Estonia: Vendi i mrekullisë digjitale
Në Estoni edhe për t’u martuar, njerëzit shkojnë në një zyrë vetëm për firmën e fundit – gjithçka bëhet online. Estonia është nga vendet më të sigurta kibernetike. Ajo strehon “qendrën e sigurisë kibernetike” të NATO-s.
Holger Kiik është pedagog në Universitetin e Talinit dhe është i lumtur: më 16 shkurt martohet me të dashurën e tij. Ata sigurisht e plotësuan aplikimin për martesë në mënyrë digjitale. “Gjatë propozimit për martesë mund të zgjedh me kë të martohem”, qesh Kiik. Sidoqoftë, personi tjetër duhet sigurisht që në fund të nënshkruajë në mënyrë digjitale gjithçka. Vetëm për nënshkrimin përfundimtar që të dy duhet të shkojnë në një zyrë. Në rast të një divorci të mëvonshëm, do të zbatohej e njëjta gjë: Kiik-u do të kujdesej në internet për të gjitha kontaktet me autoritetet.
Ka vite që kjo është jeta e përditshme në Estoni. Pas fitimit të pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik, Estonia u përball me një terren bosh dhe duhej të rimendonte të gjithë administratën: elegante, ekonomike, digjitale – kjo ishte motoja. “Në thelb, kjo infrastrukturë është jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë Florian Marcus. Ai është me origjinë nga Gjermania dhe prej vitesh punon si konsulent digjitalizimi në Estoni.
Holger Kiik, profesor në Universitetin e Talinit, kryen pothuajse të gjitha procedurat administrative në mënyrë digjitale. Ai dëshiron vetëm t’i thotë “po” të fejuarës së tij në mënyrë analogjike.
“Ne të gjithë kemi një kartë identiteti elektronik, është e detyrueshme në Estoni. Ajo ekziston që nga viti 2001”. Kësaj i shtohet edhe shkëmbimi i të dhënave që mundësohet mes autoriteteve. “Bazuar në këtë, 99.9 për qind e të gjitha shërbimeve publike tani janë online,” shpjegon këshilltari. Blerja e një shtëpie, deklarimi i kafshës së shtëpisë, votimi në zgjedhje: gjithçka ndodh në internet.
Shenjat e para “të pleqërisë”
Një pyetje që Marcus-i duhet t’i përgjigjet rregullisht: po në lidhje me mbrojtjen e të dhënave – kur edhe të dhënat që lidhen me shëndetin e tij janë të disponueshme në formë digjitale? “Jo të gjitha autoritetet dhe zyrtarët kanë akses në të gjitha të dhënat,” shpjegon ai. “Taksat nuk kanë akses në të dhënat e mia mjekësore”.
Shumë e rëndësishme: “Unë shoh në portalin tim se kur e cili autoritet i qaset cilit regjistrim të të dhënave të mia”. Tashmë ka pasur raste në Estoni në të kaluarën kur mjekët ose oficerët e policisë e kanë thyer këtë rregull dhe kanë humbur licencën dhe punën për shkak të këtyre veprimeve.
Shërbimet e para digjitale u shfaqën në vitin 1999; sistemet janë pjesërisht të vjetruara. Përditësimet mungojnë në disa vende – shteti duhet të investojë më shumë në këtë fushë, argumenton Marcus dhe ekspertë të tjerë të digjitalizimit në Estoni.
Nivel botëror në sigurinë kibernetike
Për pjesën tjetër, vendi i vogël baltik nuk mund të mburret vetëm me një administratë digjitale, por edhe me kompetencë të madhe në sigurinë kibernetike: sipas një studimi, vendi konsiderohet i treti më i mirë në botë në këtë fushë. Ai strehon gjithashtu “qendrën e sigurisë kibernetike” të NATO-s.
Por megjithatë Estonia nuk është imune ndaj sulmeve dhe që nga fillimi i luftës ruse kundër Ukrainës, këto janë rritur ndjeshëm – por pa pasoja të dukshme deri më tani, sipas autoritetit kompetent.
“Burokracia gjermane është joefikase”.
Marcus, një ekspert i digjitalizimit, punoi për qeverinë e Estonisë për disa kohë dhe veçanërisht prezantoi parimin e “shtetit digjital” para delegacioneve gjermane. Kur ai i pyeti gjermanët se pse e shihnin të rëndësishëm digjitalizimin, ata shpesh i përgjigjeshin – zakonisht pas një vonese prej dhjetë sekondash – se “digjitalizimi është e ardhmja”.
Për Marcusin, kjo përgjigje do të thoshte se në Gjermani ende njerëzit nuk vuanin nga gjendja aktuale, që do të bënte që qeveria të thoshte “kjo na mërzit dhe ne duhet ta ndryshojmë këtë”. “Shteti ka shumë para dhe kjo nuk e bën të ndjejë dëmin, që të vërejë se sa joefikase dhe joefektive është burokracia gjermane”, në këtë përfundim arrin Markus.
Digjitalizimi ka kufijtë e tij
Për Holger Kiik-un, të sapofejuar dhe së shpejti të martuar, digjitalizimi ka kufijtë e vet. Për një nga ditët më të bukura të jetës – martesën – duhet të shkojë në një zyrë, por kjo nuk e shqetëson atë: “Nëse edhe firma përfundimtare do të kishte qenë digjitale, do të kishe ndjenjën e çuditshme sikur thjesht të kishe klikuar në internet. Kjo do të ishte e çuditshme.”/DW/