirën e popullit. E vetmja gjë që kufizon pushtetin është vullneti i mirë i tij, çka nuk ka lidhje me përkufizimin e demokracisë. Sepse, siç thotë me të drejtë politologu Adam Pševorski: “Demokracia është një sistem ku disa gjëra duhen lënë të hapura për një shans që demokracia të përmbushë emrin e saj”. Protestat në Europë, edhe nëse nuk e korrigjojnë në vetvete deficitin demokratik të jetës politike, janë një mundësi për shkundjen e stabilokracisë dhe hapjen e një rruge që çon në gjetjen e balancave të reja politike e shoqërore.
Situatat e përshkruara më sipër, pavarësisht dallimeve që kanë të bëjnë me veçantinë e secilit vend, në thelb të kujtojnë fabulën e famshme të Goethe-s “Nxënësi i magjistarit”, ku tregohet se si një magjistar ia beson drejtimin e punishtes së tij një nxënësi të ri duke i dhënë disa detyra. Nxënësi vendosi t’ia lehtësojë punën vetes duke përdorur një nga magjitë e magjistarit por që rezultoi në përmbytjen e punishtes. Nxënësi u detyrua t’i lutej për ndihmë magjistarit dhe vetëm falë ndihmës së tij përmbytja u ndal. Mësimi që del prej fabulës së shkruar shekuj më parë është i qartë: pushteti duhet të ushtrohet në mënyrë të kontrolluar, ndryshe sjell fatkeqësi. Prandaj, erërat që po fryjnë në Europë na tregojnë se njerëzit nuk janë më të gatshëm të tolerojnë shkeljen e normave demokratike në këmbim të disa të mirave materiale që ata vlerësojnë. Ata po shkundin themelet e pushtetit jetëgjatë, duke luftuar për demokracinë dhe refuzuar çdo kompromis që nuk i shërben të ardhmes.
Analiza është botim i fondacionit “Friedrich-Ebert”.