Eshtë vetëm një foto të rinjsh, o budallenj
Nga Mentor Kikia/
Fotografia e një grupi të rinjsh shqiptarë, që shërbejnë në ushtrinë greke për shkak se gëzojnë edhe nënshtetësinë greke, ka alarmuar si politikën ashtu edhe median e këtij vendi. Fotoja me simbolin e shqiponjës, është konsideruar një provokim i rëndë. Reagimet nuk ka qenë vetëm të medias ekstremiste apo qarqeve politike ekstremiste, por deri në majat më të larta të qeverisë, të cilat një xhesti krejt naiv, në vend që ta trajtonin me sportivitetin dhe modestinë e disa 18 vjeçarëve, i dhanë përmasat e një plani konsiprativ me nuanca të forta nacionaliste, të thurur nga qeveria e Tiranës.
Thirrjeve të disa gazetave për ti dëbuar të rinjtë me origjinë shqiptare nga Greqia, iu bashkua deri dhe ministri i mbrotjes. “Kushdo që nuk ndjehet grek- deklaroi ministri Kammenos – të kthehet në vendin e tij“. Ai nuk hezitoi ta cilësojë foton e të rinjve një plan i gjerë për të ringjallur nacionalizmin që sipas tij ka nisur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për çështjen çame. Dhe për këtë ai ka urdhëruar një hetim të thellë, nga i cili të rinjtë me origjinë shqiptare mund të marin dënime jo të lehta.
Ne Greqi kanë marrë nënshtetësinë shumë shqiptarë, të cilët janë nënshtetas shumë të rregullut, që paguajnë taksat, punojnë me ndershmëri dhe i përgjigjen edhe thirrjes për të kryer shërbimin ushtarak. Ata të rinj kanë veshur uniformën e ushtrisë greke e stërviten sëbashku me bashkështetas grekë. Simboli i shqiponjës që kanë ndërtuar me duar është thjeshtë një dëshirë e tyre për të treguar se nga e kanë origjininën dhe nuk meritonte fare këtë vëmendje që i dhanë media e politika greke, të cilat e trajtuan si të kishin zbuluar Kalin e Trojës në ushtrinë e tyre.
Ky është tregues i një shoqërie vërtet të sëmurë, të sëmurë rëndë nga koka tek këmbët, nga makthi prej fqinjit, nga urrejtja dhe fobia për gjithëçka që mund të lidhet me fqinjin. Kryqëzimi i gishtave nga disa të rinj, nuk do të thotë se ata kërkuan ndryshimin e kufinjve, e aq më shumë ta kenë bërë këtë nën urdhërat e qeverisë shqiptare.
Kjo tregon se ekstremizimi nuk është një sëmundje periferike dhe e lokalizuar, të cilin trupi i shëndoshë i një shoqërie mund ta mposhtë. Por prej saj është prekur vetë truri i shoqërisë, politika dhe media. /Opinion.al