Erion Veliaj i heq gjethet reformës në drejtësi

Nga Andi Bejtja

Sot ka ndodhur një ngjarje e paprecedentë, që jo vetëm nuk ka ndodhur gjatë afro tre dekadave tranzicion të historisë së Shqipërisë në rrugën e mundimshme të konsolidimit të shtetit, po druaj dhe në gjithë historinë botërore: një institucion shtetëror siç është Bashkia e Tiranë ka protestuar ndaj një institucioni tjetër shtetëror dhe për më tepër kundra një Gjykate.

 Sot është prishur një standard demokracie botëror e jo thjesht shqiptar. Sot Shqipëria kthehet shumë hapa pas dhe shënon emrin në një listë të zezë që ka shumë mundësi të ngelë e vetme.

 Nuk kam ndërmend t’i hyj lejes së dhënë për të ashtuqujtuarin pallat 17 katësh tek diga e liqenit, mund të mos jetë shkelje, mund të jetë, siç mund të jenë dhe qindra pallate jo vetëm në periferi, por edhe në zemër të Tiranës. Nuk është ky thelbi. Kryetari Bashkisë së Tiranës mund të ketë të drejtë në pretendimin se anëtarët e trupit gjykues mund të kenë konflikt interesi, por nuk është kjo rruga institucionale që duhet ndjekur: ka dhjetëra hapa të tjerë që mund të bëheshin para, gjatë dhe pas, për të shpëtuar nga ky rekord i ri botërori “antishtetit” dhe i prishjes bazë të standardeve të demokracisë.

 E gjitha kjo që ka ndodhur, përveç të tjerave, merr dhe ngjyresë tjetër, kur  po të kemi parasysh thirrjet për miting të një Bashkie Shqiptare kundra një Gjykate Shqiptare, u bënë pak minuta, pasi dy Ambasadorët, që mund të quhen me plot gojën kuajt e reformës në drejtësi, Ambasadori Amerikan Lu dhe ajo e BE-së Vllahutin, sapo kishin mbyllur dy takime të pazakonta me grupet parlamentare për reformën në drejtësi, në përpjekje të mundimshme për të hapur sipas tyre një kapitull të ri, por që fatkeqësisht mendoj se pas kësaj proteste, ku duket qartë mentaliteti që kanë për drejtësinë flamurtarët e saj shqiptarë, nuk është as më shumë e as më pak një revolucion proletar kinez.

 Besoj jo vetëm unë, por edhe mijëra të tjerë, do të ishim të interesuar të dinim se çfarë mendojnë dy Ambasadorët respektivë për këtë protestë të paprecedentë, dhe për më tepër dhe në këtë kontekst. Si përkthehet ky akt që pavarësisht se nuk jam jurist me aq sa kulturë juridike kam, mund të jetë dhe një akt i ndëshkueshëm penalisht: si përkthehet ky akt jo vetëm në të tashmen, por edhe në projeksionin e ardhshëm të projeksionit të reformës së madhe në drejtësi, çfarë pasojash mund të ketë, sa e komprometon këtë reformë. Të jemi të sinqertë, jam kurioz të dëgjoj dhe Kryeministrin Rama, a mendon edhe ai si kryebashkiaku i tij, apo ka mendim tjetër, pavarësisht se aludoi se reforma në drejtë si duhet edhe që mos t’i ndodhte Koço Kokëdhimës heqja e mandatit.

Me këtë protestë, sot i kemi rënë shtetit dhe atyre standardeve demokratike që me aq mund i krijuam dhe që me aq mund po i mbajmë, i kemi me vrarë. Kjo nuk ka ndodhur as kur pothuajse nuk kishte shtet në vitin 1997. Sot nuk kemi masë drejtësie, sot po i hapim dyert kaosit dhe po i vëmë mina të padukshme të ardhmes. Sot po hapim një precedent të keq dhe një plagë të gati-gati të pariparueshme: Mos u habisni kur nesër edhe pas realizmit të reformës në drejtësi, Ministria e Mbrojtjes të protestojë kundra një gjykate, apo Kryeministria të protestojë kundra Zyrës së Avokatit të Popullit.

Fatkeqësisht, sot njohëm dhe mentalitetin e një pjese të atyre që mesa duket e duan reformën në drejtë si për të imponuar vetëm një masë drejtësie: masën e vet. Sot, fatkeqësisht kemi humbur të gjithë. Ambasadori Lu, Ambasadore Vllahutin, ju rroftë reforma në drejtësi!

SHKARKO APP