‘Është koha t’i bëni pyetje vetes’/ Fjala e plotë e Linda Ramës në Samitin Ndërkombëtar të Grave në Londër
Linda Rama ka qenë ditën e sotme e pranishme në një samit në Londër me temë fuqizimin e grave, ku ka mbajtur një fjalim të per gruan ne Shqiperi, sukseset dhe sfidat e saj. Në vijim mund të lexoni fjalën e plotë të Linda Ramës në samitin e Londrës:
Gruaja shqiptare u bë këto kohët e fundit temë interesimi në mënyra të shumëllojshme. Por temë bisedimi, me një ngjyrë pak a shumë serioze, nuk u bë kurrë. Mjerisht i është vënë rëndësi më e madhe anës reklamonjëse të kësaj shfaqjeje. Është koha, na duket, të pushohen zhurmat e sallonevet, dëfrimet e dansevet dhe krenarit e tualetevet dhe të drejtohen vështrimet e pjesës së ndërgjegjshme të shoqërisë sonë në problemet shoqërore të jetës kombëtare, midis të cilëve ai i gruas zë vend të rradhës së parë”.
Është ky, një shënim i redaksisë së revistës të përmuajshme kulturale “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit, në prill 1938 që i paraprin artikullit Feminizmi dhe shoqëria, shkruar nga feministja e parë e artikuluar shqiptare Olga Plumbi.
Duke menduar se çfarë mund të thosha në këtë samit, pyeta nënën e Edit: Cila është sfida më e madhe që ka gruaja sot? Të refuzojë agresivitetin dhe të ruajë epërsinë e thelbit ndaj formës – m’u përgjigj.
Pyeta nënën time: Cila është sfida më e madhe që ka gruaja sot? Përpara se të mendosh për sfidat, mos harro të kujtosh arritjet e gruas, që gjyshja ime iku pa i imagjinuar dot për mua, ndërsa unë i imagjinoj të pafundme mundësitë për mbesat e mia – m’u përgjigj.
Pyeta Rean, vajzën tonë 29-vjeçare: Cila është sfida më e madhe që ka vajza sot? Të njohë dhe të përqafojë plotësisht natyrën e saj – m’u përgjigj.
Pyeta Gregun, djalin tonë 28-vjeçar: Cila është sfida më e madhe që ka gruaja sot? Lufta për shkollim dhe punësim dhe përballja me mentalitetet patriarkale në Shqipërinë rurale dhe periferike, – më tha.
Pyeta mikeshën time, një profesioniste shumë e mirë: Cila është sfida më e madhe që ka gruaja profesioniste sot? Të pretendojë e të guxojë më shumë, duke shtruar rrugën dhe lëne gjurmë për të frymëzuar gra e vajza të tjera qe të mund ta ndjekin e çojnë më tej lartësimin e saj, – m’u përgjigj.
Pyeta dhe të tjerë, duke marrë të tjera përgjigje që plotësonin mozaikun e sfidave të gruas në një vend të vogël si Shqipëria, që historia për gjysmë shekulli e vuri në sprovën e diktaturës më të egër krahasuar me të ngjashmet e veta dhe të tranzicionit shumë të vështirë në 30 vitet e fundit.
Këto dy sprova nuk do të mund të kaloheshin pa vajzat dhe gratë e kthyera në model të një sakrifice vetëmohuese për të mbajtur në këmbë ekuilibrat e familjes e të shoqërisë! Gruaja shqiptare ka qenë, është dhe do të mbetet heroinë, në shtjellat e një historie aspak bujare me të – sjell në vëmendjen tuaj këtu se komunizmi erdhi në jetën e shqiptarëve me flamurin e emancipimit të gruas, që prej shekujsh jetonte e dënuar me përjashtim nga jeta sociale në pjesën dërrmuese të vendit.
Në pamundësi për ta trajtuar mozaikun e sfidave të gruas shqiptare në të gjithë kompleksitetin e vet historik, por edhe aktual, përtej ndryshimeve marramendëse të kohës së re, do të përqendrohem tek potenciali i jashtëzakonshëm i vajzës dhe gruas shqiptare për më shumë kontribut cilësor në shoqëri, dhe avancimi i përfaqësimit të saj në të gjitha nivelet. Kjo besoj është një nga ato tema që qëndron në agjendën e gruas të çdo vendi të zhvilluar apo në zhvillim, por besoj po ashtu se në realitetin e Shqipërisë këto dy momente ku po fokusohem, janë domethënës.
