Eshtë politika, budalla!

Nga Lorenc Vangjeli/

Eshtë një thënie që i atribuohet ish-presidentit amerikan Bill Klinton: Eshtë ekonomia, budalla! Një thënie aksiomë e cila mund të shpjegojë gjithçka. Që nga politika mes shteteve e deri tek marrëdhëniet mes çifteve në dhomën e gjumit. Kjo aksiomë amerikane që vjen nga një ekonomi pothuaj tërësisht e formalizuar (veç krimit me siguri), duket se është e vlefshme edhe për Shqipërinë që po tenton me të gjitha mënyrat të formalizojë ekonominë dhe të bëjë “informal krimin”. Po të ndiqet “pasqyra” me të cilën shihet realiteti, pra, mediat e shkruara, televizionet dhe rrjetet sociale, Shqipëria ngjan vendi më i shqetësuar në dynja. Televizionet dhe rrjetet sociale përcjellin gati në kohë reale çfarë ndodh cep më cep të vendit dhe një ditë më pas, edhe gazetat e thellojnë më tej të njëjtën gjendje ankthi që prej vitesh është normalitet në vend.

Janë dy “drama” që po ndodhin njëkohësisht në Shqipëri: e para po ndodh në rrugët kryesore të qyteteve me luftën kundër informalitetit dhe e dyta, jetësohet skërkave dhe gërxheve të lazaratizuara të vendit, me punonjës policie të shndërruar në fermerë që korrin Cannabis.

Të vetëpunësuar apo punësues të mëdhenj privatë, minimarkete lagjesh ku rëndom blihet edhe me listë, edhe në Tiranë, madje, lavazhe pa licensë apo shitës misrash pa kasë fiskale, siç tallej Aldo Lipe i Klanit janë në krizë sepse ju duket se kanë shtetin kundër. Në fakt, shteti, sipas aksiomës amerikane, po kërkon të marrë çfarë i takon nga aktiviteti normal privat i qytetarëve. Të cilët mbasi paguajnë taksat, kanë të drejtë të kërkojnë hesap edhe për rritje pensionesh, edhe për kujdes më të mirë shëndetësor, edhe për arsim publik më serioz, infrastrukturë më pak të shkatërruar e kështu me rradhë. Ky është qarku vicioz në të cilin ndodhet vendi që deri tani ka funksionuar si rregull dhe jo si përjashtim me mënyrën tipike komuniste: prit dhe shpreso nga shteti, por pa menduar se çfarë i jep shtetit për ta rikthyer atë sërish në shërbime. Dhe ky akt nuk është thjesht ekonomi: është politikë!

Çfarë dukej habi deri kohë më parë për trafikun e drogës, sot është një mundësi e hapur. Nga mushkat mbartëse deri tek avionët e drogës në fakt nuk ka ndonjë ndryshim të madh: ka vetëm diferencë shpejtësie e teknologjie. Me përjashtim të faktit që shpesh teknologjia të tradhëton, siç ishte rasti i avionit të Divjakës nga italiani Riformato apo i avionit të Riminit nga shqiptarët e Vlorës. Shumë të arrestuar dhe një debat i rihapur për rolin që ka policia shqiptare: nëse është apo jo pjesë e suksesit të kapjes së trafikantëve apo është bashkëpunëtore e tyre? Veç kësaj dileme, një gjë është e qartë. Nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim, policia ka nisur një fushatë kapilare të korrjes së Cannabis-it. Me dhjetra mijëra rrënjë të asgjesuara me kosë dhe zjarr dhe pak e shumë pak të arrestuar. Natyrisht, asnjë nga të zgjedhurit e rinj lokalë nuk ka pësuar gjë edhe pse ligji kontravers dhe hipokrit i ca viteve më parë i fajëson ata nëse nuk denoncojnë Cannabis-in e mbjellë në zonat ku qeverisin lokalisht. Në morinë e lajmeve me personazh Cannabis-in, tek – tuk shfaqet dhe ndonjë me kokainë. Por këtu nuk bëhet fjalë për tonelata, por për gramë që peshojnë shumë më shumë. Lufta kundër drogës, parave të pista që ajo gjeneron dhe pushtetit që mund të blihet me ato para, nuk është thjesht ekonomi: është politikë.

Gjithçka tjetër në Shqipëri është politikë. Edhe deklarimi i Bashës për aleanca të mundshme të opozitës për t’u rikthyer në pushtet, edhe parashikimi i Veliajt për ndërtimet tek parku i Liqenit, edhe kisha e Dhërmiut, edhe ndarja e Shqipërisë në gjashtë rajone nga PS dhe survejimi i tre deputetëve të PD-së mbi veprimtarinë e grupit në Kuvend, edhe mbështjetja me “kusht” që Vasili jep për aksionin kundër informalitetit, edhe lajmi i orëve të para të mëngjezit të së martës për procedimin e dy taksistëve në Elbasan që punonin pa licencë, edhe… edhe…, pra gjithçka është politikë. Sepse 2017-a, viti kur Shqipëria do të shkojë sërish në zgjedhje është vetëm një vështrim larg. Dhe ngjyra e politikës pastaj, sipas aksiomës së vjetër amerikane, do të kushtëzojë eknominë.

Nuk ka asnjë budalla që të mos kuptojë se në Shqipëri, gjithçka është politikë. Si në rastin e marrëdhënieve mes partive e deri në marrëdhëniet njerëzore mes njerëzve që ndërtojnë politika! Këtë të vërtetë shqiptare, amerikani Klinton me siguri e ka të vështirë ta kuptojë. Dhe me siguri beson tek ekonomia. Po sikur të ketë vërtet të drejtë??? (Javanws.al)

 

SHKARKO APP