Ese për emigrantët

Ajo kohë për fat kaloi shpejt. Qëlluam që ishim një popull që ditëm të përshtateshin dhe të bëheshim shumë të ngjashëm me vendasit ku emigruam. Shumë më të përshtatur se sa kombe të tjerë. Ditët e rënda u harruan…

Nga Blendi Fevziu

Jemi një popull emigrantësh. Më vjen gjithnjë në mend kjo frazë, në udhëtimet e gjata, ku pothuajse përherë, një person qëllon të më afrohet për të më përshëndetur apo folur shqip. Jo vetëm në Europë ku kjo gjë është e kuptueshme. Por edhe në shumë vende që nuk e mendoja asnjëherë që një shqiptar, do të më dilte përpara për të më thënë nga vinte ose nga vijnë prindërit e tij. Disa flasin shqip rrjedhshëm, të tjerë kanë vështirësi. Të gjithë bashkë kanë një krenari të çuditshme për prejardhjen e tyre. Vitet dhe distanca, një gjendje më e mirë ekonomike, i ka bërë më të ndjeshëm për origjinën, më të afërt me të. Shumica kanë një pamje të ndryshme nga ajo e prindërve që lanë Shqipërinë kryesisht në fillim të viteve ’90 – të.

Emigrantët e Greqisë po hyjnë në brezin e dytë. Shumica kanë lindur ose kanë shkuar fëmijë në Greqi. E kanë më vështirë nga gjithë integrimin. Ata të Italisë disi më të lehtë. Por janë më pranë Shqipërisë. Ata që janë larg kanë një qasje krejt tjetër. Më kujtohet një barmen në një lokal buzë detit në Kankun që më një shqipe të dominuar me fjalë anglisht më tregoi se vinte nga Laçi, se prindërit e tij kishin emigruar në Florida kur ai ishte 5 vjeç dhe se vetëm një herë ishte kthyer në vendlindjen e tij. Babai im të sheh në Youtube më tha, por ai vetë nuk dinte as si quhesha e as me çfarë merresha tamam në Shqipëri. Ju dëgjova që flisnit shqip, më tha dhe m’u duke fytyre e njohur.

Por brezi i dytë e ka më të lehtë. Ata që kanë lënë vendin në moshë të madhe më të vështirë. M’u kujtua se si vite më parë në Buonas Aires u takova me një aktor të njohur shqiptar. Një prej atyre që kishte shënjuar fëmijërinë time. M’u duk thuajse i rrënuar nga largësia dhe mungesa e vendlindjes. Siç m’u kujtua një burrë i moshuar që kisha takuar në një darkë të Ambasadës shqiptare në Kairo. Kishte mbetur në Kairo si shpura që kishte shoqëruar mbretin Zog në vitin 1947. Kishte ikur nga vendlindja thuajse 5 vjeç dhe e vetmja gjë që mbante mend ishte imazhi i Dajtit që shihte çdo mëngjes nga dhoma e fëmijërisë. Dajti është aty, i thashë instinktivisht. Ishte fraza më pa sens në botë, por burri u gëzua shumë. U gëzua po aq shumë sa ai djali nga Shkodra, që pas 22 vitesh në Nju Jork, pa u kthyer kurrë në atdhe më bëri pyejen më befasuese:

-A ka më xixëllonja? S’kam pa ma kurrë!

Nuk i kisha parë as unë nga fëmijëria, por kur i thashë Po, gjithë siguri, sytë e djalit ndritën si vetë xixëllonjat.

Jemi popull emigrantësh, por një popull që për fat jemi integruar mirë. Thuasje 1/3 e popullsisë sonë ka lënë Shqipërinë këtë çerek shekulli. Kanë ikur nga varfëria, nga papunësia, nga ndryshoja që ndjenin në një atdhe që për shumë vite thuajse nuk ju përkiste. Ikën duke u kacavjerrë mbi anije, ikën duke hyrë në ambasadat e huaja, ikën hipur mbi gomone që çanin errësirën e Adriatikut dhe që morën shumë jetë. Iknin me çdo gjë që mundeshin. Në Fircence, në 1991 pata takuar dy djem që ishin larguar me anijen që sillte gurë nga Orikumi. I trembur nga turma kapiteni kishte hequr timonin dhe e kishte marrë me vete. Ata që donin të iknin në Itali kishin marrë një çelës papagall dhe me të kishin sajuar një timon të imporvizuar. Nuk do ta harroj kurrë rrëfimin e tyre. Siç nuk do të harroj rrëfimin e atij djalit nga Kukësi që kishte qëndruar i mbërthyer nën maune plot 12 orë për t’i shpëtuar kontrollit të kufijve dhe të arrinte në Belgjikë.

