Erion Kristo: Torturizëm! Turizmi nuk është lojë shifrash, por idesh
Nga Erion Kristo –
Dikur shqiptarët bënin turizëm duke shkuar te njerëzit e tyre në fshat. Kjo sot quhet agroturizëm. Dikur, të paktën në Vlorë, sezoni turistik hapej herët. Njerëzit shkonin turma turma nëpër ato kabinat e drurit. Flinin në shesh, por kënaqeshin. Varfëria na bashkonte. Torturizëm.
Sot turizmi është shumë herë më i zhvilluar. Por edhe ai ka tipare torturiste. Nga njëra anë kemi investime të mira (droga ka bërë të vetën), kamerierë pak më të shkathët, gatime pak më serioze, shtimin e numrit të gotave, lugëve dhe pirunëve nëpër tryeza, etj etj. Nga ana tjetër kemi lopën që ha plehra, llomat me ui fi, naftën në breg të detit, shpërthimin e ujërave të zeza, ikjen e dritave, pronarët e pagdhendur që na nxjerrin namin edhe nëpër botë, caktimin e çmimit me sy, e plot të tjera.
Jemi krejt Bardh a ZI. Në përpjekjen e tyre të bukur, shqiptarët po mësojnë me shpejtësi si të sillen në fushën e turizmit. Agroturizmi po merr krahë. Edhe shteti është më i ndërgjegjshëm dhe ndërhyrje shtetërore ka. Por ka dhe gjoba në mes të sezonit, mbyllje lokalesh, terror tatimor, etj etj. Shkollat profesionale po nxjerrin studentë më të përgatitur. Kemi më shumë guida dhe kuaj që shëtisin turistët. Mbetet ende dilema e cilësisë së diellit. E keni parasysh vetë.
Për ta mbyllur duhet që të ketë një bashkëpunim më të madh me operatorët turistikë. Qeveria duhet të dëgjojë më shumë hallet konkrete dhe të lërë strategjitë e pafundme, për t’u fokusuar te ndihma e drejtpërdrejtë për turizmin. Por mbi të gjitha duhet që llapaqenët që hedhin vrer mbi turizmin ta mbyllin bucen se po shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike. Njerëzit kanë investuar shpirtin në këtë lëmë, nuk është e drejtë t’i thyejmë në mes.
Nëse ka paqartësi, pakënaqësi, këto duhen kanalizuar, siç bëjnë gjithë popujt e mençur. Duhen shoqata konsumatorësh, duhen masa shtetërore, duhet që portalet të mos kënaqen me klikime duke dëmtuar një sektor që jep deri në 26% të PBB-së. Boll me armiqësira.
O kamarier, po mbaje një laps o vlla, se nuk të rëndon. Turizmi nuk është lojë shifrash, por lojë idesh.