Gruaja shqiptare nuk ka qenë kurrë më e arsimuar sesa sot. Vetëm 5% e grave të brezit të nënave tona ishin me arsim të lartë. Sot, janë gjashtë herë më shumë vajza me diplomë universitare në grupmoshën 25-39 vjeç. Sot nuk ka hendeqe gjinore në arsimin e detyrueshëm, çka është arsye për optimizëm lidhur me mbylljen në jo shumë kohë të hendekut të ngushtë gjinor që ende ekziston në arsimin e mesëm. Sot, ka shumë më shumë vajza sesa djem që ndjekin arsimin e lartë dhe kjo do të ishte e pamendueshme deri jo shumë dekada më parë.
Por, në tregun e punës ky potencial zbehet. Janë më pak gra se burra të punësuar, janë dy herë më shumë gra se burra të përfshira në punë pa pagesë në bizneset familjare, të parat që dalin nga tregu i punës janë gra, kryesisht për shkak të mëmësisë e vështirësuar së tepërmi në kohët që jetojmë, ndërsa shumë të tjera qëndrojnë ende nën trysninë e mentaliteteve patriarkale pa mundur të shpalosin aftësitë dhe talentin e tyre.
Përballë këtij realiteti, gjendet një potencial i jashtëzakonshëm që mbështetet në një këndvështrim mbi gruan që sot është në një nivel krejt tjetër nga më parë, si dhe në nivelet e përfaqësimit në vendimmarrjet administrative dhe politike që sot janë shume domethënëse e inkurajuese.
Madje impresionuese.
30% e deputeteve në Parlament sot janë gra, 50% e përfaqësuesve në këshillat bashkiakë të vendit janë gra, 50% e anëtarëve të kabinetit qeveritar janë gra, të cilat aktualisht drejtojnë edhe sektorë që kurrë më parë nuk i ishin besuar gruas.
Energjetika dhe infrastruktura sot kanë një Ministre grua, po ashtu Financat dhe Ekonomia. Gra janë edhe ministret e Mbrojtjes, Drejtësisë, Arsimit, Shëndetësisë, Kulturës e të Marrëdhënieve me Parlamentin.
Avokatja e Popullit është grua, Prokurorja e Përgjithshme është grua, Kryetarja e Kolegjit të Lartë të Gjyqësorit është grua, po kështu Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të gjykatësve e prokurorëve, është grua. Gra janë edhe Kryetarja e Kolegjit të posaçëm të Apelimit, grua është edhe drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Renda, po kështu edhe Drejtuesja e Prokurorisë më te madhe në vend, ajo e Rrethit Gjyqësor të Tiranës.
47% e zëvendësministrave, 40% e institucioneve qendrore dhe 45% e drejtorive të Përgjithshme drejtohen nga gra.
30% e administratorëve dhe të pronarëve të biznesit privat janë gra. Dhe më shumë se 40% e pozicioneve në linjën e parë të menaxhimit në kompanitë private janë gra.
Kjo tërësi domethënëse vajzash dhe grash që qëndron në majën e arkitekturës institucionale pa dyshim që është produkt i një kapaciteti të ri shoqëror e politik për të vlerësuar meritën, por edhe për të theksuar nevojën e gruas në vendimmarrje. Ky kapacitet i ri, është krijuar falë një investimi të gjatë, të vështirë dhe të vazhdueshëm, në të gjitha betejat aspak te lehta zhvillimore dhe emancipuese; përpjekje të nisura më pak se tre dekada më parë, nga baza e aktivizmit civil, për vendosjen e kuotave gjinore në politikë dhe për rritjen e përfaqësimit të gruas në administrimin publik. Por besoj se ky kapacitet i ri është edhe produkt i një integriteti të dallueshëm dhe një këmbënguljeje të admirueshme, të vajzave e të grave, falë ndër të tjera edhe dy faktorëve kyçë: Nënave që s’kanë dashur thjesht të trashëgojnë në paqe statusin social që kanë patur vetë, po kanë luftuar që vajzat e tyre, t’i kërkojnë më shumë të nesërmes në raport me pozitën gjinore. Dhe e dyta, mësueseve, të cilat duke qenë më së shumti gra, na kanë mësuar se për gruan është më kritike se për të tjerët të dijë të llogaritë kostot e ardhshme të vendimeve te sotme.
