Erioni na fton te Sheshi me biçikleta

Tirana do të zgjohet sot me më pak zhurmë e tym makinash. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj njoftoi se nisma “Dita pa makina” do të rikthehet edhe këtë të diel. Për këtë arsye do të ketë kufizim të lëvizjes së automjeteve në kufijtë e Unazës së Vogël, në sheshin “Skënderbej” dhe në pjesën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri te ura e madhe, pranë hotel “Dajtit”.

Qarkullimi do të shmanget në rrugët “Dedë Gjon Luli”, “Ibrahim Rrugova”, Ura e Tajvanit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ura te Rruga e Elbasanit, rruga “George Bush” para Parlamentit dhe Rruga e Barrikadave. Bashkia njoftoi se transporti urban do të vijojë normalisht, duke devijuar vetëm stacionet përgjatë zonës me trafik të kufizuar në rrugët dytësore. Krahas bllokimit të mjeteve, Bashkia ka planifikuar organizimin e një sërë aktivitetesh kulturore dhe sportive, ku qytetarët janë ftuar të marrin pjesë.

“Dita pa makina” është një nismë e ndërmarrë nga kreu i Bashkisë, Erion Veliaj me qëllim reduktimin e ndotjes në kryeqytet. Fillimisht u lançua në Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Mjedisit, në 22 shtator të vitit të kaluar. Efektet pozitive të kësaj dite bënë që Bashkia ta kthejë në një aktivitet të shpeshtë, që nuk zhvillohet vetëm një herë në vit.

Një nismë e tillë është kritikuar si ide shoqatash ambientaliste dhe pa efekt në mjedis. Në fakt shifrat flasin ndryshe. Në matjet që ka kryer Instituti i Mjedisit në Tiranë, gjatë ditëve pa makina rezulton se brenda një dite niveli i ajrit është 4 herë më i pastër sesa normalisht.  Studimet e kryera në kryeqytet nga institucionet e mjedisit e rendisin Tiranën si vendin më problematik nga ndotja e automjeteve. Janë rreth 160 mijë makina që çdo ditë lëvizin në Tiranë dhe shumica e tyre kalojnë në qendër të qytetit. Ndotja që i shkaktoi qytetit që vuan nga mungesa e gjelbërimit është e pallogaritshme. Edhe pse duken si statistika që kanë të bëjnë me studiuesit, kjo ndotje prek direkt qytetarët. Institucionet mjekësore raportojnë se në një vit 500 banorë humbasin jetën nga ndotja në Tiranë, si pasojë e sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes. Pra, çështja e makinave nuk është vetëm një problem estetik apo problem trafiku, por edhe një fenomen vrasës. 500 viktima në vit janë një shifër alarmante.

Nga ana tjetër, Tirana ka nevojë për një disiplinim rrënjësor të trafikut dhe mjeteve që qarkullojnë. Shifrat e aksidenteve ngjanë me bilance lufte. Çështja e qarkullimit në Tiranë lidhet dhe me sigurinë. Sipas një raporti të Ministrisë së Transporteve, kryeqyteti renditet në zonat me më shumë aksidente. Vetëm në vitin 2013, në Tiranë janë regjistruar rreth 700 aksidente, ose 6 herë më shumë se numri i aksidenteve të ndodhura në qytete si Durrësi, Fieri e Shkodra.

Të gjithë këto të shifra tregojnë se përdorimi kaq i madh i makinave është dhe arsyeja kryesore e trafikut të çmendur që ka sot Tirana. Sigurisht, pushteti vendor apo dhe qeveria nuk mund të ndalojë qarkullimin e mjeteve si dikur në komunizëm dhe të detyrojë të ecin njerëzit në këmbë. Por një kulturë e re e përdorimit të mjeteve është e domosdoshme. Ndryshe Tirana do të vazhdojë të “çmendet” nga trafiku dhe vdekjet nga sëmundjet në mushkri do të shtohen.

Zgjidhja nuk mund të vijë menjëherë. Por nisma të tilla si “Dita pa Makina”, sado modeste të duken janë projekte që shpërbejnë për të treguar se cila është rruga që duhet të ndiqet për të ulur nivelin e ndotjes. Nisma të tilla janë të nevojshme për të futur dhe një kulturë të re në mbrojtjen e ambientit. Një ditë pa makina është pak, por të paktën është një sinjal për t’i përshtatur njerëzit me faktin se jetohet mirë edhe pa pasur mjete në qendër të qytetit. Është një kulturë e re jetese që kërkon të fusë bashkia dhe bën shumë mirë.

Ndaj sot, mbyllini makinat (ata që kanë), merrni biçikleta ose bëni një xhiro në këmbë në Tiranë.

SHKARKO APP