M’u kujtuan vitet e para. Emigrantët që takova në Romë dhe kalova ca ditë me ta. Ishte viti 1991, sapo ishin nisur anijet e para. Qëndronin gjithë ditën në zonën e stacionit Termini dhe përgatiteshin për eventin më të madh të javës. Ishte vizita në tezgat e Porta Portezes, ku mundoheshin të vidhnin tek tregtarët grosistë gjithçka mundnin. Në fakt për ne gjithçka ishte e vlefshme. Në atë varfëri mbytëse. Ishte një ritual që zgjaste me orë, nën klithmat e shitësve apo kërcënimin e karabinierëve që vërtiteshin andej pari.

Rituali merrte fund kur gjithë malli, preja e javës, ose e disa javëve, ambalazhohej në ca thasë të mëdhenj plastikë dhe nisej për në Shqipëri. Ajo ishte pjesa e tyre më njerëzore, më e prekshme. Qëmtimi i ndonjë njeriu që kthehej në Shqipëri dhe pranonte të merrte bashkë me thasët e tij edhe një apo dy thasë të tyre, ishte gjuetia më e vështirë në qytet. Shpesh ata ishin në qytete të tjera, afër apo larg dhe emigrantët niseshin. I ambalazhonin mallrat e tyre duke i ngritur fillimisht lart, duke i parë me vëmendje gjithë detajet, sikur të donin të mendonin se cila do të qe ndjesia e djalit apo vajzës kur t’i hapnin ato, atje në Shqipëri. Ato momente përmalleshin, bëheshin më melankolikë, ju mbusheshin sytë me lot. Lotët fillonin dhe breronin pa dashje, pak nga pak dhe më me forcë kur uleshin për të shkruajtur letrën që do shoqëronte thesin. Letrën e radhës që fillonte gjithnjë me fjalët: “E ose I dashur shpirti i babit, Babi të do shumë, të mendon gjithnjë dhe e merr malli për ty…” Pastaj vijonte me një përshkrim të jetës aty. Një përshkrim rozë, të ëmbël, që e bënte kapanonin e mjerë të Karitasit si të ishte hoteli më luksoz në botë, jetën e përditshme një jetë normale dhe që i paraqiste ata me atë dimension që ju mungonte aq shumë, dinjitetin. Qenë dinjitozë në letrat e tyre, shumë dinjitozë dhe e gjitha kjo, përmbyllej sërish me një shpërthim emocional: “Ju përqafoj shumë, do shihemi së shpejti” ose “kujtoje çdo ditë babin tënd”. Shpesh, duke shkruajtur fillonin të qanin me zë dhe atë moment, qanin thuajse në kor të gjithë djemtë dhe burrat e tjerë. Siç bënin kur ndonjë prej tyre merrte ndonjë lajm fatkeqësie, ose gëzimi dhe ata e ndanin bashkë.

Ajo kohë për fat kaloi shpejt. Qëlluam që ishim një popull që ditëm të përshtateshin dhe të bëheshim shumë të ngjashëm me vendasit ku emigruam. Shumë më të përshtatur se sa kombe të tjerë. Ditët e rënda u harruan.

Vite më vonë, qëlloi të takoja disa prej bashkudhëtarëve të asaj pranvere 1991 në Romë. Jeta e tyre kishte ndryshuar, ata qenë bërë qytetarë të një Europe normale, kishin familje të lumtura, por kostoja që kishin paguar për këtë nuk kishte si mos linte gjurmë. Vetëm se ata i ruanin fëmijët prej saj, nuk ju rrëfenin për atë kohë, për fillimet. Nuk donin që ata ta preknin atë haraç që prindërit e tyre kishin paguar në rrugën e vështirë të integrimit.

Jemi një popull emigrantësh. Një popull që u shkapërdis befas, në pak vite në fillim të ’90 – tës. Nuk e di si do të kishte qenë jeta jonë pa ta. Pa të ardhurat e tyre, pa dashurinë që kanë për vendin dhe pa pasionin për ta parë atë ashtu siç duhet. Jemi një vend emigrantësh dhe duhet të jemi krenar për ta. Opinion.al

SHKARKO APP