Do të ishte jo vetëm e dëshirueshme, po në një farë mënyre edhe një lloj borxhi për t’u paguar që gratë që sot qëndrojnë në nivelet më të larta të përfaqësimit politik dhe të përfaqësimit në administratën e lartë publike ose në sektorin privat, t’i bënin vetes çdo ditë pyetjen:
Çfarë kam bere që politika, qeverisja, sipërmarrja private të jenë më të hapura dhe më miqësore për gratë dhe vajzat si unë? Çfarë mund dhe duhet të bëj konkretisht, për t’i krijuar më shumë mundësi grave dhe vajzave të shkolluara që kërkojnë të hapim dyert e tregut të punës? Çfarë ndihme mund të jap për të lehtësuar ato që gjenden nën presionin e dhunës në familje, për të përmirësuar kushtet e mëmësisë, për të shkëputur nga kthetrat e të shkuarës vajzat dhe për t’i drejtuar në klasa e auditorë? Çfarë hapash duhet të ndërmarr për të krijuar një shembull në stimulimin e shembujve të duhur?!
Sot, gratë janë të pranishme më shumë se asnjëherë me pozicionet e tyre, por ndryshe nga ç’shpresohej vihet re se nuk është ende e pranishme ndjeshmëria e tyre ndaj problematikës gjinore. Shoqëria nuk ka ku e kërkon dhe as ku e gjen tjetër veçse tek gratë që ushtrojnë pushtet vendimmarrës e disponojnë një platformë publike, energjinë e shtuar për një betejë sa themeltare e po aq të vështirë për të ardhmen e saj, siç është beteja për barazinë gjinore. Kush tjetër mund t’i japë forcën e duhur reagimit ndaj agresivitetit, vulgaritetit dhe dhunës verbale, që po rrezikojnë të kthehen në një normalitet te ri, epidemik, në mjedisin e ndërveprimit publik? Kush më mirë dhe kush në vend të tyre, mund të marrë iniciativën e udhëheqjes së zëshme e konkrete, të reagimit ndaj kërcënimit të këtij normaliteti të ri, ku shumica e vajzave e grave rrezikon të tkurret e të struket?
Nuk kemi ku ta kërkojmë, veçse tek ato vetë në radhë të parë, forcën e shembullit kundër çdo lloj shantazhi, bulizmi e diskomforti në mjedisin social. Nuk kemi ku i kërkojmë veçse përmes vetë atyre, iniciativat për të lehtësuar mëmësinë, për të garantuar punësimin dhe mbështetjen në karrierë, për të garantuar drejtësinë deri në fund, për ushtruesit e dhunës ndaj gruas, mohuesit e të drejtave të gruas dhe denigruesit e figurës së gruas.
Ne presim prej tyre që t’i imponojnë me forcën e shembullit si standarde shoqërore, tolerancën ndaj tjetrit dhe solidaritetin për tjetrin; moslëshimin ndaj kujtdo që cenon tjetrin dhe mosnegocimin e respektit të domosdoshëm për njëri-tjetrin. Këtë borxh ndaj shoqërisë lipset ta kthejnë duke hapur perspektiva të reja, të qarta dhe të sigurta për gruan dhe duke kuruar me elegancë shëndetin e mjedisit social për më shumë tolerancë dhe respekt të ndërsjellë.
Duke ju falënderuar për frymëzimin dhe mundësinë që më dhatë, po e mbyll duke ju rrëfyer se jam nga ato që besojnë se cilado grua qe ndjen se mund të sjellë ndryshim në jetët e njerëzve, sigurisht e kupton se pas shumë rruge i jemi ngjitur një mali, maja e të cilit duket ende larg… E prej këtu ajo që duhet të bëjmë së bashku është të ecim duke kombinuar pasionin me vetëdijen e çliruar nga frika e hezitimet, duke sfiduar te gjitha mundimet, në kërkim të majës tek e cila duhet të mbërrijmë sa më parë…